MENU
klinika

VOA/ ..."jemi në drejtimin e duhur"

SHBA: Çështjet bërthamore i takojnë Khameneit

21.06.2021 - 08:36

Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan minimizoi të dielën rëndësinë e zgjedhjes së përkrahësit të vijës së ashpër Ebrahim Raisi si presidenti i ri i Iranit.

Ai tha se që Shtetet e Bashkuara të bëheshin sërish pjesë e paktit ndërkombëtar për të frenuar programin bërthamor të Teheranit, kjo do të varej nga vendimet e marra nga Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei.

Zoti Raisi do të zëvendësojë brenda gjashtë javësh në detyrën e presidentit një politikan më të moderuar, Hassan Rouhanin. Zoti Sullivan tha për rrjetin televiziv “ABC News” se më shumë sesa fakti se cili është presidenti i Iranit rëndësi ka përgatitja e të gjithë sistemit të këtij vendi për angazhime të verifikueshme, me qëllim braktisjen e mundësive për prodhimin e një arme bërthamore.

Së bashku me pesë fuqi të tjera botërore, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në bisedime me Iranin për t’u ribërë sërish pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare të vitit 2015 nga e cila ish-Presidenti amerikan Donald Trump vendosi të tërhiqej duke thënë se nuk kishte ashpërsinë e duhur. Vendimi u shoqërua me rivendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Teheranit.

Pakti u negociua gjatë administratës së Presidentit Obama, kohë kur zoti Biden shërbente në detyrën e nënpresidentit. Tashmë në krye të Shtëpisë së Bardhë, ai po kërkon t’i bëjë Shtetet e Bashkuara sërisht pjesë të marrëveshjes.

Negociatorët iranianë dhe gjashtë fuqitë botërore vendosën të dielën t’i shtyjnë bisedimet për konsultime të mëtejshme në vendet respektive mbi disa çështje të vështira të cilat nuk janë tejkaluar ende.

“Kemi ende rrugë për të bërë, por jemi në drejtimin e duhur”, tha zoti Sullivan. “Ne do të shohim nëse Irani do të bëjë zgjedhjet e vështira të cilat i duhet të bëjë”.

“Vendimi përfundimtar i takon udhëheqësit suprem, çfarë do që ai zgjedh, rrugën e diplomacisë apo përballjen me presionin në rritje jo vetëm nga SHBA, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, tha zoti Sullivan.

“Ne besojmë se diplomacia është mënyra më e mirë”, shtoi ai më tej. Zoti Sullivan tha se Shtetet t Bashkuara “nuk kanë asnjë dyshim dhe janë të vendosura” në përpjekjen e tyre “për ta kufizuar programin bërthamor të Iranit”.

Në një intervistë po të dielën për rrjetin televiziv “Fox News” zoti Sullivan tha se marrëveshja e re që mund të nënshkruhet pritet të parashikojë një afat kohor më të gjatë krahasuar me periudhën kur skadon pakti origjinal, parashikuar në vitin 2030./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përse është marrë ky vendim?

VOA: Shtyhen bisedimet bërthamore