Shtetet e Bashkuara janë rikthyer si një vend udhëheqës e bashkëpunues i botës së lirë, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë një takimi me presidentin e SHBA-së, Joe Biden.
“Është shumë mirë të kesh një president të SHBA-së që është pjesë e klubit dhe shumë i gatshëm të bashkëpunojë”, tha Macron.
Ndërsa presidenti Biden tha se e ka thënë edhe më parë që “Amerika është kthyer”.
“Unë mendoj se gjërat po shkojnë mirë”, tha Biden.
Te dy liderët u takuan në kuadër të samitit të G7-ës (shtatë vendet më të pasura të botës), që po mbahet në Britaninë e Madhe.
Raportet mes evropianëve dhe paraardhësit të Bidenit, Donald Trump kanë qenë të trazuara. Trump e kishte tërhequr SHBA-në nga traktati i klimës dhe kishte kritikuar aleatët evropianë për çështje të ndryshme, përfshirë edhe kontributin e ulët financiar në kuadër të aleancës së NATO-s.
“Unë mendoj se Bashkimi Evropian është tepër i fortë dhe i gjallë, dhe kjo ka të bëjë shumë me aftësinë e Evropës Perëndimore jo vetëm për të trajtuar çështjet e saj ekonomike, por për të siguruar edhe mbështetjen për NATO-n”, tha Biden.
Vizitën e parë të tij jashtë vendit, presidenti Biden po e zhvillon në Evropë.
Pas samitit të G7-ës që përfundon të dielën, më 13 qershor, ai udhëton për Bruksel për takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.