MENU
klinika

Bilanci tragjik i aksidenteve rrugore

Shoferë të papërgjegjshëm? Pezullohen 66 patenta

26.06.2021 - 16:26

Policia Rrugore ka zbritur në terren ku ka ndëshkuar një numër të madh shoferësh të papërgjegjshëm.

“Për 12 orë, në të gjithë vendin, 66 leje drejtimi të pezulluara dhe 2668 masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor, të cilat përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, duke vleresuar situatën aktuale të sigurisë rrugore, ka ngritur grupe të posaçme drejtimi, për të monitoruar zbatimin e sanksioneve të reja administrative që kanë hyrë në fuqi me ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor, me qëllim forcimin e kontrollit nga autoritetet policore vendore, kryesisht ndaj shkeljeve që janë konsideruar si shkak jo vetëm për ndodhjen e aksidenteve rrugore, por edhe për rritjen e pasojave që vijnë si rezultat i tyre duke cenuar rëndë sigurinë në rrugë dhe njëkohësisht duke shtuar pasigurinë e përdoruesve të rrugës në tërësi.

Nisur edhe nga aksidentet e fundit rrugore, sektorët e Policisë Rrugore vendore, në bashkëpunim edhe me strukturat e tjera policore në nivel qendror dhe vendor, janë angazhuar maksimalisht me të gjitha burimet njerezore dhe teknike, për të parandaluar dhe verifikuar çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor që mund të jetë rrezik apo shkak për aksident rrugor.

Në fokusin e kontrolleve të përqëndruara në rrugët urbane dhe interurbane janë shpejtësia mbi normat e lejuara, mosrregullimi i shpejtësisë, veçanërisht në qendrat e banuara, sjelljet agresive dhe manovrat e rrezikshme në rrugë, drejtimi i mjeteve pas përdorimit të alkoolit, parakalimet e gabuara, mospërdorimi i rripave të sigurisë dhe sistemeve të fiksimit për fëmijët nën 12 vjeç, si dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjeteve, që mbetet një nga shkeljet më të rrezikshme dhe në masë tek drejtuesit e mjeteve. Për këtë shkelje, për shkak të rrezikshmërisë dhe numrit të lartë të konstatimeve me ndryshimet e fundit është dhjetëfishuar sanksioni administrativ dhe në rast konstatimi në përsëritje 3 herë brenda vitit, krahas masës, drejtuesit të mjetit i pezullohet leja e drejtimit për 3 muaj.

Gjatë ditës së sotme, në të gjitha akset rrugore nacionale dhe në zonat bregdetare, shërbimet e Policisë Rrugore, duke përdorur radarë, dragera, makina të pauniformuara, kamera e aparate fotografike, kanë kosntatuar një numër të madh shkeljesh të cituara më lart, konkretisht:

• Janë pezulluar 39 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, matur me radar, dhe 27 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;

• 473 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 397 masa për mospërdorim të rripit të sigurisë, 644 masa për shpejtësi mbi normat e lejura, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, 194 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, 778 masa për parakalime të gabuara dhe 182 masa për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve.

Të gjithë efektivët e Policisë Rrugore do jenë në detyrë për të përmbushur përgjegjësitë që i ngarkon ligji, si për rregullimin e trafikut aty ku është e nevojshme, ashtu dhe për të monitoruar sjelljen e të gjithë
përdoruesve të rrugës në raport me normat e sjelljes, jo për të “frikësuar”, por për të edukuar dhe parandaluar ngjarje si ajo e djeshmja, që krahas përgjegjësisë është dramë familjare dhe sociale, e cila duhet të jetë reflektim për çdo drejtues mjeti dhe përdorues rruge, në respekt të ligjit dhe jetës.

Policia Rrugore apelon gjithashtu për KUJDES të shtuar përgjatë sezonit turistik, nga të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët, të cilët sa herë ndodhin ngjarje të rënda kërkojnë ashpërsim të masave dhe kontrolle më të shtuara nga Policia, por harrojnë shpejt dhe mundohen të gjejnë përgjegjësit e aksidenteve rrugore, kur në fakt të gjithë, në një mënyrë ose në një tjetër, jemi bashkëpërgjegjës dhe si të tillë duhet që të gjithë të japim kontributin për të edukuar breza më të mirë dhe më të sigurtë në drejtimin e mjeteve dhe përdorimin e rrugës, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë”, njofton Policia.