MENU
klinika

Dëshmitë e revoltë së Spaçit...

“Premë duart, për ta bërë çarçafin si flamur… por nuk kishim yll”

04.06.2021 - 12:17

        Pjesa e dhjetë
Publikohen dëshmitë e panjohura të Bedri Çokut me origjinë nga fshati Muçias i rrethit të Lushnjes, i cili që në moshën 19 vjeçare teksa kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Gjirokastrës, u arrestua nga dy oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe pas një gjyqi publik “demaskues” me akuza të montuara në kinemanë e atij qyteti, u dënua për agjitacion e propagandë së bashku me vëllanë e tij, Çaushin, për të vetmin “faj” se babai i tyre, kishte vuajtur disa vjet si i burgosur politik në kampet e punës së detyruar nga ku ishte liruar në vitin 1959. Dëshmitë e rralla të Bedri Çokut që bëri 24 vjet në burgjet e Spaçit, Burrelit e Qafë Barit dhe së bashku me dy vëllezërit, Esatin dhe Çaushin si dhe babanë e tyre, Azemin, vuajtën plot 64 vjet burg në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u liruar vetëm në shkurtin e vitit 1991. Kujtimet e Bedri Çokut të përshkruara me mjeshtëri në librin e tij “Kryengritja që tronditi diktaturën”, e cila i kushtohet kryesisht Revoltës së Spaçit në majin e vitit 1973, ku ai si një nga organizatorët kryesorë të saj, hedh dritë për herë të parë duke bërë publike disa ngjarje dhe fakte të panjohura nga ajo revoltë ku u ngrit flamuri pa yllin e kuq të komunizmit, e deri tek puna e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Kampeve dhe Burgjeve pas viteve ’90-të, ku ai “arrestoi” shokun e tij të ngushtë, bashkëvuajtësin e kampeve dhe burgjeve të diktaturës dhe e dërgoi në qelitë e ‘Burgut 313’ të Tiranës, ku vuanin dënimin pjesa më e madhe e ish-Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së me në krye Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën.

Kryengritja që tronditi diktaturën
(Bazuar mbi një histori të vërtetë)

“Për të ngritur flamurin, pa yllin komunist, unë shpreha mendimin se, në pamundësi për të gjetur një çarçaf të kuq, të çanim duart dhe, me gjakun tonë, të lyenim copën e bardhë…! I pari që çau dorën me thikë, ishte vëllai im, Çaushi, i dyti Gëzim Medolli, Bedri Çoku, Gjet Kadeli, Ulsi Pashollari, e të tjerë…”

Shpresonim shumë të Sigurimi dhe Bashkëpunimi Europian i cili po realizohej me një shpejtësi marramëndëse nën kujdesin e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me të drejtë i gjithë njerzimi po priste me padurim çastin e madhe historik. Firmosjen për Mirkuptimin e Popujve të Europës, shteteve demokratike perëndimore dhe atyre komuniste të Lindjes, të cilat vuanin ende nga regjimet diktatoriale, për të vendosur së bashku një rend të ri paqeje dhe bashkëpunimi në botë. Shpresonim se edhe Shqipëria me këtë rast. Do të firmoste në Helsinki këtë Akt për fatet e njerzimit, si përfaqësuese e kësaj Organizate Politike Ndërkombëtare. Kishim bindjen se vendi ynë edhe pse i pakrahësueshëm me vendet e Lindjes, me hir, a me pahir, do t’i bashkohej Traktatit të Paqes dhe Bashkëpunimit me Europën (OSBE).

Autori

Vijon nga numri i kaluar…
Gjyqi ndaj pjesmarrësve të revoltës, në qytetin e Rrëshenit

Pritej të vinin dhe grupe të tjerë të revoltës së Spaçit, që po hetoheshin në Tiranë, për t’u dënuar…! Mësuam se ne, të njëzetët, quheshim “Grupi i Flamurit”, nga i cili mendohej se mund të dënoheshin, me vdekje – pushkatim, një ose dy, kryesorët e ngritjes së flamurit, pa yllin mbi shqiponjën dykrerëshe. Ky lajm i fundit e trishtoi shumë të burgosurin Zef Ashta, dënuar nga pushteti komunist, gati tridhjetë vjet më parë, si “Armik i Popullit”, që kishte luftuar me armë në dorë trimërisht, përkrah nacionalistëve të Ballit Kombëtar, kundra pushtuesve dhe frontit komunist, serbo-shqiptar, sidomos, pasi mësoi që unë isha i pari në listën e këtij grupi prej njëzetë vetësh, i akuzuar si autori kryesor i ideimit, përgatitjes dhe ngritjes së flamurit kombëtar, pa yllin komunist…!

Dita qëlloi e bukur e me diell, kur, të lidhur përdore, dy e nga dy, nën vëmendjen e rreptë të një tabori policësh dhe civilësh të Sigurimit të fshehtë, na detyruan të ngjisnim shkallët e Gjykatës Popullore të Rrëshenit, për në sallën ku do të gjykoheshim me dyer të mbyllura. Padyshim që unë isha i lidhur përdore me një nga burrat që nacionalizmi shqiptar e ka pasur ushtar shembëllor, deri sa dha shpirt, një vit më vonë, në burgun e Spaçit, nga dita e kësaj ngjarjeje që po tregohet… Shpirti i Zef Ashtës pushoftë në paqe dhe Zoti e mëshiroftë! Amin!

Salla e gjyqit, në Gjykatën Popullore të Rrëshenit, dukej e ngushtë, ngaqë përveç nesh, të njëzetë të pandehur, që do gjykoheshim, gati e “pushtuam” gjysmën e saj, duke llogaritur edhe dy policë ulur, përkrah çdo të pandehuri, lidhur përdore me të pandehurin tjetër. Në hyrje dhe përreth hapësirës së sallës, qëndronin qiri në këmbë, civilë dhe ushtarakë, të angazhuar për sigurinë e mbarvajtjes së proçesit të gjykimit të armiqëve të popullit. Nën sundimin e një heshtjeje varri, të gjithë në sallë ishin të ndërgjegjësuar se, prej këtyre kokëqethurve të ligështuar, me fytyra të zbehta nga torturat e egërsisë shtetërore, sepse kishin shkaktuar ngjarjen e ndodhur për herë të parë në diktaturën shqiptare, pa asnjë dyshim që kërkonte kurbanët e vet…!

Data 19.06.1973

Trupi gjykues përbëhej nga kryetari i seancës gjyqësore, Filip Lako; ndihmës gjyqëtar, Gjin Pali; ndihmës gjyqëtar, Pjetër Nikolli; të asistuar prej sekretarit, Ndue Prendi dhe me pjesëmarrjen e Prokurorit, Zef Deda. Kryetari i seancës gjyqësore lexoi emrat e të pandehurve, sipas listës së përpiluar nga hetimet e zhvilluara në Hetuesinë e Përgjithshme, Tiranë. Kush dëgjonte emrin, ngrihej në këmbë, gatitu. Ulej me urdhër të kryetarit, pasi mbaronin formalitet e fillimit të seancës.

Lista ishte:

1) Bedri Çoku 11) Jonuz Norja

2) Mersin Vlashi 12) Tomorr Allajbeu

3) Murat Mata 13) Pal Marku

4) Neim Pashaj 14) Haxhi Bena

5) Feti Kumanaku 15) Qemal Demiraj

6) Ndrec Çoku 16) Shuaip Ibrahimi

7) Hasan Ibro 17) Muho Curri

8) Elez Hoxha 18) Mërkur Babameto

9) Naim Uka 19) Gramoz Spahiu

10)Zef Ashta 20) Dervish Sulo

Prokurori Zef Deda paraqiti aktakuzën e krimeve të kryera, të parashikuara nga Neni 76, në kombinim me Nenin 72 dhe 73/II – të Kodit Penal “Të akuzuarit e mësipërm, vazhdoi ai, duke qenë armiq të popullit dhe të Republikës Popullore të Shqipërisë, kanë organizuar e marrë pjesë në një revoltë të hapur armiqësore në repartin e riedukimit, Spaç, e cila synonte në minimin e pushtetit popullor. Të gjithë të pandehurit, nëpërmjet veprimtarisë së tyre të organizuar kriminale, mundën të tërheqin edhe të dënuar të tjerë në këtë veprimtari armiqësore, duke penguar veprimtarinë normale të pushtetit në atë repart-burg. Gjithashtu, të gjithë këta të pandehur, për të realizuar objektivat e tyre armiqësore, kanë zhvilluar në mënyrë të hapur agjitacion e propagandë kundër pushtetit, me gojë e me shkrim…duke qenë të gatshëm për tu kundërvënë rregullave të komandës së burgut dhe të shpërthenin në një rebelim armiqësor.

Fajsia për secilin të pandehur konsiston:

I pandehuri Bedri Çoku ka marrë pjesë në revoltën e Spaçit dhe gjatë ditëve të rebelimit ka qenë një ndër njerëzit më aktiv në hedhjen e parullave armiqësore kundër pushtetit, duke u shprehur: “Ja vdekje, ja liri”, “Poshtë komunizmi”, ”Poshtë qeveria komuniste e Tiranës”, “Rroftë Bashkimi Europian” etj. Ka marrë pjesë në ngritjen e Flamurit, duke qenë nga njerëzit më kryesorë në ideimin, përgatitjen dhe ngritjen e tij…! U është kundërvënë me force urdhërave të komandës së burgut, për të mos u stabilizuar gjendja në kampin – burg. Ka miratuar kërkesat e bëra në drejtim të qeverisë, në mbledhjen e organizuar në dt. 22/05/ 1973. Ka refuzuar të dalë në punë, duke frymëzuar edhe të tjerët me parullat: “Nuk punojmë në galeri”, “Ju na shfrytëzoni si skllevër”, etj., etj.

Kryetari i Seancës: – I pandehur, akuzoheni për organizimin e revoltës, në kampin – burg të Spaçit, çfarë do të thoni për këtë akuzë? Përgjigju!

Unë: S’kam pse ta kundërshtoj, kam qenë pjesmarrës dhe kam kundërshtuar çdo urdhër të komandës, lidhur me trajtimin çnjerëzor që na është bërë ne, të burgosurve politikë. Arsye ka plot, por unë i referohem një fakti të pakundërshtueshëm: Detyrimi me forcë që na bëhet të punojmë si skllevër në minierë, madje në një minierë primitive, ku mënyra e punës është ajo e disa shekujve më parë. Punojmë me tre turrne, për të nxjerrë nga nëntoka bakër të pasuruar me flori dhe pirit për uzinën e Laçit, e cila përpunon piritin për helmet sulfurore. Mendoni, zoti kryetar, kjo uzinë e prodhimit të helmeve furnizohet kryesisht nga prodhimi i piritit që nxjerrin të burgosurit politikë nga miniera e Spaçit, pikërisht nga ne që ndodhemi sot të prangosur para jush dhe qindra të tjerë të rebeluar po për këtë shkak. Jemi dënuar si kundërshtar të regjimit, por jo për të punuar me detyrim nga policia e burgut, sikur të ishim skllevërit e tyre.

A e keni idenë, zoti kryetar, se me çfarë ushqehemi ne, që punojmë me përdhunë në nëntokë? Me lëtyra të gatuara me margarine, si graso, pimë ujë me acid sulfurik që vjen nga rrjedhjet malore nëpërmjet hyrjeve dhe daljeve të minierës së bakrit dhe piritit. Nëse nuk plotësojmë planin, njerëzit e komandës na kërkojnë xhanin. Vërtet jemi të dënuar si kundërshtarët tuaj, por mos harroni që, edhe ne kemi njerëz jashtë telave të burgut: Kemi prindër, vëllezër, motra, shumë vetë nga ne janë prindër që i presin fëmijët, nënat e fëmijëve, për t’i parë një ditë përsëri në shtëpi. Jemi dënuar me vite burg, por jo me vdekje në minierë. Në galeritë e Spaçit po treten eshtrat e dhjetra djemve të nënave dhe baballarëve, apo burrave, që i presin fëmijët e tyre, me shpresë se, pasi të plotësojnë dënimin e dhënë, të rikthehen në shtëpi. Por marrin veç lajmin e vdekjes së tyre…! Madje, as kufomat nuk u gjenden në galeri, por edhe në se po, me ligj nuk u kthehen prindërve apo të afërmve të tyre…!

Ata mbeten pa varr dhe pa asnjë lule, nga dora e fëmijëve dhe të afërmve, po ta kishin atë…! Pse? Faj i vetëm është se pse nuk janë dakord me diktaturën e instaluar në Shqipëri, me të ashtuquajturën diktaturën e proletariatit. Ka mbi dhjetë vjetë që qeveria shqiptare nuk bënë asnjë falje për të burgosurit politikë dhe lironë çdo vit vetëm të dënuarit ordinerë…! Të gjithë njerëzit e Globit po presin me padurim firmosjen e aktit historik “Të Sigurimit dhe Bashkëpunimit Europian”, nga të gjithë shtetet e këtij kontinenti e më tej. Klika drejtuese e Shqipërisë ka shprehur, e vetmja në Europë, për të mos qenë anëtare e këtij organizmi paneuropian…! Në këto rrethana nuk na ka mbetur asgjë tjetër, pasi edhe shpresën e fundit e humbëm, veç të flijohemi ose të fitojmë lirinë për të qenë së bashku me të gjithë popujt e Europës Demokratike…!

Prokurori më ndërpreu egërsisht, duke më kërcënuar, se isha armik i betuar i pushtetit popullor dhe, pavarsisht nga mosha e re që kisha, do të kërkonte vetëm dënimin me vdekje-pushkatim për mua për t’u bashkuar me katër të pushkatuarit e parë në gjyqin e Spaçit…!

Prokurori – Do të bashkohesh me Çupilin, ti, e të tjerë, si ty…! Gjysma e lekut ju pret! (Çupili ishte Skënder Daja, i pushkatuar. Por, ngaqë ishte i shkurtër, bashkëvuajtësit e thërrisnin “çupil”, krahasuar me një nga përforcueset e trupave në galeri, që nuk i kalonte pesëdhjetë centimetrat).

Unë – Do ta kem për nder të vdes si ata…!

Kryetari i Seancës: I pandehur, në hetuesi keni pranuar se jeni ju që keni ideuar, përgatitur dhe ngritur flamurin pa yll, gjatë revoltës. Eshtë e vërtetë?

Unë – Po. Dhe jam krenar për këtë.

Kryetari i seancës: Për çfarë arsye e ngritët?

Unë: Vetëm ndjenja patriotike!

Kryetari i Seancës: Pse nuk ngrite një këpucë, apo një send tjetër?

Unë: Këpuca nuk simbolizuan asgjë. Flamuri, po.

Kryetari i seancës – Çfarë simbolizon flamuri pa yll, për ty?

Unë: Gjakun e dëshmorëve të kombit, në të gjitha kohërat.

Kryetari i seancës: Pse pa yll?

Unë: Ylli është ideali internacionalizmit komunist, jo i atdhetarëve shqiptarë.

Kryetari i seancës: Po pse s’e ke ngritur më parë, pa yll, por pikërisht në revoltë?

Unë: Atëherë m’u dha mundësia.

Kryetari i seancës: D.m.th. do ta ngresh përsëri po t’u dha mundësia, flamurin pa yll?

Unë: Gjithmonë.

Kryetari i seancës: Ulu!

Ai pyeti nëse kishte dëshmitarë kundra meje apo jo? Dhe urdhëroi hyrjen e tyre një nga një. I pari hyri një i burgosur në kampin e Spaçit, mjeku i kampit, Muhamet Kosovrasti dhe tre policë. Mjeku i kampit, i cili ishte dëshmitar okular gjatë tërë zhvillimit të revoltës, u pyet nga Kryetari i seancës se, a më njihte mua, e, nëse po, çfarë mund të thoshte lidhur me veprimtarinë time gjatë revoltës? Ai ktheu kokën nga unë dhe duke më parë, pa pikë turpi, tha: “Ky, zoti Kryetar, bashkë me vëllain e tij, Çaush Çokun, për mua kanë qenë shkëndija e parë e revoltës. Mund t’iu them me bindje të plotë se, revolta filloi dhe mbaroi, duke patur një organizim të habitshëm. Por, se cilët ishin ata që e drejtonin, e kam të vështirë t’i përcaktoj, edhe pse kam pyetur shumë të dënuar, për të mësuar qoftë edhe njërin prej tyre”.

Në ditën e parë të seancës, kjo proçedurë u ndoq edhe me të tjerët, nën presionin dhe kërrcënimet e prokurorit Zef Deda, si dhe kundër dëshmitarëve të rremë, të cilët kishin marrë porosi nga operativi i repartit, Fejzi Liço, që të shpreheshin në sallën e gjyqit, kundër të gjithë të pandehurve, të rekomanduar. Sherri niste me ata dëshmitarë të cilët, ngaqë nuk kishin diçka konkrete për të thënë ndaj të pandehurit, pohonin: “Po, e kam parë në turmë”. Pohim, i cili nuk kundërshtohej as nga trupi gjykues, por merrej i mirëqenë…!

Sipas tyre nuk duhet të ndodheshe në oborr, ku rrinte shumica që protestonte, por birave nëpër kapanone, ose në dhomat e pallatit trekatësh, ndryshe quheshe përkrahës i revoltës…! Kishte dëshmitarë të rremë, nga të burgosurit, që akuzonin se, (me gjasë kishin parë e dëgjuar), teksa rrinin të strukur, nga frika, kur të pandehurit shanin qeverinë, ose hidhnin parulla kundra pushtetit popullor…!

Në ditën e parë të gjykimit, gati një e treta e grupit tonë, përfunduan fazën e ballafaqimit me prokurorin, trupin gjykues dhe dëshmitarët…! Edhe pse seanca me dyer të mbyllura u zhvillua me tension e terror psikologjik, rikthimi nëpër biruca, gjithsesi, pati, pak a shumë, një lehtësim mendor e shpirtëror për të gjithë…! Kaloi prova e parë, më e vështira…! U fashit ankthi i problemeve të panjohura në sallën e gjyqit, ku, zakonisht, këto probleme shfaqen gjatë dënimeve në grup…!

Meqë isha përcaktuar si ‘kapo i grupit’, modestisht, mund të them se, vështirësinë e parë, përballë trupit gjykues, e ndieva dhe e kapërceva, duke u përqëndruar fort, me stoiçizëm ndaj furisë së pyetjeve, kërcënimeve provokuese dhe arrogante të njëfarë prokurori revolucionar, me mendësi kryekëput komuniste, Zef Deda. Por falë leximit të Biblës, në Spaç, në sekret të një besimtari katolik, nga Dukagjini, gjeta forcë shpirtërore nga fjala e Krishtit, kur I porosiste dishepujt e vet se: “Sa herë të ndjeheni në vështirësi për të mbrojtur të drejtën, mos harroni, nëpërmjet gojës tuaj, do të flasë unë”.

Mendoj se, ç’thashë e paraqita para trupit gjykues, sjellja dhe fjalët e mia, kam bindje se më erdhën nga një frymëzim hyjnor, për të rrjeshtuar fakte dhe argumente në mbrojte të së vërtetës, paçka se përballë dhe përreth nesh qëndronin njerëz mediokër, të një shteti diktatorial, që nuk zbatonin ligjet e së drejtës kushtetuese, por i bindeshin urdhërave të një klike sunduese të ardhur në pushtet me përdhunë…! Sapo policët mbyllën me shul birucën tonë, “Prifti”, më hodhi krahët në qafë dhe më përgëzoi për qëndrimin e mbajtur gjatë seancës.

– Të lumtë, më tha, – për gjakftohtësinë dhe të vërtetat që the! Kushdo nga ne do ta kishte të vështirë, sidomos, kur zhvillohen gjyqe të tillë, në grup. I pari e ka gjithmonë vështirësinë. Qëndrimi i tij, do të reflektohet edhe te të tjerët, përballë një trupi gjykues formal, ku dënimet politike, zakonisht, paravendosen nga pushtetarët e lartë…! Në të vërtetë unë sot të njoha cili je…Të njihja si Bedri, si dy vëllezër, që jeni model i të rinjve antikomunistë, nga një familje atdhetare, por pjekuria dhe zgjuarsia jote, për moshën që ke, sot, më mrekulluan. Dite të mbroje me dinjitet veprimet dhe qëllimet e tua, por jo vetëm…! Mirëpo, kjo gjë, sa më gëzon, aq dhe më trishton. Komunistët i vrasin të mirët, të zgjuarët e të bukurit. Komunistët janë pa ideal, pa zot, pa atdhe. Ata, ngaqë të njohin mirë, të vlerësojnë, ndaj të kanë vendosur të parin në listë, me paramendim për të të eleminuar…!

Policët hapën derën e birucës për të na dhenë ushqimin e drekës. Na i mbushën tasat plot me fasule…! Edhe bukë na dhanë nga dy racione…! Kjo ishte habia e dytë për ne. Po kjo?

– Mos u çudit, po më sqaronte “Prifti”, historikisht mirëditorët kanë qenë popull i fortë, nuk janë pajtuar me asnjë regjim, që i cënonte pronën, besimin te Zoti dhe pavarësinë. Betohen më shumë se cilido për “Flamur e Atdhe”. Mos u bazo te policët që punojnë nëpër burgje tona të tmerrshme. Ata janë të përzgjedhur nga familje të varfëra, ekonomikisht e moralisht, sidomos në Mirëditë.

Të jesh i sigurtë, siç jam unë se, këta policë që punojnë në shërbim të brendshëm, nuk do të pranonin kurrë të torturonin të burgosurit politikë nëpër burgje. U hap kapaku i sportelit dhe njëri nga policët e ftoi “Priftin” të afrohet te sporteli. I dha diçka të mbështjellë me gazetë.

– Kishte takim një bashkëvuajtësi juaj dhe ma dha këtë për Bedriun…! /Memorie.al/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Golgotha Shqiptare”, Si u gjet libri i holokaustit?

‘Serbët vranë 500 000 shqiptarë’