Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Luftar Panahorin, shoferi që shembi urën e Darëzezës, pasi kaloi mbi të me një mjet të tonazhit të rëndë.
Panahori u arrestua më 4 qershor, pas shembjes së urës, për “shkatërrim të rrugëve”. Shoferi kaloi në urën e rrugës automobilistike Fier-Darzezë jashtë tonazhit të parashikuar në tabelën sinjalistike.
Ura u shemb mëngjesin e 3 qershorit, ndërsa prej kohësh ishte e amortizuar. Shembja e urës ndërpreu edhe komunikimin e banorëve të fshatit me zonat e tjera përreth.
Në njoftimin e arrestimit të 52-vjeçarit Policia bënte me dije: “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkatërrimi i rrugëve” shtetasin L. P., 52 vjeç, banues në Roskovec, pasi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, duke drejtuar automjetin me një rimorkiator mbi të cilin kishte ngarkuar një skrep, ka kaluar në urën e rrugës automobilistike Fier-Darzezë jashtë tonazhit të parashikuar në tabelën sinjalistike, duke e shëmbur urën”.