MENU
klinika

30-vjetori i partisë

Sot Kongresi i PS, nga Nano te Ruçi e FRESSH, ja surprizat

12.06.2021 - 09:43

Socialistët sot festojnë 30-vjetorin e partisë së tyre, e cila në 1991 u konvertua jo pa debate nga Partia e Punës në Partia Socialiste e Shqipërisë.

Kongresi i jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste, i cili do të mbahet sot në orën 17:30 në stadiumin “Air Albania”, do t’i kushtojë pjesën e parë të tij 30-vjetorit të PS, gjithë rrugëtimit të saj nga formimi e deri në zgjedhjet e 25 prillit.

Mësohet se kulmi i suksesit të Partisë Socialiste, fitorja e mandatit të tretë qeverisës, për herë të parë për një forcë politike në 30 vite pluralizëm, do të zërë një vend të veçantë në festimet e këtij përvjetori.

Burime nga Partia Socialiste thanë dje se fillimisht do të shfaqet një dokumentar me të gjitha stacionet pikante të historisë së Partisë Socialiste, ku do të flasin protagonistë të ngjarjeve të rëndësishme, në opozitë dhe gjatë viteve në pushtet.

Mësohet po ashtu se do të ketë tre breza përfaqësuesish të PS-së që do të flasin në këtë kongres, ku Gramoz Ruçi do të përfaqësojë brezin e themeluesve, ndërsa do të mungojë kryetari i parë i saj, Fatos Nano, për shkak të problemeve shëndetësore.

Më pas, përfaqësues të brezit të dytë në këtë parti dhe eurosocialistë të tanishëm do të kenë një fjalë përshëndetëse. Gjithashtu, pritet të ketë dhe përshëndetje vlerësimi për rolin e PS në jetën e vendit edhe nga përfaqësues europianë të së majtës.

PROGRAMI

Në pjesën e dytë të Kongresit, do të prezantohet vizioni i socialistëve “Shqipëria 2030” nga Kryeministri Rama, në të cilin do të ketë të detajuar edhe piketat e programit qeverisës në mandatin e tretë 2021-2025.

Mësohet se nuk do të mungojnë në fjalën e Kryeministrit Rama edhe arritjet e qeverisjes së tij në dy mandatet e para, 2013-2021. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, foli dje për atë që pritet të ndodhë sot në Kongres.

“Natyrshëm që është moment historik në rrugëtimin e PS-së, e cila gjatë këtyre 30 viteve ka kontribut të veçantë në jetën politike të vendit. E vetmja forcë që nuk u ka bërë asnjëherë dëm interesave të vendit, përkundrazi. Kështu do të jetë pjesa e parë e Kongresit, do t’i dedikohet të gjithë këtij rrugëtimi 30-vjeçar.

Natyrshëm do të ketë përshëndetje, mesazhe dhe pas pjesës që lidhet me 30-vjetorin do të kalojmë në pjesën e dytë, prezantimi i vizionit tonë ‘Shqipëria 2030’, si dhe objektivat dhe programin tonë qeverisës që do të prezantojë Qeveria ‘Rama 3’ në shtator.

Më pas do të bëjmë një analizë të thellë të punës dhe më pas ratifikimi i vendimeve që ne kemi kaluar në Asamblenë Kombëtare”, tha Balla.

ORGANIZIMI

Në pjesën e tretë të Kongresit, do të ketë miratim të vendimeve të Asamblesë Kombëtare, që kanë të bëjnë me analizat e rezultatit zgjedhor të 25 prillit në nivel vendor dhe fushatën e hapjes së Partisë Socialiste ndaj anëtarësimeve të reja.

Analiza do të kalojë në tri faza përmes një komisioni të posaçëm, ndërsa procesi do të nisë në 15 qershor të këtij viti, deri në 15 janar të 2022 në çdo nivel të partisë. Në fazën e parë do të zhvillohet një analizë për rezultatet e zgjedhjeve, në periudhën 15 qershor deri më 15 nëntor.

Brenda kësaj faze do të zgjidhen edhe bashkëdrejtuesit e rinj të organizatave socialiste. Faza e dytë do të përqendrohet në analizën për rezultatet e zgjedhjeve në Këshillat Socialiste të Njësive Administrative që do të zhvillohen në periudhën 15 nëntor deri më 15 dhjetor 2021.

Në fazën e tretë do të bëhet një analizë për rezultatet zgjedhore në Asambletë Socialiste të bashkive dhe shkallë qarku, në periudhën 15 dhjetor deri më 15 janar 2022 dhe zgjedhja e kryetarëve të PS në nivel bashkie. Gjithashtu, në Asamble u miratuan disa vendime që pritet të konfirmohen nesër edhe nga Kongresi.