Kryeministri hungarez, Viktor Orban u kritikua ashpër për shkak të ligjit që diskriminon homoseksualët në Hungari, por ai vazhdoi të qëndrojë kokëfortë. Grindja në BE la në hije samitin e fundit të Merkelit si kancelare.
Disa krerë shtetesh e qeverish në samitin e BE në Bruksel mbanin simbolin e ylberit, si kryeministri belg, Alaxander de Croo për të protestuar kundër ligjit hungarez që diskriminon homoseksualët në Hungari. KRerë të 17 vendeve anëtare të BE nënshkruan një letër, nismën e së cilës e kishte marrë kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel. Kryeministri hungarez, Mark Rutte e humbi durimin me provokimet e vazhdueshme nga Budapesti. “Për mua ju nuk keni ç’kërkoni më Bashkimin Europian”, tha Rutte.
Xavier Bettel shikon kalimin e vijës së kuqe
Në letrën e 17 vendeve anëtare për kreun e Këshillit të BE, Charles Michel thuhet se “ne duhet të luftojmë më tej kundër diskriminimit të komunitetit LGBTQ dhe theksojmë sërish, se ne mbrojmë kështu të drejtat e tyre bazë.” Kryeministri i Luksemburgut, Bettel, i cili është i martuar me një burrë, u shpreh, se nëse dikush beson si ligjvënësi hungarez, se reklama i bën të rinjtë homoseksualë “ai nuk e kupton jetën”. Bettel tha se me ligjin që ndalon homoseksualitetin në reklama dhe media është kaluar vija e kuqe.
Më parë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e kishte kritikuar ligjin “thellësisht diskriminues” dhe kishte kërcënuar me masa kundër Hungarisë. Kancelarja Merkel në largim e cilësoi “të gabuar” ligjin. Vetëm përfaqësuesit e vendeve lindore të BE si Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia, Rumania dhe Bullgaria nuk ngritën akuza.
Viktor Orban nuk ndryshon qëndrim
Kryeministrit hungarez, Viktor Orban duket se nuk i bënë përshtypje këto kritika; “Ligji është vendosur, i bërë publik dhe do të mbetet kështu”, tha ai, duke theksuar se ai vetë ka qenë që në kohët e komunizmit “një luftëtar për lirinë e të drejtat e homoseksualëve”. Nuk bëhet fjalë për homoseksualitetin, por për të drejtën e prindërve, që të vendosin, se ç përmbajtje duhet të ketë edukimi seksual i fëmijëve të tyre. Nën kryeministrin konservator Orban, u fut në kushtetutë norma e familjes e përcaktuar nga burri, gruaja dhe fëmijët. Çifteve homoseksuale i është ndaluar adpotimi i fëmijëve. Edhe gjinia e shënuar në lindje nuk mund të ndryshohet më tek transseksualët. Deri në vitin 2010, kur Orban erdhi sërish në pushtet, Hungaria ishte një nga vendet më liberale të ish-bllokut lindor. Partneriteti i së njëjtën gjini u njoh ligjërisht që në vitin 1996. Ndërkohë qeveria aktuale hungareze ndodhet nën kritika të forta në BE edhe për shkak se cënon rregullisht lirinë e mediave, të shkencës dhe pavarësinë e drejtësisë.
Koordinim më i mirë rregullash në kohë pandemie
Përballja e ashpër me Hungarinë errësoi konsultimet e samitit të BE që duhej të zhvilloheshin për pandeminë e Coronës, Rusinë dhe Turqinë. Për shkak të shtimit të infektimeve me variantin e ri Delta të virusit, 27 vendet anëtare nuk do të lejojnë aq shpejt, siç ishte planifikuar, hyrjen nga shtete të treta, si psh. Britania e Madhe. Kancelarja Merkel kishte kritikuar, që Portugalia lejon turistë britanikë në vend, megjithëse ishujt britanikë janë “zonë varianti e virusit”.
“Ne duhet të jemi shumë vigjilentë”, tha presidenti francez, Emmanuel Macron. Samiti i BE ishte në ujdi, se shtetet e BE duhet të koordinohen më mirë dhe se BE ka nevojë për institucione të forta për kujdesin shëndetësor, të paktën për pandemi të ardhshme, që shpresohet të mos ketë.
Rusia dhe Turqia – kërkohet dialog, sanksionet kundër Rusisë mbeten
Debati për mënyrën e veprimit me regjimet autokratike u zhvillua në darkën e samitit dhe nuk rezultoi me vendime të ashpra. BE ra dakord që të mbetet në dialog me presidentin Putin për tema të rëndësishme me interesa të përbashkëta. Në të njëjtën kohë do të mbeten në fuqi sanksionet për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut, shtypjes së opozitës, të përfshirjeve në konfliktet në Ukrainë dhe Bjellorusi. Kancelarja Merkel në fjalën e saj në Bundestag më parë kishte thënë. “Sipas mendimit tim, ne si Bashkim Europian duhet të kërkojmë kontaktin e drejtpërdrejtë me Rusinë dhe presidentin rus. Nuk mjafton, kur vetëm presidenti, Joe Biden flet me presidentin rus.”
Presidenti francez, Macron e mbështeti idenë e një samiti të mundshëm me presidentin rus. Vende të tjera anëtare, si ato lindore dhe Holanda nuk duan bisedime të drejtpërdrejta.
BE kërkon të përmirësojë marrëdhëniet me Turqinë, thuhet në përfundimet e samitit. Por nga ana tjetër, presidenti turk, Erdogan duhet të punojë për çtensionimin e konflikteve me Qipron dhe konfliktin për gazin në Mesdheun lindor. Përveç kësaj, me Turqinë do të punohet për vazhdimin e “Marrëveshjes për refugjatët” të vitit 2016. Për trajtimin e refugjatëve sirianë në vend, Turqisë i premtohen edhe 3,5 miliardë euro të tjera. Rreth katër milionë sirianë jetojnë ndërkohë në Turqi./DW