PREÇ ZOGAJ
Policia dhe Prokuroria po ndërtojnë dinamikën… e plojës me armë zjarri në Velipojë mesnatën e së dielës, ku mbetën të vrarë vëllezërit Edmond e Xhovani Gocaj, Kujtim Ferracaku dhe Musain Zeneli. E vërteta ka rëndësi për drejtësinë. Për opinionin publik gjithashtu. Edhe pse të vdekurit nuk përgjigjen më për asgjë. As për fajin që mund të kenë pasur.
Humbjet e jetëve janë tragjike, pavarësisht kush i nis e kush i bitis. Por njëra prej tyre është më e dhimbshmja e të gjithave dhe ka prekur mijëra e mijëra zemra në mbarë vendin. Ajo e njëzetvjeçarit Musain Zeneli. Hollësitë që po tregohen për të- e kishte ditën e parë të punës në hotelin e vëllezërve Gocaj, ishte jetim nga babai, kishte merak të punonte për të ndihmuar të ëmën, iu gjetën pak lekë në xhep e tjerë- vetëm e theksojnë tragjizmin e fatit të tij. Që edhe pa to, thjesht sepse u këput në mes në lule të moshës, nuk mund të ishte më i zi.
Musainin e mori një prej plumbave që po shkëmbenin palët ndërluftuese ku ai nuk bënte pjesë. Mund të thuhet ajo që po thuhet (dhe është e vërtetë, djalli i mori!) se u gjend në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.
Mund të shtohet tjetra (dhe është sërish e vërtetë, djalli e mori!) se nuk është as i pari dhe nuk do të jetë i fundit që bie viktimë e fatalitetit.
Dhe mund të thuhet gjithashtu ajo që po thuhet për gjithë tragjedinë e së dielës pasmesnate (dhe është sërish e vërtetë, djalli e mori!) se po të kishin qenë më të përmbajtur a më largpamës dy familjet fqinje në konflikt, pra, po të kishin zbatuar urtësinë e vjetër për t’ia lënë ditës inatin e natës nuk do të ishin vrarë siç u vranë dhe Musaini do të ishte shëndoshë e mirë sot.
Po! Nuk na kushton asgjë të themi, madje duke cituar Bajronin e plot emra të njohur që kanë shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët, se nuk do të ishin vrarë po të ishim “pak më të arrirë”, pak më të gdhendur, më të civilizuar e tjerë e tjerë. Historia, antropologjia, xhungla e shpirtit dhe mendjes së njeriut janë të pasura me xhepa dhe skuta për të strehuar shpjegime kësisoj të vrasjeve atavike duke i mbajtur larg nga realiteti i gjallë, duke i ikur aktualitetit, konteksteve konkrete, përgjegjësive konkrete apo të tërthorta të atyre që kanë përgjegjësinë e qeverisjes, që, siç e dimë, është e duhet të jetë para së gjithash qeverisje e marrëdhënieve njerëzore.
Në rastin e vrasjeve në Velipojë, përgjegjësia e autoriteteve publike nuk është e tipit të përgjithshëm “shteti ka përgjegjësi për gjithçka”. Është konkrete, e drejtpërdrejtë për një arsye konkrete: Konflikti ka në themel përplasjen për aksesin e dy operatorëve turistikë në plazhin e Velipojës në një pasuri publike, siç është rëra e plazheve për vendosjen e shezlongëve gjatë sezonit turistik. Për shumë vite këtë pasuri publike e kanë administruar bashkitë. Prej një viti e administron qeveria qendrore, Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit. Konfliktet për akses në pronën publike kanë veçoritë e tyre. Në mënyrën si e ndan dhe si ua jep në përdorim institucioni shtetëror, operatorë privatë lexojnë marrëdhënien e tyre me bashkinë, me agjencitë qeveritare, me ministrinë, pra, me shtetin. Ideja se dikush trajtohet si i nënës dhe dikush si i njerkës ka ngarkesë të madhe emotive kur është fjala për një pasuri publike ku sekush që ka një investim në bregdet e konsideron pasuri të përbashkët. Pra, edhe të tijën. Sa herë vjen vera, plazhet tona të ultësirës nga Velipoja në Vlorë, por edhe më tutje, aty këtu vibrojnë nga konfliktet për sipërfaqet e njësive të shërbimit, çadrave, shezlongëve. Qytetarët, në përgjithësi, pa qenë vetë operatorë privatë, lexojnë në ndarjen që i bëhet kësaj pasurie korrupsionin e zyrtarëve, qokat, selektivitetin, privilegjimin e një pale që ka paguar nën dorë apo ka ndihmuar partinë në kurriz të palës tjetër që nuk ka paguar apo ka mbështetur partinë kundërshtare. Qytetarët kanë qenë dhe janë viktimat e këtij abuzimi të madh. Pasuria publike u është marrë pikësëpari atyre.
Përballë tablosë së konflikteve, allishverisheve, zaptimeve dhe abuzimeve të llojllojshme të akumuluara vit pas viti nga bashkitë, në maj të vitit të kaluar Kryeministrit Rama bëri në emisionin “Opinion” të Blendi Febziut njoftimin e bujshëm. “Do të bëjmë plazhe siç i kishim kur ishin të vegjël në të dy, Fevzi. Masivisht publike. Nuk do lëmë asnjë kontratë private për shezlongë dhe çadra, përveç hoteleve. Nuk do dalë asnjë me dhëmb të prishur të thotë paguaj dhjetë euro të futesh andej, të ulesh andej. Plazhet do jenë për shqiptarët”. Pak ditë më vonë, Kryeministri paralajmëroi se në vjeshtë Kuvendi do të miratonte një ligj të ri për mbrojtjen dhe administrimin e vijës Bregdetare nga shteti.
“Kjo pasuri kombëtare i takon popullit dhe pushimet u takojnë njerëzve”, përsëriti në stilin e tij populist, por që në këtë rast u tingëllonte mirë shumicës së qytetarëve. Shumë shpejt, Rama do të ndeshte në malin e interesave që ngërthente në bashkitë e partisë së tij mbajtja e monopolit të plazheve publike.
Sidoqoftë, administrimi i hapësirave të plazheve i kaloi Ministrisë së Turizmit dhe Agjencisë homonime. Çdo operator do të aplikonte tani e tutje në e-Albania. Djalli fle në detaje dhe detaji që e linte në vendnumëro situatën, për të mos thënë e bënte me keq, ishte ky: Hoteleve, të vetmet që do të kishin të drejtë të merrnin kuadratin e tyre, siç kishte deklaruar solemnisht Rama, u ishin shtuar njësitë e shërbimit dhe restorantet. Edhe këtyre u njihej e drejta të kishin çadrat dhe shezlongët e tyre. Po a mendon kush se ka ndonjë cep të bregdetit që frekuentohet nga pushuesit, ku nuk ka njësi të tilla, të përhershme apo të përkohshme?
Ministri Klosi, që e lexoi drejt ndryshimin pa ndryshim të gjendjes kur deklaroi zyrtarisht në fillim të këtij sezoni se plazhet private do të zënë tetëdhjetë për qind të territorit, ndërsa plazhet private njëzet për qind. Njëlloj si më parë në aspektin e shifrave formale. Me ndryshime dhe këtu. Ky njëzet përqindëshi i plazheve publike plotësohet formalisht me sipërfaqe të lira larg plazheve të frekuentuara, ku nuk kanë arritur akoma hotelet dhe njësitë e shërbimit. Ndërkohë që hapësira publike në pjesën e plazheve të frekuentuara vazhdon të hyjë si doku në ujë edhe me “ndryshimet e mëdha” pa ndryshime.
I vetmi ndryshim i vërtetë është aplikimi në e-Albania. Mirëpo, e-Albania, që ka vlerë për shumë shërbime dhe informacione të tjera, në këtë rast është vetëm një maskë që u mundëson zyrtarëve qendrorë e vendorë të shmangin ballafaqimin me njerëzit. Pra, u jep dorë të lirë të bëjnë çfarë të duan duke ia faturuar gjithçka shërbimit online, teknologjisë, malit që s’bëzan. Pikërisht këtu po gjenerojnë konfliktet e reja. Operatorët dhe njerëzit e thjeshtë vihen para faktit të kryer, nuk dinë ku të përplasen dhe mjerisht, në nerva e sipër, ndodh të përplasen me njëri-tjetrin. Në një pikëpamje ka qenë më mirë kur lejet për hapësira i jepnin bashkitë. Ngaqë ballafaqoheshin me kërkuesit, kryetarët e bashkisë prireshin apo detyroheshin të mbanin njëfarë balance. Tani nuk ka më. Po të bëhej transparencë, do të dilnin në dritë shkelje dhe allishverishe që nuk t’i rrok mendja.
Ja ku përfundoi jehona zhurmëmadhe e njoftimit të Ramës te Fevziu një vit më parë. Tetëdhjetë për qind e plazheve përsëri private, vetëm njëzet për qind publike. Sipas synimit zyrtar. Realisht, ky raport është shumë më keq se aq. Kontroll të plotë të ndarjes së hapësirës për interesa dhe qoka përmes e-Albania. Bregdeti vibron më keq se më parë nga tensionet dhe konfliktet. Edhe kësaj radhe, për zhgënjimin e atyre që u besuan fjalëve të Ramës, doli ajo që ai e ka zakon: të marrë një situatë të keqe të krijuar nga paraardhësit e tij dhe ta bëjë më keq duke e veshur me fjalë të bukura. Zgjedhjet, koncesionet, korrupsioni, janë disa nga shembujt ilustrues.
Tani te kthehemi ku u nisëm. Te Nauseni i shkretë. Vrasjes se tij të tmerrshme dhe tmerrësisht të pafajshme në kontekstin kësaj që treguam i shkon klithma e Migjenit në skicën e famshme “Bukuria që vret”. Me një ndryshim të vogël. Fjalën qytet ta zëvendësojmë me fjalën Tiranë. Pra: Merrnje dhe çonje në Tiranë kët shtatore. Vendosnje në nji shesh! Dhe si përmendore kushtonja ndokujt. Kushtonja atij që ka ma shumë merita për kët vend”!==