MENU
klinika

"Mjaft më"

Analiza të ftohta mbi tema të nxehta

26.07.2021 - 14:26

        Mandela i Europës; gjithë jetën kushtuar çështjes së të drejtave nacionale të shqiptarëve që kishin mbetur padrejtësisht nën sundimin e egër në ish-Jugosllavi; fitues i çmimit “Saharov”; përfaqësues politik i UÇK-së; autor i romanit “Gjarprinjtë e gjakut”; ndër protoganistët kryesorë të zhvillimeve politike kosovare.

Më 26 korrik 2018, në Prishtinë ndërroi jetë Adem Demaçi, Mandela i Kosovës, i cili kaloi një pjesë të madhe të jetës në burg, midis viteve 1958-1990, për të luftuar për të drejtat themelore të shqiptarëve në Kosovë dhe për ta shpallur me zë të lartë, të vërtetën e hidhur për shtypjen serbe të dy milion shqiptarëve në Kosovë.

Retrospektivë

Shkruan Adem Demaçi

Analiza të ftohta mbi tema të nxehta

Çështja e Kosovës, pikërisht në këto kohëra të vështira, meriton një analizë paksa më të zgjeruar e më të thelluar. Sepse procesi i marrjes me Kosovën, të shumë faktorëve të afërt e të largët, ka histori të gjatë dhe ka filluar para gati një shekulli. Ky proces, që merret me përcaktimin e fatit politik të Kosovës, po vazhdon pa u ndalur. Në këtë proces të gjatë e të mundimshëm shqiptarët u munduan që të mbroheshin nga pushtimet, asimilimet dhe çfarosja, ndërsa, në anën tjetër, regjimet serbe bënë çmos për të pushtuar dhe për të serbizuar Kosovën duke mos ngurruar edhe nga eliminimi fizik i shqiptarëve nga Kosova me të gjitha mjetet e mundshme. Pas Marrëveshjes së padukshme të Rambujesë, Marrëveshja Ushtarake-teknike e Kumanovës midis Forcave të NATO-s dhe Forcave Ushtarake të (Jugosllavisë) Serbisë, ku UÇK-ja nuk u ftua të nënshkruante për ata që kishin sy e donin të shihnin, ishte hapi i parë i dukshëm drejt imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi. Hapi i dytë i dukshëm i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Aty është shumë qartë e shkruar se Kosova njihet si territor nën sovranitetin e integritetin e Jugosllavisë (Serbisë), sikundër që ishte e është e shkruar në Marrëveshjen e Rambujesë.

Hapi i tretë i dukshëm i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ashtu si shkruante edhe në Marrëveshjen e Rambuje-Parisit dhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit ishte demobilizimi i UÇK-së dhe shndërrimi i saj në organizatë civile nën emrin Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
Hapi i katërt i dukshëm, në përcaktimin e statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte ndërtimi, funksionet dhe autorizimet fort të kufizuara të Shërbimit Policor të Kosovës. Me autorizimet jo krejt të plota as në trafik, ky shërbim mbeti shumë larg asaj çka i duhej dhe që i duhet Kosovës me një mijë probleme në fushën e sigurisë qytetare. Ky shërbim ka numër mjaft të madh kuadrash, por po tregon efikasitet fort të vogël. Sepse kësaj policie nuk i lejohet, sepse nuk i besohet, që të krijojë rrjet të gjerë e të fortë informimi nga qytetarët. Dhe, pa këtë, ky shërbim mbetet forcë vetëm në sipërfaqe të shoqërisë dhe pa informata të thella, të shpejta e të sakta, falë të cilave do të parandalonte e do të zbulonte bartësit e të gjitha llojeve të krimeve që kanë vërshuar Kosovën. Këtij shërbimi nuk i njihen kompetencat esenciale të vendimmarrjes dhe të komandimit të pavarur.

Hapi i pestë i dukshëm, në imponimin e statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, është Shërbimi gjyqësor i Kosovës. Me dhjetëra mijëra lëndë gjyqësore që kanë marrë formën e përfunduar juridike kanë mbetur të paekzekutuara. Sepse shërbimi ekzekutues i gjyqësisë kosovare ka mbetur i pakonsoliduar. Në gjyqe dominojnë dhe fjalën e fundit e kanë kuadrot e sjellura nga jashtë dhe mjafton të shfletohen disa botime të dala nga institucioni i Ombudspersonit që të shihet se çfarë ka ndodhur e çfarë po ndodhë me gjyqësinë kosovare. Dhe, kur të dihet se gjyqtarët dhe prokurorët e jashtëm janë mbi ligjet e Kosovës, atëherë s’ka çfarë të thuhet më shumë për këtë shërbim tejet të rëndësishëm.

Hapi i gjashtë i dukshëm, në imponimin e statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, janë edhe marrëdhëniet e pamundshme diplomatike të Kosovës me botën.
Ka përpjekje që kjo të kamuflohet me disa premtime e propozime, por të gjitha ato nuk janë ato çfarë i duhen Kosovës. Kosovarët nuk kanë leje as të informojnë zyrtarisht botën për të vërtetën e Kosovës, as të marrin pjesë në takimet ku bëhet fjalë për Kosovën, as të mbrohen nga shpifjet dhe manipulimet e shërbimit diplomatik serb. Sepse, Kosova, sipas Marrëveshjes së Rambuje-Parisit dhe Rezolutës 1244 nuk është shtet, as nuk guxon të bëhet shtet.

Hapi i shtatë i dukshëm, i imponimit të statusit autonom politik për Kosovës nën Serbi, është mosekzistimi i kufijve shtetëror midis Kosovës dhe Unionit Serbi-Mali i Zi. Ekonomia e Kosovës është fare e pambrojtur nga depërtimi i të gjitha llojeve të mallrave të paçertifikuara e të pakontrolluara nga Serbia dhe nga të katër anët e botës. Në këtë mënyrë edhe destimulohet prodhimtaria e vendit deri në përmasa të tejme.

Hapi i tetë i dukshëm, i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte dhe është e drejta e partive të Serbisë që të mund të organizojnë e zhvillojnë zgjedhjet e tyre edhe në territorin e Kosovës. Kjo, besoj se është aq e tejdukshme, aq e prekshme, aq therrëse saqë s’ka nevojë për ndonjë koment. Hapi i nëntë i dukshëm janë të drejtat e shumta të rezervuara për të dërguarin special të OKB-së. Ai ka të drejtë vetoje për çdo vendim që mund të merret nga vendorët e që ai e konsideron në kundërshtim me Rezolutën 1244. Ai ka të drejtë të shpërndajë edhe Kuvendin e Kosovës nëse nuk i bindet. Ja, vetëm para disa ditësh, u bë e ditur se Këshilli i Sigurimit, me kërkesën e të dërguarit special të për Kosovën, ka vendosur që në Kosovë të votohet sipas listave të mbyllura. Edhe kjo, besoj nuk ka nevojë për ndonjë koment të gjatë. Në Kosovë ndërtohet demokracia me metodën më jodemokratike të votimit. Me lista të mbyllura, për në Kuvendin në “saksi” të Kosovës, (shpër)blehen e favorizohen liderët e dëgjueshëm të partive, kurse këta të fundit (shpër)blejnë e favorizojnë ithtarët e vet të dëgjueshëm duke u ndarë poste e kolltuqe. Hapi i dhjetë i dukshëm, i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte dhe është pengesa që Kosova të ketë kodin e vet të telefonisë fikse dhe të jetë pronare e vërtetë e hapësirës telefonike edhe për telefonat celularë. Dihet nga të gjithë që, edhe sot e kësaj dite, telefonia fikse e Kosovës është e lidhur me botën vetëm përmes kodit të ish-Jugosllavisë të cilin e ka trashëguar Serbia. Kjo po ndodhë edhe me kodin bankar-financiar të Kosovës i cili detyrimisht po lidhet me kodin financiar të Serbisë. Gjithashtu, targat e automjeteve me regjistrim të Serbisë dhe të Malit të Zi kanë qasje të lirë në territorin e Kosovës, ndërsa automjetet me targat kosovare nuk lejohet që të kalojnë në territorin e Serbisë. Hapi i njëmbëdhjetë i dukshëm, i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte dhe është Korniza e Përkohshme Kushtetuese e Kosovës me të cilën u formuluan juridikisht të gjitha padrejtësitë që u ushtruan dhe që po ushtrohen mbi Kosovën dhe kosovarët.
Hapi i dymbëdhjetë i dukshëm ishte dhe është ngritja e një mekanizmi të quajtur Agjensia Kosovare e Mirëbesimit e cila ka të gjitha të drejtat për privatizim dhe që disponon me të gjitha pasuritë shoqërore e shtetërore të Kosovës në mënyrë kriminale. Dhe pas të gjitha këtyre argumenteve të lodhshme që u numëruan, është fare lehtë të kuptohet se çfarë, në të vërtetë, ishte strategjia e roli i administrimit të UNMIK-ut mbi Kosovën. Të gjitha këto rrethana, që u numëruan dhe që nuk u numëruan më lart, janë trajtim i Kosovës dhe kosovarëve në frymën e adaptimit dhe, hap pas hapi e dalngadalë, të pajtimit të tyre me statusin autonom nën Serbi. Pra, strategjia e UNMIK-ut ishte dhe është që Kosova e kosovarët të vihen para aktit të kryer të autonomisë nën Serbinë. Dhe, prandaj, para se Kosova të pavarësohet, standardet, të quajtura parime të mrekullueshme dhe thellësisht humane, nuk mund të implementohen. Nuk mund të implementohen sepse nuk janë krijuar parakushtet reale, konkrete, objektive për implementimin e tyre. Dhe fajin për këtë nuk e kanë as qytetarët e Kosovës, as shqiptarët si shumicë dërmuese, por fajin e kanë ata që sajojnë projekte që janë në kundërshtim me ligjet e jetës; fajin e kanë UNMIK-u, KFOR-i, Kushneri, Hakerupi, Shtajneri e deri dje Holkeri që u munduan të implementonin detyra duke pasur në duar vetëm instrumentet e dhunës e të trysnisë dhe duke mos përfillur vullnetin politik të shumicës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës. Fajin e kanë liderët e gjorë, jokurrizor e formalë të Kosovës që marrin përsipër realizimin ose implementimin e standardeve që synojnë krijimin e një shoqërie ligjore pa i pasur ligjet në duart e veta; që marrin përsipër implementimin e standardeve pa pasur në duart e tyre mekanizmin që i rregullon ato. Ato që u thanë më lart ishin vetëm krijimi i rrethanave të jashtme politike e ndërkombëtare për rikthimin e Kosovës nën shtetin e Serbisë. Mirëpo, për të arritur këtë qëllim, duhet të ndryshohen edhe rrethanat e brendshme. Dhe projekti për të ndryshuar rrethanat e brendshme kosovare është PISK-u, përkatësisht, Plani për Implementimin e Standardeve për Kosovën para se të shqyrtohet statusi politik i Kosovës.

Përse PISK-u para se të hapet shqyrtimi i statusit politik të Kosovës? Sepse statusi politik i Kosovës është përcaktuar me kohë, me Marrëveshjen e Rambuje-Parisit midis katër shqiptarëve të Kosovës dhe ndërkombëtarëve(pa Rusinë). Sepse, Statusi politik i Kosovës është përcaktuar me Rezolutën 1244 të KSOKB-së. Prandaj edhe u shpik standardet para statusit. Sepse, në rrethanat e krijuara në Kosovë, kur i tërë pushteti, realisht e faktikisht është në duart e ndërkombëtarëve, kur kosovarët faktikisht e realisht kanë vetëm pushtet formal, standardet e mrekullueshme evropiane nuk mund të implementohen në Kosovë. Sepse, nuk ka kush t’i implementojë. Sepse, shqiptarët si shumicë dërmuese, me masat që janë marrë, janë të penguar për ta bërë një gjë të tillë dhe pa shqiptarët nuk kanë si të implementohen standardet.

Ja,pika e parë e standardeve:
“Institucionet publike duhet të jenë përfaqësuese e demokratike”. Fare mirë, por si do të jenë institucionet demokratike e përfaqësuese kur ato nuk zgjedhen me lista të hapura, por me lista të mbyllura?

Pastaj, pika tjetër:
“Sundimi i ligjit është efikas dhe respektohet nga të gjithë”. Ligji është dhe mund të jetë efikas vetëm kur respektohet nga të gjithë. Por, ai, ligji, do të respektohet nga të gjithë nëse ai shpreh vullnetin e të gjithëve dhe nxirret sipas vullnetit e dëshirës së të gjithëve. Dhe, të gjithë e dinë se si nxiren ligjet e Kosovës.

Pika e tretë e standardeve:
“Të zhvendosurit të kenë të drejtë të kthehen nëse duan pa u penguar, kërcënuar e frikësuar”. Më mirë s’ka si të jetë! Por, kush po e shkel këtë të drejtë të shenjtë e humane të të zhvendosurve që të kthehen në shtëpitë, në banesat dhe tokat e veta? Tash pesë vjet, dy mijë e sa familje shqiptare e boshnjake të dëbuara nga Mitrovica e veriut nuk lejohen që të kthehen në banesat, në shtëpitë dhe në trojet e veta! Kush i dëboi dhe kush nuk i lejon që ata të kthehen, përveçse bandave serbe.

Pika e katërt:
“Të gjithë individët, pavarësisht nga përkatësia etnike, të mund të udhëtojnë e të punojnë të sigurt dhe të mund të përdorin gjuhët e tyre gjithkund dhe në secilin institucion të Kosovës”. Më mirë s’ka si të formulohet edhe kjo e drejtë elementare njerëzore, kombëtare e etnike. A mund të shkonin shqiptarët, boshnjakët e turqit lirisht në Mirovicën e veriut? Jo. Po a mund të lëviznin serbët nga Mitrovica e veriut në Mitrovicën e jugut? Po. A lëviznin serbët lirisht nëpër qytetet tjera të Kosovës? Po, lëviznin edhe në Prishtinë edhe në Fushë Kosovë edhe në Obiliq edhe në Prizren edhe në Gjilan edhe në Viti edhe në Kamenicë e le të mos flasim për Shtërpce, Graçanicë e Çagllavicë. Këtë balancë e prish vetëm regjimi serb me trabantët e vet.

Pika e pestë kërkon:
“Një kornizë për një ekonomi funksionale tregu”. Dhe, ç’bëri UNMIK-u për këto pesë vjet që të krijohet kjo “kornizë e kërkuar ekonomike”? Fare pak. Aq pak sa që edhe pas pesë vjetësh Kosova nuk mund të furnizohet me energji stabile e të mjaftueshme elektrike nga burimet e vendit. Po çfarë do të ndodhë me synimin e zhvillimit të domosdoshëm të mëtutjeshëm ekonomik të Kosovës pa energji të mjaftueshme e pa ujë të mjaftueshëm? Por, qëllimi i strategëve të rikthimit të Kosovës nën pushtetin e Serbisë pikërisht edhe është që Kosovën ta bëjnë sa më të varur nga importet nga Serbia. Ja, para pak ditësh u publikua raporti zyrtar i Bankës Botërore, i një institucioni autoritativ e neutral, nën titullin “Memorandumi ekonomik mbi Kosovën” në të cilin sillen të dhëna tmerruese. 52% e kosovarëve jetojnë në kufijt e varfërisë; 15% prej tyre posedojnë më pak se një euro në ditë, që konsiderohet tejkalim i varfërisë ektreme; rreth 37% e popullatës së Kosovës jetojnë me 1,42 euro në ditë që konsiderohet si varfëri klasike. Kurse bilanci i pagesave të Kosovës ka rezultuar si katastrofik: vetëm 4% e importit të Kosovës është mbuluar me eksport, që nënkuptohet se Kosova kishte bilanc negativ tregtar me botën në shkallë prej 96%! Nuk besoj se mund të gjindet edhe një shembull i kësaj natyre në hapësirën evroaziatike.
Sipas disa informatave, që nuk kanë përse të jenë të trilluara, 80 për qind të mallrave kryesore që shpenzohen në Kosovë kanë prejardhjen nga Serbia dhe shumica prej tyre kalojnë rrugëve sekondare e terciare dhe nuk certifikohen e nuk kontrollohen fare. Ndërsa vetë Kosova, memzi arrinë që nevojat e veta ushqimore, nga burime vendore, t’i plotësojë vetëm me 15%. Dhe, s’ka si të jetë ndryshe derisa më shumë se gjysma e sipërfaqeve të tokave bujqësore, arave e kullosave, ngelen ende të pa shfrytëzuara. Argumenti më i pikëllueshëm është se UNMIK-u me “katër shtyllat” e veta të famshme, për pesë vjet sundimi në Kosovë, lejoi që papunësia në Kosovë të arrijë shkallë rekorde në hapësirat evroaziatke duke kaluar shifrën prej 60 për qind të të papunëve ndër ata që janë të aftë për punë. UNMIK-u është ai që po e bën të mundur që privatizimi, në një Kosovë me një ekonomi në fund të pusit, të zvarritet deri në kufijt e sabotimit. UNMIK-u, bashkë me Beogradin, po i bën të mundura “lojrat” e AKM-së me fatin e ekonomisë kosovare. Pra, ajo kornizë e dëshiruar ekonomike, për një zhvillim të mbarë e të shpejtë të ekonomisë kosovare, nuk mund të ndërtohet duke u hapur rrugën hileve të shtetit serb në kurriz të Kosovës. Dhe, këtë rrugë mund ta mbyllin vetëm ata që e kanë hapur. Pika e gjashtë merret me porosi:
“Për TMK-në, rekomandohen vetëm detyra rreptësisht civile”. Kjo edhe po ndodhë. Por, siç po duket , TMK-ja, as si organizatë me veprime civile, nuk do të lihet rehat. Po hartohen e po thuren “plane tërheqëse” që ajo të çthuret e në fund të zhbëhet. Sepse, strategët e rikthimit të Kosovës nën sundimin e Serbisë, po kanë frikë nga e kaluara kryengritëse e një numri të anëtarëve të TMK-së.

Le ta shqyrtojmë standardin e shtatë që bën fjalë për:
“Dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit si rrugë e domosdoshme për zgjidhjen paraprake të të gjitha çështjeve kontestuese të ndërsjella, para se të shqyrtohet çështja e statusit politik të Kosovës”. Në dokumentet e Rambuje-Parisit dhe në Rezolutën 1244, nuk është harruar që të përmendet klauzola nga Marrëveshja e Helsinkit të vitit 1975 lidhur me ndryshimin e kufijve midis shteteve evropiane vetëm me marrëveshje të ndërsjellëta paqësore. Strategët e rikthimit të Kosovës nën sundimin serb, një herë për një herë, po insistojnë vetëm në dialogun e çështjeve “periferike-teknike” midis Prishtinës e Beogradit, por kjo është vetëm një “paralojë sa për t’u nxehur e joshur lojtarët”! Domosdoshmëria e standardit të dialogut Prishtinë-Beograd ka vetëm këtë kuptim thelbësor: t’ia bëjë të ditur Prishtinës se zgjidhja e statusit politik të Kosovës mund të bëhet vetëm me kompromis midis këtyre dy palëve. Dhe, zgjidhja kompromise me Serbinë do të thotë se çdo marrëveshje është e mundur, por vetëm pavarësi për Kosovën nuk ka dhe nuk mund të ketë. Operacioni fort i vështirë në këtë drejtim për t’i bindur kosovarët që të pajtohen me fatin e rikolonizimit të Kosovës nga Serbia ka filluar me masat e shumta që janë marrë deri tash e të cilat janë numëruar në pjesën e parë të kësaj analize. Tashmë, si e si, po kërkohet mundësia për të bërë edhe disa ndërhyrje “kirurgjikale”, substanciale në zemër të truallit të Kosovës. Dhe formula ka qenë e gatshme që moti, vetëm pritej që të piqeshin kushtet e rrethanat. Në emër të decentralizimit ose të qeverisjes lokale, regjimi serb doli me projektin për kantonizimin e Kosovës. Meqë termi kantonizim ishte fort transparent dhe zbulonte qëllimin përfundimtar të regjimit të Beogradit për të rrëmbyer copa tjera të tokës kosovare, strategët e taktikantët e politikës serbomadhe u dhanë pas trillimit të termave tjera më të “buta” në vend të “kantonizimit”. Mirëpo, edhe këto “fleksibilitete” hasën në njëfarë rezistence te disa liderë formalë të Kosovës. UNMIK-u duke parë se regjimi serb, nga ngutja, po zbulonte në mënyrë shumë të vrazhdë qëllimet përfundimtare të “boshnjakizimit” të territorit të Kosovës, doli me qëndrimin kundër kantonizimit. Pas shpërthimit të provokuar të marsit i cili ishte organizuar e kalkuluar fort mirë nga Beogradi, çetnikët në skenën politike të Serbisë dolën me tezën e përtypur me vjet se bashkëjetesë midis shqiptarëve e serbëve në Kosovë nuk ka dhe nuk mund të ketë! Sepse pakica serbe qenka e rrezikuar nga shumica shqiptare, për vdekje! Prandaj duhet marrë masa urgjente që Kosova përsëri të coptohet dhe Kosovës t’i rrëmbehen edhe territore tjera sikurse që iu rrëmbyen Kosova veriore bashkë me Mitrovicën veriore. Dhe, projekti i gatuar prej vitesh, u nxor në shesh dhe u miratua si dokument zyrtar. Ky dokument parasheh krijimin e Bashkësisë Serbe të Kosovës(e Metohisë) të sajuar nga pesë kantone, ose rajone, ose treva, s’ka rëndësi si do të thirren, por thelbi qëndron aty që në midis të Kosovës edhe ashtu të vogël, të krijohet edhe një mini shtet serb! Tash po kuptohet qëllimi i krijimit dhe i lejimit prej kohësh të krijimit të enklavave serbe gjithandej Kosovës. Synimi u shfaq haptazi: “Republika Autonome e Kosovës”, nga jashtë, të jetë e rrethuar nga shteti i madh serb, kurse nga brenda të jetë i kontrolluar, i frenuar dhe i provokuar, non-stop, nga mini-shteti “Bashkësia Serbe e Kosovë-Metohisë”. Me fjalë më të thjeshta, synimi është që të krijohet një “Kosovë-ferr” për shumicën shqiptare e cila, për shkak të rrethanave të padurueshme që do të krijoheshin, dalngadalë, por “me dashje dhe pa dhunë” do të shpërngulej nga trojet e veta dhe do të merrte botën në sy. Dmth. atë që nuk e arriti dot Millosheviçi me dhunën më të egër, do ta arrijë Koshtunica. Ky është synimi i regjimit të Beogradit dhe, tash për tash, gjërat janë duke u zhvilluar sipas projektit që si mbështetje ka: Marrëveshjen e Rambuje-Parisit, Marrëveshjen ushtarake-teknike të Kumanovës, Rezolutën 1244 të KS, Kornizën Kushtetuese për Vetqeverisjen Kalimtare të Kosovës dhe krejt në fund, PISK-un, përkatësisht Planin e Implementimit të Standardeve për Kosovën. Mirëpo, në krejt këtë projekt eksperimental ndërkombëtar me Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë, ka një defekt të madh dhe thelbësor dhe kjo është përqasja burokratike, tekniciste, voluntariste që kanë për bazë kompromise të ndyra ndërkombëtare ndaj çështjes së pavarësisë së Kosovës e të Malit të Zi dhe të çështjes së demokratizimit të Serbisë. Për ta “blerë” Serbinë, flijohen interesat e Kosovës e të Malit të Zi. Mirëpo, duke flijuar interesat e Kosovës e të Malit të Zi, “vriten” parimet themelore të demokracisë e humanizmit evropian e botëror, “vritet” demokratizimi i Serbisë dhe, duke “vrarë” demokratizimin e Serbisë, “vritet” paqja në rajon dhe përgatiten gjakderdhje të reja edhe më të tmerrshme se deri tash në një regjion edhe më të gjerë të Ballkanit perëndimor.

Por, ç’është e verteta, këto vrasje të parimeve themelore demokratike e humaniste, shtetet më të fuqishme të Evropës si Britania e Madhe, Franca, Rusia, Holanda, Belgjika e Portugalia i kishin bërë ç’prej kohësh edhe para Luftës së parë e Luftës së Dytë Botërore. Këto shtete kishin pushtuar e ndarë kontinentet e Azisë e të Afrikës. Këto shtete kishin monopolizuar lëndët e para të lira, kishin monopolizuar tregjet dhe kishin vënë nën kontroll fuqinë e lirë punëtore. Në këtë mënyrë, këto shtete kishin “pjellur” fashizmin italian, nacizmin gjerman dhe militarizmin japonez. Dhe, dihet fort mirë se sa shtrenjtë u paguan, nga të gjithë, “vrasjet” e parimeve themelore të demokracisë e të humanizmit evropian e botëror). Mirëpo, shtrohet pyetja e paevitueshme: Si është e mundur që edhe sot, pas gjithë këtyre përvojave të hidhura që ka përjetuar njerëzimi, të vazhdohet me “vrasjen” e parimeve themelore të demokracisë e humanizmit? Si ishte e mundur që pikërisht Fuqitë e Mëdha të Evropës së sotme bashkë me Amerikën t’i bënin lëshime aq të mëdha një regjimi kriminal e mafioz siç ishte ai i Millosheviçit? Si është e mundur që, pas gjithë atyre mizorive e tragjedive që pësoi populli i Kosovës, që këtij populli t’i imponohet robëria e re nën të njëjtin shtet? Nën të njëjtin shtet që organizoi masakrën e padëgjuar të të burgosurve të pafajshëm në kazamatin e Dubravës, masakrën e Reçakut, masakrën e Izbicës, masakrën e Krushës së Vogël, masakrën e Gjakovës, masakrën e Rahovecit, masakrat e Mitrovicës, masakrat e Tususit, masakrat gjithandej Drenicës. Si është e mundur që t’i imponohet një populli që edhe një herë të provojë “fatin” nën një shtet që bëri krim mbi krimet duke u munduar të fshehte krimet e veta, duke bartur me mija kufoma nga Kosova dhe duke i flakur në varreza masive gjithandej Serbisë?

E gjithë historia e deritashme argumenton se burimi thelbësor i të gjitha të këqiave ndërnjerëzore e ndërkombëtare ishte, është dhe do të jetë shkelja ose mosrespektimi i parimeve demokratike e humaniste. Populli ynë ka një thënie të bukur: “Pak ujë, pak miell, pak ujë pak miell dhe dikur bëhet brumi që nuk e ze as magjja”! Pra, krejt në fund, le të ndërpriten eksperimentet me fatet e popujve pa shtet e pa pavarësi dhe, le të pushojë vrasja e parimeve demokratike e humaniste midis njerëzve e popujve sepse një gjë e tillë na kushton të gjithëve. Sot, Kosova është vendi ku po bëhen eksperimente të palejueshme dhe ku po “vriten” parimet themelore të demokracisë e humanizmit nga ata që nuk do të duhej ta bënin një gjë të tillë. Mjaft më!

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit