Sipas burimeve për Top Channel, relatori i çështjes së presidentit Ilir Meta në Gjykatën Kushtetuese do të jetë Përparim Kalo.
Pasi Kuvendi vendosi me 104 vota pro shkarkimit të presidentit Ilir Meta, tashmë fjala e fundit i mbetet Gjykatës Kushtetuese.
Që nga krijimi i saj në vitin 1991 Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ndodhet përpara shqyrtimit dhe marrjes të një vendimi, të paprecedentë për vendin tonë deri më tani.
Ajo që nuk dihet ende ka të bëjë me faktin nëse kjo gjykatë do ta llogarisë si kohë të afatit 3 mujor, muajin gusht që është një muaj pushimi për institucionet e drejtësisë. Por cilët janë skenarët e mundshëm të asaj që mund të ndodhë në gjykatën më superiore në vend.
Disa juristë me të cilët u konsultua Top Channel shpjegojnë se një prej skenarëve më të volitshëm për kushtetuesen mund të jetë dërgimi tek Komisioni Venecias për një opinion. Në këtë mënyrë anëtarët e kushtetueses heqin nga kurrizi i tyre një përgjegjësi shumë të madhe duke e pyetur Venecian se a konsiderohen shkelje të renda të ligjit deklarimet e presidentit, sa të shkarkohet. Nisur nga zgjedhja e anëtarëve të gjykatës kushtetuese, parashikohet që disa prej tyre të mbajnë edhe një qëndrim politik në konfliktin mes presidentit dhe mazhorancës duke mos e votuar nismën e kësaj të fundit.
Por nuk përjashtohet mundësia e një aludimi i një roli të pritshëm të ndërkombëtarëve që mund të sjellë një votim nga 5 me 2 deri në 7 me zero, pro shkarkimit.
Ndërsa varianti i fundit është që votimi të dalë në 4 me 3. Po përse mund të ndodhë kjo. Kujtojmë që anëtarë të Gjykatës Kushtetuese janë Vitore Tusha, Sonila Bejtja emëruar nga vetë Presidenti dhe Marsida Xhaferllari e kontestuar nga socialistët gjatë procesit të zgjedhjeve. Ndërkohë anëtarët e tjerë janë Altin Binaj, Fjona Papajorgji, Përparim Kalo dhe Elsa Toska.
Balancat në Gjykatën Kushtetuese mund të ndryshojë për shkak se më 2 korrik, është afati i fundit për Gjykatën e Lartë për të dërguar dy anëtarët e fundit të Gjykatës Kushtetuese.