Ka nisur në Gjykatën në Kushtetuese seanca për ligjin e Teatrit Kombëtar. Padia në Kushtetuese u bë nga Presidenti i Republikës Ilir Meta në vitin 2019, i cili kundërshton ligjin special për ndërtimin e teatrit të ri, si dhe kalimin e truallit në pronësi të Bashkisë Tiranë.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkaNWeb” se Bledar Dervishaj, Këshilltar i Presidentit deklaroi se është e domosdoshme që Gjykata Kushtetuese të marrë provat shtesë, rreth 19 të tilla, duke theksuar se pa u marrë këto prova nuk bëhet hetim gjyqësor thelbësor.
1. Kopje të shitblerjes së pronës truall nga Francesko Jakomoni dhe trashëgimtareve të familjes Libohova ku u ndërtua teatri kombëtar
2. Kopje të lejes së ndërtimit nga Mbreti Zog për ndërtimin e teatrit
3. Kopje e projektit të arkitektit për ndërtimin e teatrit
4. Akte që vërtetojnë ndryshimin e qëllimit të përdorimit të Godinës
5. Kopjen e praktikës së shpalljes së Ansamblit të Teatrit monument kulture
6. Hartat e përdorura për shpalljen e kësaj zone të trashëgimisë historike
7. Kopje të diskutimeve shkencore të Monumenteve të Kulturës 2004-2007 që ka vlerësuar monumentet historike në qendrën e Tiranës
8. Listën e plotë të ndërtesave të përfshira në qendrën historike
9. Kopje të praktikës institucionale ku pasqyrohet identifikimi i nevojës për miratimin e ligjit special për Teatrin
10. Konsultimet para dhe pas hartimit të këtij ligji të posaçëm
11. Mendimet e të gjitha institucioneve të përfshira gjatë konsultimit
12. Diskutimet në këshillin e ministrave për këtë çështje
13. Kopje të akteve se si Bashkia Tiranë ka ndërprerë negociatat për godinën
14. Procesverbalet e komisionit të posaçëm nëse ai ka zhvilluar negociata me kompani të interesuara për të ndërtuar teatrin e ri dhe kostot financiare të secilës ofertë
15. Kostot e gjetjes dhe përballimit të konsulencës
16. Si u arrit në përfundimin që Shteti arriti në përfundimin për ta ndërtuar vetë, me para publike, dhe jo me koncesion
17. Si u kalua trualli nga Ministria e Kulturës në pronësi të Bashkisë Tiranë? Duam praktikën e kësaj procedure
18. Kopje të akteve të nxjerra para gjatë dhe pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar
19. Veprimet e Kryetarit të Bashkisë Tiranë pas kërkesës së KLSH-së për të pezulluar veprimet me teatrin deri në shprehjen e gjykatës.
Në Padinë e Presidentit thuhet se ligji është antikushtetues pasi paracakton garën. Përfaqësuesi i Presidentit ka paraqitur listën e dëshmitarëve dhe konkretisht kërkon thirrjen si dëshmitarë të dy senatorëve italianë që e kanë ngritur çështjen në parlamentin italian, përfaqësues të Europa Nostra etj.