MENU
klinika

Vizita në Prishtinë

Kurti i kërkon ministrit të Jashtëm të Greqisë njohjen e Kosovës

04.06.2021 - 18:16

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në Prishtinë, pas takimit me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, i ka kërkuar atij njohjen e Kosovës.

Kurti përsëriti kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti helen dhe theksoi rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Zyrës për media të Kryeministrit.

Ministri i Jashtëm Dendias tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave dhe se do të përkrahë e ta ndihmojë Kosovën në rrugën evropiane dhe Euro-atlantike.

Kurti e falënderoi ministrin Dendias për rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës dhe angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Dendias shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit grek për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar me Kosovën dhe për investime të reja. Duke pasur parasysh historinë dhe gjeografinë e përbashkët të rajonit, ministri i jashtëm grek tha se Greqia është shumë e interesuar të rris bashkëpunimin kulturor me Kosovën”, citohet më tej nga njoftimi.

Ngjashëm si Kurti, edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i kanë kërkuar diplomatit grek njohjen e Kosovës nga Greqia.