MENU
klinika

Mesazhi i tij për ngërçin kritik me Maqedoninë e Veriut

Nga Budapesti në Sofje, Rama pritet nga presidenti bullgar

09.06.2021 - 08:49

Pas vizitës së djeshme në Hungari, kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bullgari, ku po zhvillon takime me krerët më të rëndësishëm të shtetit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Rama publikon foto me presidentin bullgar Rumen Radev.

Në mesazhin e tij lidhur me takimin, Rama e vë theksin jo vetëm te marrëdhëniet mes dy vendeve por edhe te nevoja për dialog me qëllim zgjidhjen e ngërçit kritik mes Bullgarisë e Maqedonisë së Veriut.

“Sofje – Mëngjes pune me Presidentin Rumen Radev mbi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe nevojën për dialog mes palëve për zgjidhjen e ngërçit kritik mes Bullgarisë e Maqedonisë së Veriut (çka momentalisht pengon edhe thirrjen e Konferencës Ndërqeveritare BE-Shqipëri)”, shkruan Rama në “Facebook”.

Vetoja e Bullgarisë

Procesi i integrimit për këtë të fundit ka mbetur në vendnumëro, për shkak të vetos së vendosur nga Bullgaria, pas një mosmarrëveshje lidhur me gjuhën dhe historinë. Bullgaria, e cila kërkon që Shkupi të pranojë se si identiteti ashtu edhe gjuha e saj janë bullgare, muajin e kaluar tha se nuk kishte në plan të heqë veton në bisedimet e pranimit.

Shkupi këmbëngul se maqedonishtja është një gjuhë e veçantë sllavo-jugore që formon pjesë të kulturës dhe identitetit kombëtar të vendit, ndërsa Sofja thotë se maqedonishtja është një dialekt rajonal i bullgarishtes. Mbetet për tu parë nëse Shqipëria do të ndahet nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN