Mësohet se Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë që dyshohet të jenë përfshirë në ngjarjen e rëndë. Dyshohet se dy personat në fjalë shoqëronin vëllezërit Ferracaku. Në total janë rreth 20 persona të shoqëruar, si shtetas që mund të kenë dijeni të mëtejshme rreth konfliktit që çoi në përplasjen me armë mes vëllezërve Ferracaku dhe Gocaj.
Po ashtu mësohet se në këtë ngjarje mund të jenë përdorur deri në 6 armë. Burime për “Panorama” konfirmojnë se vëllezërit Ferracaku kanë pasur secili nga një pistoletë.
Sipas dyshimeve edhe dy personat në kërkim kanë qenë të armatosur. Po ashtu edhe vëllezërit Gocaj kanë pasur njëri pistoletë dhe tjetri automatik kallashnikov.
Policia ka sekuestruar vetëm një pistoletë deri më tani dhe disa prej gëzhojave që janë nga disa armë të ndryshme. Kujtojmë që të vrarë mbetën Kujtim Ferracaku dhe u plagos nipi i tij Elmilind Dyli 17 vjeç, ndërsa u plagos edhe Hasan Ferracaku, vëllai i viktimës Kujtim Ferracaku.
Të vrarë mbetën edhe vëllezërit Edmond Gocaj dhe Xhovan Gocaj si dhe shtetasi Myzerin Zeneli, 20 vjeç, i cili një ditë më parë kishte nisur punën si kamarier në plazhin e Velipojës.