Vijon historia e panjohur e Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes shqiptare që humbi jetën në moshën 27-vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pazbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Queens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni. Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit në ngarkim të Aleksandër Kondos, e deklasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.
Në Tiranën e fillim viteve ’80-të, jo vetëm për sportdashësit e shumtë por edhe më gjerë tek të rinjtë e kryeqytetit shqiptar, ra në sy dhe spikati një djalosh i ri, asokohe në moshën 20 vjeçare, si për portretin e fizikun e tij, ashtu dhe për pamjen e jashtme, me veshjet e modës së huaj, i cili në krahaqafë mbante çantën e sportit që s’e hiqte kurrë nga supi dhe në krahun tjetër, një radio-magnetofon të madh, që ai i sillte nga jashtë shtetit kur dilte me ekipin kombëtar të peshëngritjes në aktivitet ndërkombëtare. Ai ishte Aleksandër Kondo, pjesëtar i ekipit të peshëngritjes “Dinamo” të Ministrisë së Punëve të Brendshme (ku asokohe shërbente si ushtaraku i lartë në Gardën e Republikës, edhe i ati i tij), dhe gjithashtu i ekipit kombëtar, i cili në ato kohë, falë edhe vlerësimit dhe trajtimit të diferencuar që i bënte regjimi komunist në fuqi disa sporteve të rënda, kishte arritur rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare.
Emri i Aleksandër Kondos si sportist filloi të bëhej gjithnjë dhe më i njohur, sidomos pas rezultateve të tij të larta të arritura në vitin 1984, në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit, kur ai fiksoi shifrat 200 kg. (në stilin e shtytjes) duke elektrizuar mijra sportdashës, (atë ditë më shumë spektatorë ishin jashtë pallatit të sportit se sa brenda tij), të cilët nën duartrokitjet e shumta, nuk largoheshin nga sheshi para pallatit, pa e parë nga afër atë djalosh, që i kishte mahnitur me rezultatet dhe performancën e tij. Që nga ajo ditë, Sandër Kondo, pothuaj u kthye në një mit në Tiranë dhe Shqipërinë e asaj kohe, pasi rezultatet e tij erdhën gjithnjë e në ngritje, jo vetëm në kampionatet kombëtare, por edhe në arenën ndërkombëtare ku ai vazhdimisht kishte rezultate të larta.
Por shumë e shumë më tepër nga kjo periudhë kohe kur Sandër Kondo, ishte në kulmin e karrierës, emri i tij u bë edhe më i njohur dhe filloi të diskutohej në mbarë vendin, në fundin e majit të vitit 1985, kur gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në kuadrin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes që zhvillohej në Varshavë të Polonisë, (ku ai ngriti 210 kg.), Kondo nuk u kthye më në Shqipëri, por së bashku me shokun e tij të ekipit, shkodranin Xhelal Sukniqin, nga Mali Zi shkuan në Beograd, në pritje për të fituar azilin politik për në SHBA-ve.
Ngjarja e arratisjes së dy sportistëve shqiptarë bëri bujë të madhe jo vetëm për shkak të emrit dhe famës së madhe që kishte Aleksandër Kondo asokohe, por edhe për shkak se ajo ngjarje u bë objekt “sherri” në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, pasi Tirana zyrtare asokohe akuzoi hapur publikisht (në gazetën “Zëri i Popullit”), autoritetet jugosllave, duke thënë se dy sportistët shqiptarë ishin rrëmbyer prej shërbimeve sekrete jugosllave (UDB-së) dhe kërkoi kthimin e tyre në atdhe.
Por ai pretendim i Tiranës zyrtare, nuk kishte asgjë të vërtetë, pasi Kondo dhe Sukniqi e përgënjeshtruan atë gjë në takimin që u bë në Beograd, në mes përfaqsuesve të ambasadës shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj, e palës jugosllave, ku Sandër Kondo, pasi shau mbarë e prapë regjimin komunist të Enver Hoxhës, tentoi të godiste me tavëll duhani edhe diplomatin shqiptar, që ngulte këmbë se ai duhej të kthehej në Shqipëri, ku e priste familja dhe gjithë shoqëria.
Pas kësaj, Sandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi fituan azilin politik për në SHBA-ve, ku Sukniqi ndodhet akoma, ndërsa Kondo, humbi jetën në një aksident automobilistik, më 1 maj të vitit 1987, (gjithnjë sipas versionit zyrtar të regjimit komunist të asaj kohe), dhe eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri në vitin 2003.
Të gjitha këto tashmë janë të njohura prej vitesh, pasi për Aleksandër Kondon si legjenda e peshëngritjes shqiptare është shkruar shumë dhe babai i tij, Vangjel Kondo, ka dhënë disa intervista si në median e shkruar dhe vizive, madje janë bërë dhe disa dokumentarë televizivë, për të gjithë jetën dhe historinë e tij, deri ditën që u nda nga kjo jetë. Por përsëri, “Çështja Aleksanër Kondo”, ende nuk është zbardhur plotësisht, sidomos ajo pjesë që ka të bëjë me vdekjen e tij tragjike e cila vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, si dhe survejimin që i është bërë atij nga ana e Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe segmenteve të tij që në vitin 1981, gjë e cila u bë publike për herë të parë nga ana e Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, e drejtuar nga znj. Gentjana Mara Sula, e cila në vitin 2018, i dorëzoi dosjen familjes Kondo, apo më saktë babait të tij, Vangjel Kondo.
Në atë dosje që z. Vangjel Kondo ia ka besuar ekskluzivisht për botim Memorie.al, hidhet dritë dhe bëhet e ditur, vlerësimi, trajtimi dhe i gjithë survejimi e përndjekja, që i është bërë asokohe nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një prej sportistëve më në zë të Shqipërisë, siç ishte Aleksandër Kondo, i cili ishte mjaft i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Nisur edhe nga ky fakt, Memorie.al do e publikoj të plotë dosjen në fjalë (me faksimilet përkatëse), në disa numra të rubrikës dossier.
Vijon nga numri i kaluar
Relacionet e Punëtorit Operativ dhe Oficerit të Drejtimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, lidhur me qëndrimin dhe bisedat e Kondos e Sukniqit me të arratisurit politikë shqiptarë në SHBA-ve
Marrë nga P.op. B.S.
Dhënë nga B.p. “6431”
Datë 20.12.1985
I N F O R M A T Ë
Sipas të arratisurit………………………………, del se para dy javësh kanë ardhur me banim në SHBA, të arratisurit Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi……………………………………., ka thënë se pas disa ditësh, të lart përmendurit, i ka pasur për darkë, në banesën e tij. Siç ka njoftuar telegrafikisht këtë të dhënë e marrin me rezerva. Sepse këtë problem e kemi ndjekur dhe me burime të tjera dhe deri tani, nuk kemi pasur ndonjë sinjalizim të tillë, që ata të kenë ardhur këtu për këtë arsye, meqenëse është hera e dytë që ky burim, na e jep kështu dhe mendojmë se kjo e dhënë, nuk është e vërtetë.
Për këtë punë i kemi kërkuar burimit se sa e sigurtë është e dhëna e tij dhe se është shprehur se nuk është takuar me të, por atij i ka thënë……………………………, dhe…………………………………, të cilët dhe mund ta kenë gënjyer. Shtoi se kur burimi, njoftoi në takimin e mëparshëm për ardhjen në SHBA, të A. Kondos dhe Xh. Sukniqit, ai është nisur nga një letër që……………………………….., i kishte dërguar disa shokëve të tij këtu. Aty u thoshte se është bërë gati dhe se do vijë bashkë me dy të lartë përmëndurit në SHBA.
Edhe burimi “6431”, theksoi se vonesa e A. Kondos dhe Xh. Sukniqit për në SHBA, sipas thënieve të………………………., bëhet me qëllim nga organet jugosllave, për shkak të një gjyqi që jugosllavët do ta bëjnë, për dy vetë dhe që sipas tyre janë dërguar me detyra nga sigurimi shqiptar, në drejtim të këtyre të dyve. Dhe për këtë arsye, Aleksandri dhe Xhelali, do ju dalin në gjyq si dëshmitarë.
Sipas burimit……………………….., vazhdojnë të jenë në ndjekje të organeve të vendit për tregti drogërash.
E dhëna u nxor në 5 kopje.
Për…………………………………….., Aleksandër Kondon dhe Xhelal Sukniqin.
Puntori Operativ
M.T.
Sekret
Ekzemplar Nr 5
Tiranë më 7.10.1986
Marrë P.op. M.Gj.
Dhënë burimi “6131”
Datë 24.3.1986
I n f o r m a t ë
Gjatë një vizite që të arratisurit A. Kondo dhe Xh. Sukniqi, kishin bërë në lokalin që ka burimi, kishin thënë që gjatë kohës që kishin qenë në Jugosllavi, janë trajtuar shumë mirë nga organet vendase. Sipas tyre, burimi theksoi se me ta kuadrot e organeve të UDB-së, kanë mbajtur kontakte të shpeshta dhe i kanë shfrytëzuar, për të marrë prej tyre informata të ndryshme për vendin tonë. Ata, tha ai, kanë folur shumë keq, duke theksuar në veçanti diktaturën e fortë që ekziston në Shqipëri, frikën e popullit nga organet e Sigurimit, gjendjen shumë të vështirë ekonomike, etj. Ata theksuan gjithashtu se i kanë pyetur dhe i kanë dhënë informata të karakterit ushtarak, sidomos dislokimin e reparteve të ndryshme, punimet e llojeve të ndryshme xheniere, armatimin që dispononin, mbi stërvitjet që janë bërë e do të bëheshin, duke theksuar se për sa më sipër kanë folur aq sa dinin.
Të sipërmit kanë folur gjithashtu se gjatë kohës së qëndrimit në Jugosllavi, janë mbajtur nën kontroll për të mos u ndodhur gjë. Kjo, kanë thënë ata, ndodhi kur u mësua dërgimi nga Sigurimi Shqiptar i dy personave, me rrugën e arratisjes, të cilët kishin si detyrë asgjësimin e tyre. Të dy kanë pranuar propozimin që u është bërë nga organet jugosllave dhe janë vënë në shërbim të tyre, duke firmosur edhe deklarata bashkëpunimi, për të punuar për ta, kudo që të jenë në Perëndim. Kanë thënë se janë përdorur si dëshmitarë nga jugosllavët, për të dy personat nga rrethi i ……………………………., që u dërguan si të arratisur sipas tyre, për asgjësimin e këtyre të dyve.
Njëri nga ata u dënua me burg, pak ditë përpara largimit nga Jugosllavia, ndërsa tjetri, nuk është kapur akoma. Ata kanë thënë se Xhelali, mbërriti në New York në datën 5 shkurt, ndërsa Aleksandri në datën 7. Dy ditë para, kanë qëndruar në shtëpinë e N.K. Më vonë për gati dy javë në dhomën që ka i arratisuri……………………., në New Jersey. Mbas kësaj u larguan dhe shkuan në një vënd tjetër po në New Jersey. Dy javë më parë, janë larguar dhe janë vendosur në një hotel, në afërsi të selisë sonë tha burimi, (në 32 Street ndërmjet 5-6 Avenue). Ky hotel edhe më përpara është përdorur dhe vazhdon të përdoret për strehimin e të arratisurve të ndryshëm. Burimi ynë tha se edhe gjatë kohës që po qëndrojnë këtu, ata kanë marrë kontakte jo vetëm me të arratisur të kohëve të fundit, të cilët i pyesin për familjarët e tyre në Shqipëri, por edhe me krerët e emigracionit, të cilët janë të interesuar për gjëndjen në vëndin tonë.
Sipas burimit i cili i ka dëgjuar edhe vetë, të dy bëjnë propagandë armiqësore, kundër RPSSH-së. Më aktiv në këtë drejtim është Aleksandri, ndërsa tjetri nuk para flet. Asnjëri nga të dy, thekson burimi, nuk është penduar për aktin e kryer. Jo vetëm kaq, por Aleksandri ka thënë se do të japi intervistë për TV vëndase dhe në “Zërin e Amerikës”, po të jetë nevoja. Aleksandri që është më i acaruar, ka deklaruar se do të ndërmarri edhe veprime të bujshme ndaj nesh.
Prandaj tha “6131” ruhuni e bëni kujdes. Në një rast thotë burimi, kur morën vesh se vdiq shoqja Semiramis, Aleksandri tha se “e ka mbytur vetë, se don të martohet me………………….” Në këtë moment, thekson burimi, u nxeha dhe e ofendova keq Aleksandrin. Ndër të tjera i thashë se “çfarë thua more budalla, se ata janë të njëri tjetrit” dhe ai duke e parë se e teproi shumë, u largua.
Puntori Operativ
D.M.
SEKRET
Ekzemplar Nr 1
Tiranë më 15.10.1986
I N F O R M A T Ë
Sipas P.C., i cili është takuar në një rast me të arratisurin Aleksandër Kondo, në restorantin…………………, dhe me banim në New York, Aleksandri kishte folur shumë keq për gjendjen në Shqipëri dhe në veçanti fliste me urrejtje të madhe për regjimin.
Nxjerrë sipas raportit të burimit “6432” dt 8.4.1986 në dy kopje
Oficeri i Drejtimit
N. Gj.
Sekret
Ekzemplar Nr 1
Tiranë më 15.11.1986
EKSTRAKT
Nxjerrë nga radiogrami i rez. New York Nr.1315 datë 2.11.1986 dhënë nga burimi “6120”
Aleksandër Kondo, është larguar nga puna që ka pasur në New York dhe është takuar përsëri me Xhelal Sukniqin. Të dy kanë…………….., në qendrën e punës ku punonte Aleksandri………………………dhe kanë blerë një makinë të madhe, për ta përdorur privatisht për transport mallrash nga një qytet në tjetrin.
Puntori Operativ
D.M.
Relacion i Kryetarit të Degës së Sigurimit për agjenturën shqiptare në SHBA-ve, të cilëve u tërheq vërejtje lidhur me mos ndjekjen e survejimin si duhet që i bëhet Kondos e Sukniqit
Shoku A. Th.
Së pari dua të theksoj se, është shumë keq për ne që Aleksandër Kondon e ndjekim pa ndonjë plan masash, për kohën që po kalon në New Jork. Një veprim i tillë, për një person që paraqet rrezikshmëri të theksuar, është i papranueshëm. Kjo tregon papërgjegjësi dhe menefregizëm të theksuar. Unë nuk e kuptoj se me se merreni ju. Së dyti, brenda datës 10.12.1986, të hartoni planin e masave dhe ta sillni për miratim. Në rast se edhe objektet e tjera 2/A do i ndjekësh kështu, do të jetë shumë keq për ty dhe shumë keq për mua, që të lë ty të livadhisësh.
Kryetari i Degës
M.D.
Tiranë më 27.11.1986
Shënim
Të gjitha objektet e përpunimet e tjera, janë dhe ndiqen me plane të rregullta masash.
Puntori Operativ
A. Th.
Relacionet e Informatat e Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit lidhur me bisedat që ka bërë Aleksandër Kondo për Kongresin e VIII-të të Partisë në Tiranë dhe takimet e tij me shqiptarët e arratisur në SHBA-ve
Sekret
Ekzemplar Nr 2
Tiranë më 25.11.1986
Shoku B.S. nga New Jorku me telin nr.1452 datë 20.11.1986 njofton:
Duke folur rreth zhvillimit të Kongresit të 9-të të PPSH-së, tha burimi se, masa e të vjetërve nisur nga mentaliteti i tyre që kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë akoma, prisnin që në këtë kongres që do të zhvillohej pa Enver Hoxhën, të shpërthenin grindjet dhe lufta për pushtet, midis grupeve dhe fraksioneve, që sipas tyre ekzistojnë dhe lindin herë pas here, në gjirin e Partisë.
E kundërta theksoi ai, ndodh me të rinjtë dhe me ata që janë me shkollë. Këta, i kundërshtonin thëniet e të parëve duke thënë se: nuk ka për të ndodhur asgjë, vetëm se kishin shumë shpresa, se në kongres do të vendosej për një amnisti të përgjithshme dhe në veçanti, faljen e emigracionit të pasluftës dhe lejimin e tyre për të vizituar familjet që kanë në Shqipëri.
Për këtë problem, Aleksandër Kondo ka thënë se: “Unë për vete edhe nga ky kongres, nuk pres asgjë, pasi si në çdo vend komunist, ashtu edhe në Shqipëri, kongreset janë formale. Gjithçka bëhet dhe vendoset në një tjetër vend. Në Shqipëri jetojnë tre milionë vetë. Nga këta, një milionë janë popull i thjeshtë, një milionë kuadro të shtetit dhe agjentë të sigurimit, ndërsa një milioni tjetër, të burgosur dhe të internuar”.
Sa më sipër nga burimi “6131”.
Shënimi i shokut Ministër: Kur, ku, dhe si është takuar B.p. me A. Kondon?
Ku punon, banon dhe me çfarë jeton, A. Kondo?
Përveç burimit tonë, kush tjetër e ka takuar ose ka mundësi kontakti me A. Kondon?
Puntori Operativ
D. M. Sekret
Ekzemplar nr
Tiranë më 2.8.1986
I N F O R M A T Ë
Sipas të arratisurit S.A. të arratisur nga rrethi i………………….., në vitin 1985, për në Jugosllavi, del se Akesandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, janë bërë gati dhe do të udhëtojnë për në SHBA, ku do të stabilizohen me punë e banim në datën 7 shkurt 1986.
Nxjerrë nga raporti informativ i takimit me B.p. “3869” datë 29.1.1986
Puntori Operativ
P. K. Sekret
Ekzemplar nr
Tiranë më 5.8.1986
I N F O R M A T Ë
Aleksandër Kondo, është vendosur me ndihmën e…………………….., në një dhomë jo të përshtatshme në lagjen më të keqe të New Jorkut (Harlem) për të cilën ai është i pakënaqur. Aleksandër Kondo, mban shoqëri me………………………………..!
Nxjerrë nga raporti informativ i b.p. “3869”
Puntori Operativ
P. K. Sekret
Ekzemplar nr 1
Tiranë më 6.12.1986
Shoku R.L. me telin nr.1240 datë 8.12.1986, njofton New York:
Tuajit Nr.1452 datë 20.11.1986:
Me porosi të shokut Ministër verifikoni:
Kur dhe si e ka takuar “6131” A. Kondon.
Ku punon, banon dhe me çfarë jeton, A. Kondo.
Veç “6131” kush tjetër nga burimet e ka takuar ose ka mundësi kontakti me A. Kondon.
Për këto çështje dërgoni njoftim sa më shpejt.
Veprimtarinë e A. Kondos dhe Xh. Sukniqit, ndiqeni me përparësi, hartoni planet e masave për ndjekjen e tyre dhe dërgojini në rastin më të parë.
U nxor për A. Kondon dhe Xh. Sukniqin
Puntori Operativ
A.Th. Sekret
Ekzemplar Nr
Tiranë më 16.8.1986
Shoku B.S. me telin Nr.963 datë 7.8.1986 nga New Jork njofton:
Sipas………………………., kohët e fundit kishte marrë letër nga………………, Johanesburgu, ku i shkruante dhe përpiqej të nxiste që të intensifikojë propagandën kundër Shqipërisë e të organizojë punën e nxjerri gazetën, veçanërisht tani në prag të kongresit. I thoshte, që të kenë shpresë dhe besim sepse së shpejti, do bëhet diçka dhe për ta.
Siguronte se kohët e fundit, kishte pasur kontakte e korespondencë me personalitete amerikane, të cilët i kanë premtuar, se së shpejti do t’i vijë radha dhe emigracionit shqiptar. Dhe SHBA-ja, do ti ndihmojë e nxisë me të gjitha forcat kundër regjimit komunist…………………………, u ka shkruajtur dhe disa krerëve të tjerë letra të tilla, por sipas……………………, këto nuk duhet të jenë të vërteta…………………………..përpiqet t’i nxisë e t’i bashkojë për të evidentuar degradimin e OKLL.
Sipas………………………….., në Jugosllavi, i kishin detyruar të flisnin në RTV, duke i kërcënuar me riatdhesim në Shqipëri. I patën kthyer madje, deri në liqenin e Shkodrës, për ti trembur dhe i kishin thënë se dhënia e intervistës, do të ishte një nga provat, që nuk i kishte dërguar sigurimi shqiptar……………………………… pati hezituar për intervistë, për shkak të pasojave ndaj familjes dhe jo për regjimin, që e urren në maksimum. Ka theksuar, se për atë që bëri Sigurimi Shqiptar e ndjek këmba këmbës, ndoshta për ta vrarë.
Para disa kohësh, i patën çuar një të arratisur të vjetër, një pasanik që ishte pronar ndërtesash në New Jersey, dhe nga pyetjet dhe bisedat që i bëri ky e kuptoi menjëherë, se ai ishte agjent i Sigurimit. Dhe ky me marifet e sikterisi. Mburret se nuk ka frikë nga kurrkush dhe se nuk i ka ardhur akoma radha, por do të hakmerret dhe do ta tregojë veten se kush është. Nuk ka ekspozuar ndonjë plan për veprime. Është i interesuar, që të investojë para në ndonjë firmë biznesi dhe po nuk i eci, do të transferohet në Itali. Për gjendjen në Jugosllavi flet mirë.
……………………., nga rrethi i Shkodrës, i arratisur para disa kohësh nga ushtria, bashkë me një shok. Tjetri u kap nga rojet tona. Ndërsa ky, është stabilizuar në Detroit, pranë kushëririt të tij. Shikojnë punën e tyre dhe mban qëndrim indiferent ndaj nesh. Është arratisur për aventurë. Po kështu i arratisuri……………, është stabilizuar pranë kushëririt…………………, nuk flet keq për Shqipërinë, por thotë se u arratis pasi i’u mërzit jeta si bari në mal.
Aleksandër Kondo, ka filluar punë si pastrues në lokalet e seksit në New Jork. Ka thënë se u ka dërguar disa para, familjes së tij në Shqipëri, por ja kanë kthyer mbrapsht. Është plotësisht i dërrmuar, i zhgënjyer dhe madje i penduar, por për kryeneçësi këtë gjë nuk e shpreh. Gjatë kësaj kohe, nuk është shprehur për ndonjë veprim.Oficeri i DrejtimitD. M. /Memorie