MENU
klinika

Punohet edhe të dielën për...

Ngjarja e Velipojës vë në lëvizje administratën

28.06.2021 - 07:42

Ngjarja tragjike e Velipojës duket se ka vënë në lëvizje administratën edhe ditën e dielë, pasi shumë biznese nuk kanë marrë akoma lejet e shfrytëzimit të plazheve, edhe pse mund të kenë aplikuar para disa muajsh.

Sipas ekspertes së turizmit Flora Xhemani Baba, shumë biznese kanë paguar tarifën prej 4 milionë lekësh, por ende nuk kanë miratimin që i bënë “pronarë” të oplazhit dhe u duhet çdo ditë të durojnë kontrollet.

Ndaj duke parë ngjarjen që ndodhi në Velipojë, ministri Klosi nuk humbi kohë dhe nxori administratën në punë edhe të dielën, duke shpërndarë shumë leje shfrytëzimi për plazhet, ndoshta edhe duke shmangur ndonjë konflikt të ngjashëm në ndonjë vend tjetër.

“A e dini se në Velipojë dhe në shumë pjesë të tjera të bregdetit ende nuk kanë dalë lejet e shfrytëzimit të plazheve? Po po, të plazheve! Të atyre plazheve që janë hapur për publikun qysh në 25 prill por që aplikimi i lejeve për shfrytëzim u filloi në maj dhe qershor. A e dini se në shumicën dërrmuese të rasteve bizneset kanë paguar taksën (një shumë mesatare mbi 4 milion lekë të vjetra), durojnë çdo ditë kontrollet por nuk kanë atë copën e letrës që i bën “pronarë” të atij plazhi sepse ende nuk është marrë përgjigjja nga e-Albania? Madje në disa raste kanë paguar paratë dhe plazhin e ka marrë dikush tjetër? A e dini se vetëm dje dhe sot (e shtunë dhe e diel), që zyrtarisht për administratën janë ditë pushimi,  janë lëshuar me dhjetëra leje ose janë dhënë përgjigje miratimi / refuzimi për plazhet, ndërkohë që bizneset i kanë bërë kërkesat që në prill dhe maj? A e dini sa prej bizneseve i kanë çuar mesazhe ministrit të turizmit personalisht për vonesat e këtyre lejeve dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje?

Nuk ka asnjë shpjegim për këtë situatë absurde, që ashtu si zgjedhjet, lihet të shkojë deri në mes të verës kur normalisht lejet duhet të jepen qysh në pranverë për t`u dhënë kohë bizneseve të përgatisin vendin dhe shërbimet kur dihet që shumë prej tyre i hapin hotelet qysh në maj, nisur nga kërkesat e larta. Nuk ka asnjë shpjegim nëse nuk është e qëllimshme, si e gjithë katrahura tjetër me pronat në bregdet. Nuk ka asnjë vullnet për ta zgjidhur këtë problem me një veprim të thjeshtë; të hiqet pronësia mbi plazhet! Mbi rërën dhe gurët e bregut. Të vendosen pika për dhënien e çadrave me një çmim standart, siç veprohet me shumë pagesa të tjera fikse dhe shërbimi të jetë publik, qoftë edhe me PPP!

Por jo. Luhet para e madhe, e çmendur, nuk mund të lihet një hapësirë e tillë pa u shfrytëzuar”, shkruan flora Xehmani Baba.