Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kanë vlerësuar se zgjedhjet e 25 prillit janë karakterizuar nga një votim i qetë dhe nga një fushatë e gjallë dhe gjithëpërfshirëse, falë një kornize ligjore që ndihmoi në sigurimin e respektimit të lirive themelore.
Në raportin e reporterëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës thuhet se korniza ligjore e zgjedhjeve përbën një bazë të përshtatshme për zhvillimin demokratik të zgjedhjeve.
“Ndryshimet e fundit në kornizën ligjore ofruan masa mbrojtëse shtesë dhe bazoheshin në një hapësirë të gjerë konsensusi politik; ndërsa një numër rekomandimesh të Komisionit të Venecias ODIHR u adresuan tek reforma, disa rekomandime mbeten të pazbatuara”, thuhet në raport.
Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës theksojnë se zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga administrata zgjedhore dhe se kjo administratë në të gjitha nivelet në përgjithësi gëzonte besimin e palëve të interesuara.
“Reformimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, si një institucion i mirëorganizuar dhe transparent. Zbatimi i teknologjive të reja si identifikimi dhe votimi elektronik forcoi besimin e procesit zgjedhor”, thuhet në raport.
Delegacioni i Asamblesë shprehu shqetësimin në lidhje me pretendimet për blerjen e votave nga partitë politike të cilat ishin të përhapura gjatë fushatës.
“Një numër hetimesh u hapën për këtë, Prandaj, delegacioni i Asamblesë pret që autoritetet përkatëse shqiptare të marrin masat e duhura nga hetimet dhe të informohen për rezultatet në kohën e duhur” shkruhet ndër të tjera në raport.
Gjithashtu raporti nënvizon se liria themelore e tubimit ishte respektuar gjatë zgjedhjeve, subjektet elektorale mund të bënin fushata të lira, pavarësisht nga kufizimet e vendosura për shkak të Covid-19.