MENU
klinika

Rregullat e reja të regjistrimit dhe deklarimi i të dhënave si kompanitë

Miratohet ligji i ri/ OJF-të dhe fondacionet duhet të tregojnë burimin e parave! 

24.06.2021 - 17:10

Kuvendi miratoi sot me 81 vota pro dhe 9 kundra ligjin e ri për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse, duke shfuqizuar ligjin në fuqi të vitit 2001, si i vjetërsuar dhe që nuk u përgjigjet zhvillimeve të kohës. Miratimi i ligjit të ri është diktuar nga një kërkesë e Komitetit Evropian të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL), që në vitin 2019, në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave. OJF-të dhe fondacione të ndryshme janë identifikuar nga Brukseli si organizma me risk për pastrimin e parave në Shqipëri. Ligji i miratuar sot mundëson transparencën dhe llogaridhënien OJF-ve sidomos sa i takon burimit të financimit, duke evituar mundësitë e abuzimit, sidomos pastrimin e parave të krimit, korrupsionit apo financimin e terrorizimit.

Konkretisht, ligji i ri parashikon krijimin e një regjistri elektronik të OJF-ve, me të gjitha të dhënat e detajuara dhe të përditësuara rreth tyre. Regjistri do të administrohet nga Gjykata e Tiranës. Për çdo OJF do krijohet një dosje, e cila do pasqyrohet në regjistrimin elektronik. Të gjitha OJF-të dhe fondacionet aktuale duhet të t’i nënshtrohen këtij ligji dhe të regjistrohen në regjistrin elektronik, ndryshe do të çregjistrohen dhe do të humbin statusin brenda 12 muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit të ri.

Kur regjistrohet për herë të parë, një OJF apo fondacion, duhet të japë këto të dhëna si: Emrin, formën e organizimit, datën e themelimit, të dhënat e identifikimit të themeluesve duke dhënë në çdo rast emrin, mbiemrin, vendlindjen, datëlindjen, adresën e vendbanimit, numrin e identitetit, si dhe të dhënat elektronike të kontaktit të tyre, të dhënat e anëtarëve të organeve drejtuese si dhe të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e organizatës

Në regjistrimin fillestar, në rastin e fondacionit, duhet të deklarohen gjithashtu përbërja dhe vlera pasurore e fondit themelues, selinë dhe fushën e veprimtarisë. Ndërkaq, të gjitha OJF-të, pas regjistrimit fillestar, janë të detyruara që të depozitojnë pasqyrat financiare vjetore, sipas ligjeve në fuqi. Fondi themeltar dhe pasqyrat financiare në vijim janë elementet më të rëndësishme të ligjit të ri. Gjithashtu, në vijim OJF-të duhet të deklarojnë çdo ndryshim, çdo akt për mbylljen, shpërndarjen, ndarjen, bashkimin, transformimin, riorganizimin etj., përfshirë degët e organizatave të huaja që veprojnë në Shqipëri.

Organizatat jofitimprurëse kanë të drejtë që, me kërkesën e tyre, të regjistrojnë në regjistrin elektronik edhe të dhëna të tjera, si emërtimin ose shenjat e tjera dalluese të veprimtarisë, faqen e internetit, e-mail, telefon, vendimet e organeve drejtuese të organizatës si dhe të dhëna të tjera të lidhura me veprimtarinë e organizatës jofitimprurëse.

Ndërkaq, kërkesa për regjistrim bëhet në Gjykatën e Tiranës me shkresë ose në formë elektronike. Kërkesa duhet të paraqitet nga të gjithë themeluesit ose nga çdo person i autorizuar prej tyre brenda 30 ditëve nga themelimi. Vendimi për regjistrimin fillestar apopër çregjistrimin e OJF-së merret nga një gjyqtar i seksionit tregtar të Gjykatës së Tiranës, ndërsa vendimet e tjera merren nga kancelari.

Me regjistrimin në regjistrin elektronik, organizatave jofitimprurëse u jepet nurmi unik i identifikimit njolloi si kompanive fitimprurëse. Një OJF nuk do të regjistrohet nëse nuk paraqet të dhënat e detajuara si dhe nëse një përfaqësues i saj është në listën e personave që shpallur si të lidhur apo financues të terrorizimit. Ndërkaq, çregjistrimi i një OJF-je bëhet në mënyrë vullnetare apo me vendim gjykate kur krijohej kushtet e parashikuara në ligj.

Miratimi i ligjit nga Kuvendi