MENU
klinika

Homazhe për 22-vjetorin e çlirimit të Kosovës

Osmani: NATO pranë nesh në momentet më të errëta

12.06.2021 - 11:33

Kryeministri Albin Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kreun e parlamentit Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s, me rastin e 22-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Presidentja Osmani për mikrofonat e mediave vendase, është shprehur se NATO ka qëndruar pranë Kosovës në momente të errëta të historisë.

“Jemi këtu për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të secilit ushtar të NATO-s, të cilët i qëndruan përkrahë Kosovës në momentet më të errëta të historisë së saj. Jemi po ashtu këtu për të nderuar vazhdimin e këtij kontributi i cili nuk është ndalur në vitin 1999, atëherë kur edhe forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke u shndërruar kështu në shpëtimtarët e popullit të Kosovës, por kontribut i cili ka vazhduar edhe më tej dhe vazhdon edhe sot për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe gjithë rajonin”, tha ajo.

Lidhur me këtë ditë të rëndësishme, ka folur edhe Kurti i cili ka kujtuar 11 qershorin i cili ka qenë zjarr ne qiell dhe zjarr në tokë, ndërsa më 12 qershor këmbësoria e NATO-s i bashkohet ndërhyrjes nga ajri kundër Jugosllavisë së Millosheviçit për ta ndaluar gjenocidin mbi popullin shqiptar.

Ai tha se më 12 qershor kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirinë.

“Në qershorin e vitit 1999 kishim zjarr në qiell dhe zjarr në tokë por më 12 qershor këmbësoria e NATO-s i bashkohet ndërhyrjes nga ajri kundër Jugosllavisë së Millosheviçit për ta ndaluar gjenocidin mbi popullin shqiptar. Siç e tha edhe presidentja e Republikës, më 12 qershor ne kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirinë dhe këtë ia përkujtojmë vetës çdo ditë, sepse të gjithë ato gra e burra që u sakrifikuan, dhanë jetën ndodhen në themelet e institucioneve tona, të shtetit tonë, të pavarësisë sonë, të cilin duhet ta shpijmë më tej më zhvillim, drejtësi dhe demokraci”, tha Kurti.

Edhe kryeparlamentari Konjufca tha se liria e Kosovës ka ardhur fal kontributit të UÇK-së, dëshmorëve që dhanë jetën për liri.

“Liria jonë ka ardhur si kontribut i UÇK-së, i dëshmorëve tanë që e dhanë jetën për liri, por edhe i bashkimit, kontributit të përpjekjes sonë çlirimtare me faktorët ndërkombëtare që e ndihmuan luftën tonë dhe ne u çliruam nga okupimi i Serbisë. Vetë fakti se aleanca më e madhe ushtarake i doli në ndihmë popullit të Kosovës, e bombardoi Serbinë për shkak të gjenocidit që ajo shtroi mbi popullin e Kosovës kjo flet se kauza jonë ishte shumë e drejtë, liria jonë ishte shumë e shtrenjtë”, tha Konjufca.