MENU
klinika

Kuqezinjtë mbërrijnë në Kardif

Kombëtarja humbet edhe një tjetër titullar

01.06.2021 - 14:31

Kombëtarja shqiptare mbërriti në Uells, ku të shtunën e 5 qershorit do të luajë ndaj vendasve një miqësore. Delegacioni kuqezi është akomoduar pas mesditës në hotelin ku do të qëndrojë në Kardif, ndërsa pasdite rreth orës 17:30 do të zhvillojë një seancë stërvitore të plotë.

Bëhet me dije se trajnerit Edoardo Reja do t’i mungojë një tjetër element i rëndësishëm për këto dy takime. Mesfushori Odise Roshi ka pësuar tërheqje muskulore gjatë seancës stërvitore të ditës së hënë dhe i është nënshtruar menjëherë vizitave të specializuara mjekësore.

Duke parë gradën e dëmtimit, stafi mjekësor i Kombëtares ka vendosur që lojtari të qëndrojë pushim dhe të mos jetë i gatshëm për dy miqësoret ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke. Kësisoj, Roshi nuk ka udhëtuar me skuadrën drejt Uellsit.

Më herët, Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi uniformat e reja të Kombëtares. Motivi kryesor mbetet shqiponja dykrenare. Bluzat e reja sjellin një motiv të ri grafik të stilizuar me motive gjeografike duke sjellë kështu një imazh modern dhe besnik të traditës në të njëjtën kohë.

Bluza e re është e pasuruar me detaje teknologjike si logo e realizuar në silikon dhe shkrimin “Ti Shqipëri më jep nder” në një pozicionim të ri në brendësi.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by FSHF (@fshforg)

Ngjyrat e bluzave janë të njëjtat duke ruajtur ngjyrën e kuqe si bluzën përfaqësuese, e bardha si bluza e ndeshjeve jashtë dhe e zeza si ngjyrë alternative. Futbollistët do t’i veshin në miqësoret e muajit qershor me Uellsin dhe Çekinë. Ky do të jetë imazhi i Shqipërisë edhe në kualifikueset e Botërorit 2022.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN