MENU
klinika

Sot, provimi i fundit me zgjedhje

Pas tërheqjes së ministrisë, maturantët ende të paqartë. Çfarë do të ndodhë

15.06.2021 - 09:51

Pas paralajmërimeve për bojkotimin e provimit të fundit që pritet të mbahet sot, Ministria e Arsimit ka vendosur të bëjë një hap prapa, duke ulur pragun e pikëve të vlerësimit në testin e Matematikës.

Ndonëse ishte kërkesë e tyre, maturantët shprehen ende të pakënaqur. Disa për shkak të paqartësisë mbi mënyrën se si do të bëhet ulja e pragut të pikëve. Ndërsa maturantë të tjerë ekselentë në këtë lëndë nuk e gjykojnë të drejtë këtë vendim pasi i disavantazhohen në garën për në universitet.

SI DO TË ULEN PIKËT

Nuk ka një skemë koncize për mënyrën se si do të bëhet ulja e pikëve për të gjithë maturantët. Burime të gazetës në Ministrinë e Arsimit bëjnë me dije se rishikimi i pikëve do të bëhet në bazë të vështirësisë që kanë pasur pyetjet. Nëse një përqindje e caktuar maturantësh nuk i është përgjigjur një pyetjeje, ekspertët do të vënë në diskutim heqjen e saj nga skema e vlerësimit. Rrjedhimisht edhe pikët që mbartte. Pra, nëse për të marrë notën 10 nevojiteshin 60 pikë, kufiri maksimal ulet në 55 (nëse pyetja ka 5 pikë). Ky prag ulet proporcionalisht për të gjitha notat më poshtë dhjetës. Pyetjet me shkallë të lartë vështirësie në këtë rast nuk do të thonë asgjë, pasi bëhen me qëllim për të bërë diferencime edhe midis më të mirëve në Matematikë. Në rastin konkret, këto diferencime sheshohen. E pikërisht kjo ka mërzitur ekselentët e Matematikës. “Kam qenë shumë mirë në matematikë. Tani, një tjetër me njohuri më të mira se unë në Letërsi i jepet avantazh. Si përfundim, ma kalon në renditjen e pikëve për aplikime në universitet. E padrejtë!”, shprehet një maturant.

DEKLARATA

“Kemi analizuar në detaje dhe vlerësuar më vëmendje çdo pyetje në test, përputhshmërinë me programin, saktësinë shkencore dhe nivelin e vështirësisë. Prandaj, nisur nga shqetësimet e maturantëve, mësuesve, prindërve dhe pa dyshim duke konsideruar situatën jonormale të një viti të vështirë të pandemisë, ne kemi vendosur të plotësojmë kërkesën e maturantëve për të ulur kufirin minimal të pikëve për çdo notë”, deklaroi ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ditën e djeshme, pak orë përpara se të mbahej protesta e tretë e të rinjve. Çdo vit ka pasur kontestime, por sporadike. Çdo i pakënaqur ka marrë një kopje të testit. Në dy vitet e fundit, të rinjtë e irrituar në masë janë ngritur në protesta. Vjet për “Turin” e Letërsisë, e tanimë me Matematikën. Nisur nga kjo, Ministria e Arsimit ka vendosur që të reformojë gjithë procesin me maturat që do të pasojnë. “Pas përfundimit të procesit të maturës shtetërore 2021, Ministria e Arsimit do të bëjë një analizë të thellë me qëllim identifikimin e të gjitha problematikave të mundshme dhe rishikimin e plotë të gjithë proceseve të maturës, akteve rregullatorë për këtë proces dhe administrimin e tij”, deklaroi Kushi duke përfunduar fjalën e saj me një urim për provimin e sotëm.

PROTESTA

Deklarata e ministres së Arsimit veçse ka shtuar dozat e paqartësisë dhe skepticizmit në radhët e maturantëve. Pavarësisht se Ministria plotësoi kërkesën e tyre, bata dolën në protestën e lajmëruar në 17:00 ditën e djeshme për t’i bërë të ditur se nuk kanë ndërmend të ndalen me kaq. “Përpjekja jonë nuk do të ndalet me kaq. Ne jemi këtu për t’i kërkuar Ministrisë së Arsimit kërkesat për të cilat duket se ka bërë njërin sy qorr, e njërin vesh shurdh. Ne kërkojmë në mënyrë të menjëhershme që të na tregohet se si është ulur pragu i pikëve. Ne nuk kemi nevojë vetëm për fjalë, por për paraqitje reale të pikëzimit të provimit”, deklaroi një i ri në protestë duke i qëndruar idesë së vijimit të protestave. Por, duhet thënë se vendimi i Ministrisë për të bërë lëshime në pikë ka bërë që jo pak të rinj të “zbuten” duke mos dalë më në protesta.

Matura 2021 vjen pas dy viteve të vështira. Pas tërmetit të 2019-ës që pezulloi mësimin për disa javë, vendin e përfshiu pandemia e COVID19, e cila gjithashtu për javë të tëra bëri që mësimi të zhvillohej online për dhjetë bashki me risk të lartë.