Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në një deklaratë pas përfundimit të misionit në distancë me Shqipërinë, i ka rekomanduar qeverisë që të moderoheshin investimet publike tepër ambicioze të financuara me burime të brendshme për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor (sidomos vaksinimin), dhe rindërtimin nga tërmeti si dhe për të rritur kontigjencën. Fondi tha se ekonomia u tkurr nga pandemia m ë pak sesa pritej, por , pasiguria mbi perspektivën e rritjes mbetet e konsiderueshme. Fondi  i ka kërkuar qeverisë që të miratojë sa më shpejt Një Strategji e shëndoshë afatmesme për të Ardhurat

Sipas deklaratës zyrtare për shtyp, një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e zonjës Yan Sun, zhvilloi një mision në distancë me Shqipërinë gjatë periudhës 7-11 qershor. Në përfundim të këtij misioni, Znj. Sun lëshoi deklaratën e mëposhtme: “Aktiviteti ekonomik i Shqipërisë në vitin 2020 u tkurr shumë më pak sesa pritej fillimisht, duke reflektuar turizmin e rritur vendas dhe rajonal, mbështetjen e politikave dhe rindërtimin nga tërmeti, si dhe mungesën e një mbyllje të dytë. Në vitin 2021 rritja parashikohet të rikthehet në 5.3 përqind si rezultat i rimëkëmbjes së sektorëve të prekur nga pandemia si dhe vijimi të aktivitetit të rindërtimit pas tërmetit. Sidoqoftë, pasiguria mbi perspektivën e rritjes mbetet e konsiderueshme. Inflacioni është rritur nga çmimet më të larta ndërkombëtare të mallrave të bursës, por është ende shumë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë (BSH) dhe presionet inflacioniste kanë mbetur të ulëta.

“Në periudhën afatshkurtër, politika fiskale duhet të vazhdojë të mbështesë rimëkëmbjen përmes masave të përkohshme dhe të mirë-shënjestruara, që duhet t’i nënshtrohen transparencës dhe përgjegjshmërisë. Do të ishte e këshillueshme që të moderoheshin investimet publike tepër ambicioze të financuara me burime të brendshme për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor (sidomos vaksinimin), dhe rindërtimin nga tërmeti si dhe për të rritur kontigjencën. Në këtë kontekst, objektivi i vitit 2021 për një deficit primar prej 65 miliardë lekësh (rreth 3.8 përqind e PBB-së) është i mjaftueshëm për të siguruar mbështetje për ekonominë. Një stimul shtesë duhet të merret parasysh vetëm në rast se rimëkëmbja e pritshme nuk materializohet. Nëse do të ketë të ardhura shtesë, ato duhet të kursehen. Për të ndihmuar rindërtimin e hapësirës së nevojshme të politikës fiskale sapo rimëkëmbja të jetë në një rrugë të mbarë, inisiativat e planifikuara nga autoritetet  shqiptare duhet të jenë në përputhje me objektivin e arritjes së një ekuilibri primar fiskal pozitiv deri në vitin 2023 dhe të mbështeten nga një kuadër i besueshëm buxhetor afatmesëm.

“Një Strategji e shëndoshë afatmesme për të Ardhurat duhet të miratohet dhe zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ecja përpara me këtë reformë të kahershme duhet të ndihmojë gjithashtu në krijimin e burimeve të nevojshme për të arritur objektivat e zhvillimit të Shqipërisë. Reforma të tjera prioritare që duhet të ndiqen me më shumë këmbëngulje përfshijnë përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike dhe rritjen e monitorimit dhe menaxhimit të rreziqeve fiskale në rritje, veçanërisht nga partneriteti privat publik, ndërmarrjet shtetërore dhe garancitë qeveritare. Së fundmi, ndonëse e justifikueshme menjëherë pas tërmetit, përdorimi i procedurave të kufizuara në tenderat për rindërtim duhet të ndërpriten dhe fondet e rindërtimit duhet t’i nënshtrohen kontrolleve adekuate të menaxhimit të financave publike.

“Ne mbështesim qëndrimin e politikës monetare lehtësuese të BSH, pasi presionet inflacioniste mbeten të dobëta dhe pritjet për inflacionin të mireankoruara. Sistemi bankar mbetet likuid dhe i qëndrueshëm. Vigjilenca e vazhdueshme, me një vëmendje të veçantë për kreditë e ristrukturuara, do të jetë kyçi për zbulimin e hershëm të ndonjë pike të dobët. Vendimi i BSH për t’i dhënë fund relaksimit të përkohshëm të klasifikimit të kredive dhe rregullave të provigjionimit është i mirëpritur. Për të ruajtur mirëkapitalizimin e bankave derisa të dihet ndikimi i plotë i pandemisë në cilësinë e aktiveve të tyre, BSH duhet të vazhdojë të kufizojë shpërndarjen e dividendëve./Monitor