Të shtëna me armë kanë tronditur sot Tiranën. Një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur në një lokal shumë pranë gjykatës së Tiranës.
I plagosur ka mbetur ish-prokurori Adriatik Cama i shkarkuar nga vettingu. Cama ka qenë prokuror i çështjes së 21 janarit, teksa akutalisht punon si avokat. Policia ka identifikuar autorin dhe është vënë në ndjekje të tij.
Nga të dhënat e para, mësohet se babai ka vrarë ish-dhëndrin i cili ishte në proces divorci me vajzën e tij, ndërsa avokati Cama ka qenë me ta.
Ngjarja ndodhi në një lokal të njohur pranë Gjykatës së Tiranës. Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se autor i dyshuar i krimit, shtetasi me inicialet K.P., ka hyrë në një lokal ku ishte ulur ish-dhëndri i tij dhe ka qëlluar ndaj tij 8 herë me armë, duke i marrë atij jetën ( e kapen 5 plumba). Ndërkohë që është plagosur lehtë ish-prokurori, aktualisht avokat, Adriatik Cama, i cili është transportuar në spital. Mësohet se çifti ka qenë në proces divorci, duke e çuar autorin drejt aktit të rëndë.
Fill pas krimit, autori i dyshuar i ngjarjes është larguar me një automjet tip ‘Hyundai’.