MENU
klinika

Punësimi i të dënuarve

Zgjidhen 20 gra të burgosura për të punuar në fasoneri, Gjonaj…

14.06.2021 - 20:46

20 gra të cilat vuajnë dënimet në burgun e “Ali Demit” do të kenë mundësi punësimi në fasoneri në kuadër të një programi të mundësuar nga Ministria e Drejtësisë.

Ministrja Etilda Gjonaj tha se kjo nismë do të fillojë me një trajtim 1 mujor me 20 të përzgjedhurat dhe më pas nënshkrimin e kontratave të punës për prodhimin e çantave.

Gjithashtu ajo bën me dije se paga do të jetë minimalja, ndërkohë që bazat materiale për zhvillimin e trajnimit dhe më pas të punës janë vendosur në dispozicionin e tyre.

Gratë të cilat janë përzgjedhur për tu punësuar në kuadër të këtij programi janë nga IEVP “Ali Demi”.

Postimi i plotë i ministers:

Kënaqësi që për herë të parë në sistemin e burgjeve, në këto 30 vjet, filluam zbatimin e programit të parë të punësimit për personat e paraburgosur dhe të dënuar. Tashmë që kuadri ligjor është i plotësuar duke përfshirë edhe të drejtën e punësimit të të burgosurve, projekti i parë pilot filloi sot zbatimin në IEVP “Ali Demi” në bashkëpunim me shoqatën “Pro Export Albania”.

20 gra të dënuara do të marrin pjesë në këtë program, i cili fillon me trajnimin profesional një mujor dhe më pas firmosja e kontratave individuale të punës për prodhimin e çantave me pagë referuese të pagës minimale. Baza materiale, makinat qepëse tani janë vendosur në dispozicion të të dënuarave dhe ky është vetëm fillimi i programit të punësimit që do të realizojmë në institucionet penitenciare.

Projekte në vijim të punësimit do të pasohen edhe në Institucionet e tjera të Ekzekutimit të Vendimeve Penale për të punësuar sa më shumë të dënuar, që jo vetëm të përmbushim objektivat tanë për rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre përmes punës, por edhe për t’i dhënë mundësinë e pagesës në të njëjtat kushte si pjesa tjetër e punëtorëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN