MENU
klinika

Çfarë pritet më 22 qershor

Parlamenti holandez bindet, kërkon nisjen e bisedimeve të anëtarësimit Shqipëri-BE!

18.06.2021 - 09:00

Pas Komisionit të Jashtëm, edhe Parlamenti holandez ka votuar pro mbajtjes së mbledhjes së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Sinjali i parë për ndryshimin e vendimmarrjes së Holandës erdhi ditën e mërkurë, kur Komisioni i Jashtëm atje u shpreh se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për të mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Të enjten Parlamenti votoi për mocionet e mundshme të ngritura nga palët politike ose grupet parlamentare. Sipas asaj që njoftonte Ambasada holandeze, qeveria është kënaqur që është krijuar një kuadër negociues i qartë dhe i qëndrueshëm për negociatat mes BE-së dhe Shqipërisë. Në muajin mars të 2020-ës Këshilli Europian vendosi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare, por pas plotësimit të disa kushteve në fushat e sundimit të ligjit apo dhe shtetit të së drejtës. Edhe pse Holanda e ka kundërshtuar për një kohë hapjen e bisedimeve me Shqipërinë në lidhje me anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian, duket se qëndrimi ka ndryshuar. Sipas Parlamentit holandez, Shqipëria ka bërë përparim të mjaftueshëm për të filluar bisedimet. Partitë në qeveri “Populli për Liri dhe Demokraci” (VVD) dhe “Thirrja Kristian-demokrate” (CDA), të cilat më parë kishin mbajtur një qëndrim negativ, sot kanë dhënë sinjale pozitive për Shqipërinë. Ato thonë se është bërë përparim në fusha të tilla si sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit. Edhe partitë e tjera opozitare kanë mbështetur gjithashtu qëndrimin e qeverisë.

KRITIKAT

Përsos zbutjes së qëndrimit të saj, Holanda ka disa rekomandime ku kërkohet më shumë punë në drejtim të forcimit të institucioneve dhe se politikanët dhe qytetarët duhet të mësohen me pavarësinë e gjyqësorit, të përfundojë vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të plotësohen të gjitha vendet e lira në fushën e drejtësisë. Më 4 qershor qeveria e Holandës binte dakord me analizën e Komisionit Europian se zgjedhjet në 25 prill u zhvilluan normalisht dhe në mënyrë transparente dhe se e rëndësishme është që opozita do të kthehet në Parlament, por përmes një letre drejtuar Parlamentit, ngre një sërë detyrash ku më të rëndësishmet janë hetimet për parregullsitë. “Qeveria (e Holandës) e konsideron të rëndësishme që rastet e mashtrimit zgjedhor të hetohen me kujdes nga SPAK”, thuhej në letrën që i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe çështjes së përdorimit të paligjshëm të të dhënave personale të zgjedhësve nga Partia Socialiste. Në këtë pikë, Holanda kërkon që çështja të zbardhet. “Ekzistenca dhe rrjedhja e bazës së të dhënave me informacione personale të ndjeshme, të cilat shkaktuan shumë bujë pak para zgjedhjeve, do të duhet gjithashtu të hetohet. Raporti përfundimtar i ODIHR-it për këto zgjedhje nuk është publikuar ende. Qeveria e Holandës e konsideron të rëndësishme që çdo rekomandim në këtë raport të zbatohet në kohën e duhur”, citohet nga letra.

Më 22 qershor Këshilli Europian vendos për Shqipërinë me Maqedoninë

Më 22 qershor pritet që të mblidhet Këshilli Europian ku unioni do të vendosë nëse do të ketë apo jo një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas ndryshimit të qëndrimit nga Holanda, e cila dha mbështetjen ndaj Shqipërisë për nisjen e bisedimeve, tani mbetet vetëm Franca si vend skeptik për të dhënë “OK” për mbledhjen e parë ndërqeveritare. Duket se kjo është edhe një nga çështjet kryesore që Kryeministri Rama një javë para mbledhjes së Këshillit Europian ka vizituar Francën ku është takuar me ishPresidentin Sarkozi dhe po ashtu ka dhënë edhe një intervistë për median atje. Duket se këtë herë ka një shpresë më të ndezur që BE të japë dakordësinë e saj për nisjen e negociatave. Ajo që diskutohet është çështja nëse do ketë ndarje të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi për këtë të fundit qeveria bullgare është bërë pengesë për shkak të pretendimeve me përdorimin e gjuhës. Nëse do të tejkalohej edhe pengesa e Bullgarisë, gjasat janë shumë të larta që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të nisin negociatat. Ndërsa skenari i fundit është që bisedimet të nisin vetëm me Shqipërinë derisa MV të zgjidhë problemet me fqinjët.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mbështet zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare

Holanda ndryshon qëndrim për integrimin e Shqipërisë në BE