Nuk kishte shënuar në 3 ndeshjet në grupe, por në fazën me eliminim direkt tregon vlerat e tij. Harry Kanë shënoi golin e 30-të për Anglinë me Southgate në stol, i 35-ti në total.
Vetëm Gary Lineker ka realizuar më shumë me një trajner të vetëm (35 me Boby Robson). Kapiteni i Anglisë barazoi rekordin e Wayne Rooney për numrin e golave të shënuar në Europianë dhe Botërorë për Anglinë (7).
Vetëm Lineker (10) dhe Shearer (9) janë përpara tij. Kishte kërkuar vetëm një rast, i erdhi dhe e shfrytëzoi. Dhe ndaj kujt, kundër Gjermanisë, që nuk është se të jepet rasti shpesh.
“Të dëgjoje ‘Wembley’-n ishte një moment që nuk do ta harrojmë kurrë. Do ta shijoj, por të shtunën kemi një tjetër ndeshje të madhe. Mora një goditje në gju, por e dija që bëhej fjalë për vetëm një kontakt.
Duhet të jemi gati për sfidën e radhës. Grealish hodhi një krosim perfekt. Të gjithë sulmuesit duan të shënojnë. Jam i lumtur që u zhbllokova dhe tani shpresoj të shënoj të tjerë deri në fund.
Tani çdo skuadër na shikon si rrezik. Nuk mund të fikemi tani, duam të shkojmë deri në fund. Nuk mund të ndalemi tani. Shpresojmë të rikthehemi në shtëpi për gjysmëfinalet dhe finalen”, – tha sulmuesi i Anglisë.