MENU
klinika

“PD duhet të hapet”

Lubonja: Basha të heqë dorë nga ideja për t’u bërë kryeministër pas Ramës

18.06.2021 - 15:14

Analistët Artur Zheji dhe Fatos Lubonja komentuan në emisionin “Pikat mbi i”, në News24, zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike dhe zgjedhjen e Lulzim Bashës për herë të tretë në krye të kësaj partie.

Për të dy analistët është e rëndësishme që Lulzim Basha të hapë Partinë Demokratike dhe të pranojë koalicion brenda e jashtë partisë, me forca të tjera, me grupe interesi, apo me shoqata e shoqërinë civile.

Pjesë nga diskutimet:
Zheji: Kemi një frustrim kombëtar, për shkak se kemi një sistem mazhoritar, që thotë se po diskuton për vitin 2030, pra nuk diskutojnë këtë mandat dhe as tjetrin. Kjo duket si një blof i madh për të trembur kundërshtarin. Nëse kemi mbetur në lirinë e vetme, që të derdhim gjithë pakënaqësitë dhe frustracionet tona tek opozita, pa goditur më parë pushtetin, e shoh si një kallaj që do të dalë shumë shpejt.

A e ndihmojnë Bashën kritikët brenda PD, që ai të njohë veten dhe kundërshtarin politik?
Lubonja: Po. Gjëja më e mirë është që të jetë e hapur partia. Cdokush mund të të ndihmojë për të njohur veten. Mendoj që Basha pa dyshim ka nevojë të dëgjojë, të jetë i hapur jo vetëm ndaj këtyre kritikëve, por ndaj gjithë forcave të reja. Nuk mendoj, siç thotë Basha, që PD është e vetmja forcë që mund të shpëtojë Shqipërinë nga ky regjim. PD nuk mund ta bëjë këtë, nëse nuk arrin të bëjë një koalicion me shoqërinë civile, me forcat e tjera, për të mposhtur këtë regjim.

 

 

Zheji: Më kujtohen përgjimet që nxori gazeta “Bild”, ku deputetë të zgjedhur për të garantuar votat flisnin me “çunat problematikë”, me sekserët e tyre, dhe u bë nami, por asgjë nuk përfundoi. Kemi një drejtësi të kalbur. Për fat të keq me këtë drejtësi që kemi ne, këto dosje duhen zgjidhur me arbitër. Nëse do njohim veten dhe ta shohim që jemi shumë të dobët, duhet të kemi arbitër të rëndësishëm, ku ata që u kapën duke vjedhur vota, të ikin në burg. Këto janë precedentë shumë të rrezikshëm, ku kanë marrë shpërblimin dhe ishin edhe në zgjedhjet e tjera. Mua më habiti Basha në këto zgjedhje, sepse mendoja një rezultat më të thellë nga mazhoranca, me blerje, me patronazhistë, por Basha mori 700 mijë vota. Problemi është se jemi kthyer në nivelin e pandëshkueshmërisë, jemi prapë aty. SPAK merret me gjëra që nuk ka lidhje me procesin vital të zgjedhjeve dhe demokracisë. Njerëzit sot dinë më mirë të palosin rrobat në një valixhe, sesa të mendojë për më tepër. Një shoqërie që nuk i stimulohen ëndrra të mëdha, mbetet shoqëri e vogël, ku do të kemi një ndarje klasore gjithnjë e më të madhe. Fëmijët ë të pasurve do të pasurohen, do shkollohen, ndërsa skellvërit do mbeten skllevër.

Pyetje: Çfarë do t’i këshillonit Bashës?
Zheji: Këshilla për Bashën me dy fjalë është që të hapet, të hapet, të hapet, të krijojë aleanca brenda dhe jashtë partisë, me grupe interesi, me shoqata ta ndryshme. Të krijojë gjithnjë e më tepër një front. PD duhet të shkojë në parlament, pasi do kishim një parlament ‘fake’ dhe turp kombëtar.
Lubonja: Unë i them Bashës, njih vetveten dhe njih kundërshtarin. Mendoj që këshilla kryesore që mund të jepet është hapja dhe integrimi i atyre kundërshtarëve që ka në parti. Një këshillë njerëzore është kjo: ai momenti kur interesi personal dhe interesi i Shqipërisë, apo qoftë dhe i partisë, janë në konflikt, duhet ta gjykojë mirë. Kur interesi im prishet, unë prish gjithë Shqipërinë! Kam dyshime që Basha mund ta bëjë këtë, por ja jap si këshillë, se është i ri. Pra, të heqë dorë nga ideja se o unë bëhem kryeministër pas Edi Ramës, o Rama ngel kryeministër gjithë jetën. Pra, të shohë hapjen e PD përtej vetvetes, ndoshta edhe me një koalicion ku Basha nuk është kryetar, se ka kohë të bëhet edhe kryeministër, edhe kryetar. Basha duhet të heqë dorë nga kjo ide.