MENU
klinika

Euro 2020

Zvicra humbi kapitenin, Xhaka: Ku janë ata që nuk vinin bast për ne?!

29.06.2021 - 10:00

Zvicra pati një mbrëmje magjike ndaj Francës, duke e eliminuar me penallti nga Euro 2020, por në raundin tjetër do t’i mungojë kapiteni dhe lideri i padiskutueshëm, Granit Xhaka, që me kartonin e verdhë humbi mundësinë të luajë ndaj Spanjës në çerekfinale.

Sigurisht, kjo ndeshje nuk do të shihet po njësoj nga shqiptarët, edhe pse në fushë do të kemi me siguri një përfaqësues si Xherdan Shaqiri. Njeriu i ndeshjes kundër Francës polotësoi numrin e kartonëve të verdhë, sa për t’u pezulluar ndeshjen e radhës.

Dhe kjo ndeshje koincidon të jetë tepër e rëndësishme për helvetët. Xhaka do të mundohet t’i karikojë të tijtë nga tribuna, duke lënë një gropë të madhe në mesfushë, në “kullën e regjisë”. Pas fitores dramatike me përmbysje dhe nga pika e bardhë, numri 10 i zviceranëve tha:

“Fantastike, ne mund të kishim shkuar 2-0 brenda 90 minutave dhe ta mbyllnim ndeshjen, por penalltia e gabuar na bëri të vuanim shumë. U kthyem në lojë në fund, duke treguar një forcë të madhe mendore. Nuk di çfarë të them; ne barazuam për dhjetë minuta.

Pastaj te penalltitë ndjemë emocione fantastike. Kemi shkruar historinë, të gjithë duhet të jemi krenarë për atë që kemi bërë. Ku janë ata që nuk donin të vinin bast për ne? Tani të gjithë e dinë kush është Zvicra. Tani kemi një ndeshje të madhe kundër Spanjës, na duhet një paraqitje edhe më e mirë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN