MENU
klinika

Ylli Pata

A e ndihmoi Edi Ramën tërmeti e pandemia, siç thotë Mustafa Nano?!

15.07.2021 - 18:36

Mustafa Nano shkruante në një koment të tij, se tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e Covid 19-s ishin dy “gëzimet´e Edi Ramës, se ndryshe ai nuk do të vinte në pushtet në mandatin e tretë.

Ky parashikim i Nanos, që pa tërmetin apo pandeminë, Rama nuk do të merrte mandatin e tretë është një “lotari postmortum” e nuk vërtetohet dot, megjithatë edhe mund të analizohet.

Në fakt, “me gjasë” thotë Mustafa Nano, e gjasat ishin dhe janë gjithmonë për të gjitha palët kur futen në zgjedhje, flasim kryesoret.

Megjithatë, nuk është ky thelbi i diskutimimit, por argumenti që shtron Nano, që në fakt nuk është vetëm i tiji, ka kohë që shtrohet në opinion se Rama shfrytëzoi dy fatkeqësitë për të kalëruar dhe për të përfituar.

Dy ngjarjet në fjalë që përmend Mustafa Nano, realisht nuk janë lojë kalamajsh, por dy tragjedi të rënda, ku ka pasur mjaft viktima, si fatale por edhe më pak fatale.

Një qeveri apo administratë, e tregon veten çdo ditë në menaxhimin e punëve të vendit, por në raste të jashtëzakonshme, sjellja e saj merr natyrisht një peshë edhe më të madhe.

Pasi në fund të fundit, njerëzit ndaj dhe votojnë; që të kenë një qeveri sa më të aftë në drejtimin e punëve.

Në shumë vende të botës, sjellja ndaj fatkeqësive të tilla si tërmetet apo tsunami-t e mëdha kanë qenë determinante në perceptimin popullor në zgjedhjet pasardhëse.

Republikanët amerikanë, u ndëshkuan përveç të tjerave humbi në jugun e vendit, tradicionalisht i djathtë në zgjedhjet e 2008-s, edhe nga keqmenaxhimi i administratës Bush gjatë uraganit Katrina.

Ndërkohë gjatë pandemisë së Covid 19, të gjithë politikanët që e keqmennaxhuan këtë krizë globale u ndëshkuan keqas. Trump ishte i pari, por ka edhe më.

Qeveria Conte në Itali, ra edhe nga keqmenaxhimi i vaksinimit. Jonson në Britaninë e Madhe humbi pikë në fazën e parë të pandemisë, por u rrit me vaksinimin masiv.

Është një gjë krejt normale e nuk përbën çudi. Gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019, Edi Rama u mor me emergjencën, pra sistemimin e të pastrehëve dhe rindërtimin, që e vuri në prioritet.

A e menaxhoi mirë? Kjo duhet diskutuar, e mund të ketë këndvështrime të ndryshme, por përgjithësisht Rama u mor shumë me atë krizë thuajse gjithë kohën, edhe pse mund të ketë tepruar në spektaklizimin e saj.

Thelbi është: Menaxhimi i emergjencës, sigurimit të fondeve dhe rindërtimit. Ky menaxhim ka qenë intensiv nga Rama, por asnjëherë nuk u analizua kjo pjesë objektivisht nga kritikët e tij, apo opozitarët, të cilët i ikën diskutimit apo debatit, ashtu si Lulzim Basha dhe Ilir Meta zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 apo edhe tentativës me çadrën e 2017-s.

E njëjta ndodhi me Pandeminë, ku qeveria menaxhoi agresivisht fazën akute me masa drakoniane e më pas fazën tjetër me një çlirim me “dy duar” shoqëruar me vaksinimin masiv që Shqipëria e ka pasur një zhvillim të rëndësishëm, duke prishur edhe klishetë e “atdheut” apo “markës” nga vijnë vaksinat.

Megjithatë në këtë aspekt debati është i hapur, e mund të ketë qëndrime të ndryshme nga ata që e përkrahin qeverinë apo që e kundërshtojnë.

Por të rrijnë në llogoren e debatit në fjalë, sepse në fund të fundit ky është thelbi i sistemit alternativ. Nga ky debat dalin edhe problemet, por edhe modelet.

Ndërkaq bishtnimi i përballjes siç ndodh tek ne, apo edhe logjika se pala tjetër përfitoi nga kjo tragjedi vetëm argument politik nuk është.

Në vitin 1994, opozita ishte ndoshta më rëndë se ajo e sotme në përballje me Sali Berishën gjatë referendumit të Kushtetutës. Ju kundërvu, e përballi në kushte krejt të pabarabarta dhe e mundi.

Problemi i vetëm në analizë në këtë rast, është se asnjë qeveri tjetër në Shqipëri nuk është përballur në zgjedhje pas rasteve të tragjedive natyrore.

Por fakt është që nëse do të ishte Sali Berisha në vend të Edi Ramës, apo kushdo tjetër si për tërmet, apo pandemi, protagonizmin do ta kishte pasur të njëjtë, madje edhe më zulëmadh.

Po a do ta menaxhonte njësoj? Ja ky është debati, e ky duhet të jetë…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përse Basha nuk e ka vendosur në program?!

Ylli Pata: “Çështja çame” e 25 prillit si parodi


"Tregojini me votë se duhet të largohen njëherë e mirë"

Rama sulmon opozitën nga Londra dhe u bën thirrjen emigrantëve

"I dërguan ftesë ambadadorit tonë për të marrë pjesë në takimin e tyre, por…"

Rama tregon prapaskenat nga Londra: PD nxit akte antishqiptare në tokë të huaj

"Një grup të vebrish të nxitur nga të verbrit në Tiranë"

Turi me diasporën në Londër/ Rama iu përgjigjet protestuesve