MENU
klinika

Eduart Zaloshnja

Kufiri kritik për rotacionin: 50% pjesëmarrje

07.06.2021 - 20:21

Eduart Zaloshnja

Në mbrëmjen e 25 prillit, edhe Lulzim Basha edhe Edi Rama bënë nga një deklaratë të shkurtër për mediat. Të parit i shndrinte fytyra nga gëzimi, ndërsa të dytit i sterronte fytyra. Daljet e tyre para mediave vinin fill pas njoftimit të KQZ-së se, nga të dhënat e saj paraprake, rezultonte se pjesëmarrja në votimin kishte qenë pothuaj 50%. Një ogur i mirë ky njoftim për Bashën, dhe i zi për Ramën. Andaj dhe fytyrat e secilit i reflektonin ato ogure…

Me pothuaj 50% pjesëmarrje, i binte që pothuaj 1 milion e 800 mijë shqiptarë të kishin votuar. Duke ditur se PS-ja kishte marrë 765 mijë vota para katër vjetësh dhe duke llogaritur kalimin e disa politikanëve (të PDIU dhe LSI) me influenca lokale në krahun e saj, tavani statistikor për votat socialiste ishte diku tek 800 mijë votat. Pra i binte që rreth 1 milion të kishin votuar për partitë opozitare. Gjë që të kujtonte zgjedhjet e 2013-ës, kur ndodhi dhe rotacioni i fundit i pushtetit…

Por pasi kutitë u hapën dhe të gjitha votat u numëruan nga numëruesit e PS-së, PD-së dhe LSI-së, rezultoi se vlerësimi paraprak i KQZ-së për pjesëmarrjen kishte qenë dramatikisht gabim. Vetëm 46.3% e votuesve në lista (1.66 milion) kishin marrë pjesë në zgjedhje, e jo 50% (1.8 milion)… Dhe nga votat e vlefshme, pothuaj gjysmën e kishte marrë PS-ja; gjë që i siguroi asaj 74 mandate.

Po të shohim historikun e katër zgjedhjeve të fundit parlamentare (të zhvilluara me sistem rajonal proporcional), vëmë re se vetëm në vitin e rotacionit të pushtetit (2013), pjesmarrja ka qenë mbi 50%. Në zgjedhjet e tjera (që nuk kanë prodhuar rotacion) pjesëmarrja ka qenë poshtë 50-përqindëshit (shihni grafikun shoqërues).
Ky historik elektoral duhet të shërbejë si udhërrëfyes për këdo që fiton zgjedhjet brenda PD-së më 13 qershor.

Pa e frymëzuar elektoratin për pjesëmarrje masive në zgjedhjet parlamentare (kurdo që të zhvillohen ato), nuk mund të ketë siguri për rotacion të pushtetit. Muri elektoral 800 metra i lartë i ndërtuar prej PS-së mund të përmbyset vetëm me një pjesëmarrje më të lartë të popullit opozitar. Asnjë taktikë elektorale apo kombinim koaliocionesh/listash nuk mund të jetë më efikas se sa pjesëmarrja masive e popullit opozitar në zgjedhje…