MENU
klinika

"Sot priten sërish vaksina Pfizer"

Manastirliu: Ulet fasha e vaksinimit në +50 vjeç

21.06.2021 - 13:57

“Nga sot do të hapim fashën e vaksinimit për qytetarët +50 vjeç”. Lajmin për hapjen e fashës së vaksinimit e ka dhënë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga qendra e vaksinimit të përqendruar në sheshin “Skënderbej”, ku ka nisur procesi i vaksinimit për këtë fashë.

“Hapim fashën 50-59 vjeç, duke filluar nga grupmosha më e lartë dhe më pas në rend zbritës, për të mundësuar që të gjithë ata që janë më të riskuar, të vaksinohen sa më herët. Ky është një organizim i cili është duke u bërë nga mjeku i familjes. Por të gjithë ato qytetarë që i përkasin kësaj fashe grupmoshe mundet edhe të aplikojnë pranë portalit e-Albania, për të rezervuar ditën e vaksinimit të tyre. Në çdo rast, mjeku i familjes do t’i njoftojë qytetarët për vendin dhe orën e vaksinimit”, ka bërë me dije Manastirliu.

Nga sheshi “Skënderbej”, ku vijon vaksinimi masiv, Ministrja e Shëndetësisë i ka bërë thirrje edhe qytetarëve që tashmë e kanë kryer dozën e parë, të paraqiten pranë qendrave shëndetësore apo pikave të vaksinimit të përqendruar, për të kryer dozën e dytë të vaksinës.

“Një thirrje për të gjithë ata që kanë kryer dozën e parë dhe ende nuk e kanë kryer dozën e dytë të vaksinës, të drejtohen pranë qendrave shëndetësore apo pranë pikave të vaksinimit të përqendruar për ta kryer edhe dozën e dytë të vaksinës, sipas këshillës së mjekut, sepse doza e dytë e vaksinës është ajo që garanton imunitetin”, ka bërë thirrje Manastirliu.

Përveç dozave të vaksinave Coronavac të ardhurave gjatë fundjavës që lamë pas, Manastirliu bëri me dije se sot priten sërish vaksina Pfizer.

“Bashkë me 100 mijë vaksinat Coronavac që mbërritën këto ditë, deri tani janë mbi 1 milion e 60 mijë vaksina të mbërritura në vend, ndërsa sot presim sërish mbi 11 mijë vaksina Pfizer”, tha Manastirliu.

Duke folur për situatën e përmirësuar epidemiologjike, Ministrja e Shëndetësisë apeloi sërish për vigjilencë.

“Është e vërtetë që jemi në një situatë të kontrolluar të epidemisë. Në spitalin Infektiv janë vetëm 3 pacientë të shtruar, që marrin shërbim. Pra siç tregojnë shifrat dhe siç analizojnë ekspertët tanë të shëndetit publik, situata është shumë e kontrolluar, por duhet të vijojmë të jemi vigjilentë. Ndaj duhet të përfitojmë nga kjo situatë e kontrolluar, për të bërë vaksinat”, tha Manastirliu.

Deri tani kanë mbërritur në vend 1,067,950 vaksina anticovid. Prej fillimit të procesit të vaksinimit janë kryer në total 880,912 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 365,028 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës. Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Të dhëna premtuese për një sezon turistik përtej pandemis"

COVID-19, Manastirliu: Vetëm 3 pacientë të shtruar tek infektivi