MENU
klinika

Vizita dyditore në Turqi

Klosi jep detaje: Nga shkollat për turizmin tek marinat, ja fokusi…

03.06.2021 - 15:35

Ministri i Turizmit Blendi Klosi ka dhënë detaje për vizitën dy ditore të delegacionit qeveritar shqiptar në Turqi, i cili ka mbërritur dje.

Në një lidhje ‘live’ në News24 Klosi ka zbardhur disa nga diskutimet që ka pasur me homologun turk Mehmet Nuri Ersoy për turizmin, duke nisur që nga shkëmbimi i eksperiencave, shkollat profesionale për turizmin deri tek turizmi blu, ose marinat.

“Nën drejtimin e kryeministrit, ne jemi një delegacion qeveritar me disa ministra dhe drejtues institucionesh për të kontaktuar me homologët tanë turq për të vazhduar shkëmbimet dhe marrëdhëniet ndërmjet institucioneve tona. Në muajin prill në Gjirokastër ne firmosëm një marrëveshje bashkëpunimi me ministrinë turke të kulturës dhe turizmit, për të realizuar disa pika bashkëpunimi dhe sot isha në zyrën e ministrit turk të Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy për të diskutuar ecurinë e këtyre pikave, që kanë të bëjnë në radhë të parë me shkëmbimin e eksperiencave tona në botën e turizmit duke vlerësuar maksimalisht eksperiencën dhe mënyrën se si Turqia ka ngritur një industri të jashtëzakonshme.
Shkëmbimi më i ngushtë i institucioneve tona, konkretisht Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Promovimit të turizmit turk është një nga pikat e negociuara, të debatuara dhe të diskutuara dhe të dakordësuar për të pasur mundësi që Shqipëria të marrë mbështetje nga një institucion i rëndësishëm i promovimit të turizmit në botë për të qenë pjesë e programit të përbashkët, për të marrë eksperiencë.
Ajo që duhet të ecim me shpejtësi të madhe, një problem i madh që kemi në Shqipëri sot është Akademia e përgatitjes së atyre që shërbejnë në fushën e turizmit dhe folëm gjatë me ministrin turk për të marrë një eksperiencë për menaxhimin e shkollave të formimit profesional, të cilat lënë shumë për të dëshiruar në Shqipëri në kuadër të kapacitetit. Besoj që eksperienca turke, mënyra si menaxhohet prej vitesh në Turqi, përgatitja e brezit të ri është shumë e rëndësishme ishte një nga pikat që zgjati më shumë në diskutimet me kolegun Ersoy”, deklaroi Klosi.

Ai tha se diskutim po aq interesant, diskutimi blu, për marinat. Një nga bizneset më fitimprurëse në turizëm. “Shqipëria po përgatit lehtësira fiskale dhe projekte konkrete”, tha ai.

Klosi u shpreh se vizita është dy ditore dhe nesër përmbyllet aktiviteti. “Kemi takime me agjenci të turizmit dhe biznesin turk. Do ketë një informacion zyrtar, por janë disa ministra dhe titullarë institucionesh”, tha Klosi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN