MENU
klinika

Mbrojtësi shqiptar

Ismajli: Miqësore apo zyrtare, japim maksimumin

02.06.2021 - 21:25

Pavarësisht se bëhet fjalë për një test miqësor ndaj Uellsit, Kombëtarja shqiptare e drejtuar nga Edy Reja, do të kërkojë të marrë maksimumin nga përballja e datës 5 qershor.

Në lidhje me atmosferën në kampin kuqezi, ka folur edhe mbrojtësi Ardijan Ismajli, i cili aktivizohet në Serie A me Spezian. Në një prononcim për “Supersport”, 24-vjeçari deklaroi:

Fryma në ekip – “Si gjithmonë fundi i sezonit është i ngarkuar, pasi të gjithë kanë qenë të angazhuar në ekipet e tyre dhe kanë bërë shumë mirë. Tani kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme, pasi duam të shohim ku jemi në prag të dy përballjeve eliminatore në muajin shtator. Atmosfera si gjithmonë është shumë e mirë dhe grupi është shumë i mirë, ndaj besoj që do të kalojmë mirë.”

Ndeshjet miqësore – “Në çdo ndeshje ne futemi për të bërë mirë, por pse jo edhe për të fituar, pavarësisht se janë vetëm miqësore. Kundërshtarët janë shumë të fortë, por edhe ne jemi goxha të fortë, ndaj objektiv primar kemi fitoren. Për momentin jemi të fokusuar të bëjmë më të mirën në këto ndeshje.”

Kampionati italian – “Ka qenë viti im i parë në Serinë A dhe me Gjimshitin e Kumbullën po përshtatemi shumë mirë. Megjithatë ne jemi shokë me njëri-tjetrin dhe njihemi mirë, ndaj kjo besoj se është çelësi i suksesit.”

Mungesa e golit – “Besoj se do të vijë në momentin e duhur, por nuk ka rëndësi kush shënon, pasi më shumë duam të fitojmë e të festojmë të gjithë së bashku.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN