MENU
klinika

BE kritikon Kuvendin për përjashtimin e gazetarëve

Reagimi i Ambasadës: Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve

10.06.2021 - 10:12

Delegacioni i Bashkimit Europian ka rrëzuar pretendimet e Kuvendit të Shqipërisë, i cili përmes një reagimi ndaj shqetësimit të gazetarëve, u shpreh se projekti për moslejimin e gazetarëve në mbledhjet e komisionit është mbështetur dhe ideuar nga BE-ja.

Përmes një postimi në “Twitter”, delegacioni i BE-së shprehet se rregullorja e miratuar nga anëtarët e Kuvendit, ku shumica e tyre nuk do të jenë më në atë institucion si ligjvënës, nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së. Sipas tyre, qasja e mediave për të mbuluar punën e Kuvendit janë elemente të rëndësishme të një demokracie liberale. “Dëgjesat publike dhe qasja e mediave në Parlament për të mbuluar punën e seancave dhe komisioneve të tij janë elemente të rëndësishme të një demokracie liberale. Keqardhje për mungesën e konsultimeve me mediat përpara miratimit të rregullave të reja nga Parlamenti. Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisura në këtë kontekst në vitin 2014”, rea- goi delegacioni i BE-së.

Reagimit të zyrës së BE-së në Tiranë iu bashkua edhe ambasadorja e Francës, Elisabeth Barsacq. Ajo mbështeti qëndrimin e delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri lidhur me rregullat e reja të vendosura nga Kuvendi i Shqipërisë për praninë e medias. Në një postim në “Twitter”, Barsacq bën thirrje për të mbështetur lirinë e medias. Diplomatja franceze shprehet se liria e shtypit është baza e të gjitha lirive të tjera. “Le të mbështesim lirinë e shtypit. Ajo është baza e të gjitha lirive të tjera, është me anë të së cilës ne ndriçojmë ndërsjellë veten”, shkroi ambasadorja në “Twitter”.

KUVENDI

Më herët Kuvendi i Shqipërisë sqaroi se vendimi është marrë me qëllimin për të ndërtuar një sistem të ri audio-video për ndjekjen dhe transmetimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare. Po ashtu, Kuvendi sqaroi se regjistrimet që do të ofrohen në dhomën ku do të qëndrojë media nuk do të kontrollohen nga një regji qendrore, por nga vetë gazetarët. Në sqarimin zyrtar institucioni i dytë më i lartë në rang hierarkik shprehet se projekti është diskutuar me BE-në. “Sistemi i ri audio-video është rekomanduar, financuar, konceptuar dhe ndërtuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, nëpërmjet Programit IPA 2014 të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe Kuvendi është përfitues i këtij projekti/modeli të ri. Edhe specifikimet teknike të ndërtimit të këtij sistemi u përcaktuan dhe miratuan nga Komisioni Europian, bazuar në standardet dhe përvojat më të mira të parlamenteve të vendeve të BE-së.

Ndërkohë, rekomandimet e progres-raporteve të Komisionit Europian për Shqipërinë e viteve 2013-2014 kishin theksuar nevojën e rritjes së transparencës dhe përfshirjes së shoqërisë civile në procesin legjislativ, si edhe përmirësimit të informimit të publikut mbi aktivitetet parlamentare dhe dokumentacionin parlamentar. Në veçanti, raportet e projektit IPA 2013 theksojnë se Kuvendi i Shqipërisë nuk disponon një platformë të unifikuar, që mundëson komunikimin efektiv në format audio-video nga sallat e komisioneve parlamentare dhe se mungesa e një sistemi audio-video në mjediset e Kuvendit është një pengesë serioze, për të siguruar transparencë të plotë të punës në komisionet parlamentare dhe në organet e tjera të Kuvendit”, sqaroi Kuvendi. Sipas rregullores së re, kamerat nuk do të lejohen në asnjë rast të hyjnë në godinë, përjashtuar ato raste kur deputeti do të ketë pranuar intervistën. Gazetarët do të rrinë vetëm në një sallë në katin e parë, ku mund të shohin mbledhjet nga ekrani, por nuk mund të afrohen te sallat e mbledhjeve, duke i larguar kështu nga ligjvënësit apo ministrat.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Për herë të parë në 30 vite

PS shkarkon Presidentin, si u arritën 104 votat?