Deklarata epike e kryebashkiakes së Shkodrës Voltana Ademi se “dashuron molotovin”, duket se ka qenë një sentiment real dhe e sinqertë i karakterit të saj politik.
Në të gjithë karrierën e saj si kryebashkiake, që nga qershori 2015, Ademi ka qenë gjithmonë nxitëse e tensionit, e asnjëherë një “zjarrfikëse” politike, edhe pse Shkodra, por edhe politika atje ka pasur dhe ka gjithnjë mundësi të shpeshta tensionimi.
Qershori i vitit 2019, kur në Shkodër u rrezikua një 2 prill i dytë dhe djegia e selisë së PS-së në dhjetorin e vitit të shkuar, janë dëshmi reale të këtij karakteri detonator të një politikane që drejton një bashki shumë të rëndësishme dhe specifike për problematikat që Shkodra përmban në disa drejtime.
Edhe në rastin e Velipojës, Voltana Ademi, ndërhyri menjëherë, duke “gjetur” fajtorin, a thua se është një blogere e paguar nga “skifterët” e opozitës në rrjet për të vënë gjoba ndaj vipave të pushtetit.
Vërtetë, ka ndryshuar sivjet kompetenca për të dhënë shezlonet dhe çadrat për subjektet private, por bashkia e Shkodrës i ka pasur që nga viti 2015 dhe nuk krijoi asnjë model të paktën të rregullit apo të mbrojtjes së publikut.
Përkundrazi, siç u pa vjet; kryetari i PD-së për Velipojën ndërtoi në rërën e plazhit lokalin e tij, që më pas u prish nga IKMT-ja e Voltana shkoi për ta mbrojtur me trupin e saj. Bashkia e drejtuar nga Ademi, u dha leje shfrytëzimi të rërës emrave nga më VIP-at e kronikës së zezë në vend.
Por edhe për ngjarjen e së dielës në mëngjes, ajo si kryetare bashkie, duhet të kishte bërë rolin e saj institucional, por edhe si grua në paqtimin e situatës. Deklarata e saj ishte një benzinë për një zjarr që mund të ndizet edhe më, pas varrimit të të vdekurve që janë shumë.
Një kryetare bashkie që duhet të ndalojë përfundimisht fenomenin e gjakmarrjes, e cila është një plagë 30 vjeçare e tmerrshme për breza e breza familjesh që jetojnë të mbyllura. Një drejtuese me mandat të përfunduar që kurrë nuk i zbuti, por vetëm i acaroi situatat.
Edhe me Kanun pritet 24 orë nga ngjarja e më pas flitet për shkaqet, por Voltana ndërhyri menjëherë, duke i hedhur plagës kripë e zjarrit benzinë, nga shishja e saj e madhe e molotovit, që ajo siç ka deklaruar e “dashuron fort”.
Sa kërcet përvoja e tashme e zonjës Ademi, me një model krejt ndryshe kryebashkiaku në një kohë të tmerrshme siç ishte viti 1997.
Bahri Boriçi, mësuesi që fliste shumë pak, e që sot është një emigrant në SHBA, krijoi një model e precedent fantastik, që pasardhësit e tij ta kishin më kollaj për ta ndjekur.
Një i fortë që Voltana e ka pasur edhe zyrtar të policisë bashkiake e që u merrte gjoba tregtarëve, i vuri pistoletën te koka Bahri Boriçit për të firmosur një leje kioske diku tek shëtitorja pranë Bunës në vitin e tmerrshëm 1997.
E kryebashkiaku, qetësisht u përgjigj: Nuk do të firmos asnjë shkresë për të shëmtuar qytetin, buxhet nuk kam për ta modernizuar, por të paktën për ta shkatërruar nuk e bëj. E i forti thjesht u tërhoq.
Në marsin e 1997-s së frikshme, ku PD shpërndau armët militantëve e krerët e komisariatit braktisën punën e ikën në Tiranë, qyteti u vu nën kontrollin e disa nga bandave më të tmerrshme në vend. E Bahri Boriçi, mblodhi krerët e komuniteteve fetare, e drejtuesit politik, duke shëtitur cep më cep të Shkodrës për të dhënë mesazhe qetësie e paqeje.
Kur i ndjeri Mentor Quku, kreu i Ballit Kombëtar për Shkodrën pikasi kandidaturën e Bahri Boriçit për kryetar bashkie në verën e vitit 1996, dikush e pyeti: Profe, po për çfarë është i aftë ky Bahria, ça din me ba? Ai u përgjigj: “Ka me shpëtu Shkodrën nga kjo sherrnajë, e me butësinë e vet, do të zbusë edhe gurin..”
Profecia e studiuesit të njohur jo vetëm doli, por Quku ishte ballisti i parë i pas vitit 1944, i cili në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të tetorit 1996, u mori votat jo vetëm socialistëve të rinj, por edhe komunistëve të Luftës së Dytë Botërore për të zgjedhur Bahri Boriçin kryetar të bashkisë së Shkodrës. Duke vulosur kështu politikisht, aktin më të rëndësishëm pajtues pas rrëzimit të komunizmit, që politika shqiptare ka bërë dhe që ka pasur e ka shumë nevojë.
Por normalisht nuk do të zgjaste shumë, pasi PD e përdori Shkodrën si karburant për zjarrin politik, e jo si një model të saj të qeverisjes, të cilën e pati që nga viti 2000 e deri më sot, pra për 21 vjet me radhë.
Partia Socialiste, nga ana e saj, e ka braktisur Shkodrën politikisht, duke mos u përpjekur që ta marrë, kur ky qytet ka kaq nevojë për një ndryshim të madh. E ndoshta nuk ka nevojë ta marrë PS-ja drejtimin e saj, por të përsëritet modeli i vitit 1996 me Bahri Boriçin.
Të gjendet një figurë qytetare e familjeve me emër që përfaqësojnë të djathtën, për të ripërsëritur misionin e prerë në mes, të modelit vizionar që i ndjeri Mentor Quku projektoi për Shkodrën.
Një model, për të cilin edhe u mallkua, duke e etiketuar zgjedhjen e tij si thjesht me prapavijë fetare, kur në asnjë rast nuk ishte kjo linjë. Madje përkrahësit më të fortë të Bahri Boriçit ishin intelektualë të njohur katolikë të Shkodrës, e të persekutuar të regjimit komunist. Politikisht, Quku përsëriti Mukjen në mënyrën më moderne dhe pa nevojë për negociata, por duke ju nënshtruar demokracisë direkte.
Por meqë misionin politik ja prenë në mes, Mentor Quku, nxori nga harresa Mjedën e madh, e përgatiti të gjithë veprën e tij të plotë, i mbështetur nga Kisha Katolike…