MENU
klinika

"Rama po përpiqet të distancohet nga të korruptuarit"

Arrestimet e SPAK/ Nazarko: Po i jepet fund kulturës së pandëshkueshmërisë

13.07.2021 - 22:04

Analisti Mentor Nazarko është shprehur optimist për arrestimet e fundit të bëra nga SPAK. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 ai tha se operacionet e fundit po tregojnë se po tentohet t’ i jepet fund pandëshkueshmerisë.

Lidhur me mënyrën se si politika po reagon në lidhje me këto arrestime, Nazarko u shpreh se Rama po kërkon të tregojë se mund të shkëputet nga personat e korruptuar, pjesë e besimit se ai mbijeton duke rishpikur veten.

“Është e qartë që pas këtyre operacioneve nisur nga karakteri i veprave penale që janë goditur, -tenderët e organizuar nga ministritë apo bashkitë që janë udhëhequr nga socialistë, do të duhet kuptuar që këto lloj operacionesh krijojnë një lloj ndjenje frike, tek ata zyrtarë që pavarësisht nivelit të tyre të jenë më të kujdesshëm. Ky është efekti i parë pozitiv i këtyre operacioneve. Efekti i dytë është trimërimi ndaj ekzekutivit prej atyre që janë organi i ndjekjes penale të cilët fillojnë të ndihen të inkurajuar të veprojnë edhe ndaj personave të fuqishëm politikë. E treta është fundi i kulturës së pandëshkueshme risë. Dikush që ka bërë disa vjet më parë një tender si ai që përflitet për uniformën e policisë duhet të ketë menduar që është i pandëshkueshëm. Ja ku po ndodh që dikush që ka guxuar kësisoj, po ndëshkohet. Në pikëpamje të reagimit të politikës, ka një mënyrë pozitiviste për ta parë këtë që po ndodh që lidhet me zhvillimin e mandatit të tretë, me mënyrën se si e koncepton Rama zhvillimin e këtij mandati. Rama ka aftësinë për të rishpikur veten dhe pjesë e kësaj do të ishte shkëputja prej atyre që ja kanë garantuar fitoren në këto zgjedhje, njerëz që kanë pushtet politik si të zgjedhur lokalë, drejtorë, kryetarë bashkie të cilët për shkak të qëndrimit të gjatë në pushtet dhe mungesës së mbikëqyrjes së opozitës që është tërhequr nga detyra e saj këto 3 vitet e fundit, janë korruptuar fuqishëm. Nëse Rama do të demonstrojë se mund dhe do të shkëputet prej tyre atëherë kjo është një shenjë e mirë edhe për ne.”- u shpreh Nazarko.

I pyetur se si kryeministri Rama mund të shkëputet nga këta elementë, ai tha se Kryeministri mjafton të lerë të punojnë institucionet ligjzbatuese. Deri më tani ai po synon të distancohet si i pakompromentuar në asnjë nga keqbërjet e pushtetit të PS.

“Rama dhe çdo politikan i përmasave të tij punon që çdo ditë të kultivojë vendin e tij në histori dhe në këtë imazh egocentrik, ti e kupton që ai po flet në mënyrë që ta mbajë këtë imazh sa më lart, e të tregojë që është i shkëputur nga dukuritë negative. Maksimumi mund të dëftejë se ishte fajtor se i ka toleruar, por jo se është autor dhe nxitës. Kjo është qasja e Ramës, ai do të tregojë se ka distancë që nuk e komprometon atë. Ndaj po komunikon me institucionet që kanë qenë më të prekura, policinë, pushtetin lokal, etj. Pra, i ngjan një katarsisi, është një përpjekje vetëpastruese, ku Rama i jep rol dhe PS si parti që di të vetëpastrohet nga lidhjet e vjetra të kriminalizuara të krijuara nga pushteti jetëgjate” duke u shprehur optimist se “diçka e mirë, përparim minimal mund të ndodhë në këtë vend duke përmendur faktin se kryeministri nuk ka ndikim të plotë në institucionet e drejtësisë, sepse sovraniteti në to, domethënë kontrollo është i ndarë me të huajt”.

 

 

“Ne do të duhet të ecim me teorinë e përparimit minimal. Idealja do të ishte të kishte rotacion, çdo 8 vjet të paktën dhe rotacioni është i nevojshëm për të prishur lidhjet e vjetra që më pas kriminalizohen, por në këto kushte ku PS ka treguar se mund të konfirmohet për herë të tretë interesi është që ajo të vetëpastrohet. SPAK, BKH jan institucione ku pushteti mbi to është i ndarë me amerikanët. Ndikimi mbi to i kryeministrit nuk është 100% dhe kjo është një shenjë e mirë se diçka mund të ndryshojë në këtë vend, jashtë kontrollit të ekzekutivit”- u shpreh Nazarko

Më tej ai është shprehur besimplotë se arrestimet e bëra do të shkon në nivele më të larta duke thënë se duhet ta shohim gotën gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh. Drejtuar opozitës ai është shprehur se ajo duhet të ketë besim tek institucionet e drejtësisë dhe të heqë dorë nga denoncimet nga foltoret partiake, por të bëjë denoncime procesuale dhe të lerë institucionet të punojnë.

Duke ju referuar nivelit të arrestimeve, ai tha: “Ne duhet të imagjinojmë që ata i kanë marrë këto veprime duke qenë të mbrojtur nga dikush që është më lart se to i cili nuk ka treguar gjurmë deri më tani. Ende tabloja nuk është e plotë. Skema që funksion shteti, që e kap lepurin me qerre është se kapet dikush që ka përgjegjësinë e firmës dhe pastaj të tregojë se kush e ka urdhëruar. Unë besoj se do të kemi arrestime në nivele të tjera. Këto janë operacione që janë konceptuar që përgjegjësia të shkojë më lart se sa është deri tani”.

“Deri më tani me dijeninë time policia nuk ka pasur brenda vetes një grup ekspertësh që e ndjekin krimin ekonomik. Një nga veçoritë e Reformës në Drejtësi është se e ka shkëputur prokurorin nga drejtimi i centralizuar, i ka dhënë fuqi edhe një prokurori të thjeshtë , ka krijuar institucionet hetuese, me garanci, rroga, mbrojtje të madhe dhe këto veçori premtojnë që në vendimmarrje do të ketë autonomi. Deri më tani SPAK ka vepruar duke u mbështetur tek policia por më vonë do të kemi të bashkëpunohet me trupa të kontrolluar që nuk varen nga pushteti qendror. Këto janë risitë e Reformës në Drejtësi. Jemi në një situatë që duhet ta shohim gotën gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh. Ka një përparim minimal. Një pjesë e atyre që janë arrestuar kanë kontributin e tyre në fitoren e PS. Kjo nuk u ka dhënë atyre imunitet. Në kushtet që opozita nuk ka qenë në asnjë institucion ky është një përparim minimal. Pashë kritikat që po i vijnë Bashës në prag të Kongresit që i kërkojnë të heqë do të nga praktika e Berishës. U duhet dhënë besim institucioneve të drejtësisë sepse kështu funksion në perëndim. Është e pazakontë kjo që ndodh këtu”, -tha ai.

Në fund Nazarko ka komentuar edhe raportin nga Komiteti serb i Helsinkit i cili po tregon shkencërisht, objektivisht spastrimin që po u bëhet qytetarëve shqiptarë nga Serbia, publikim që ndodh pak para raundit të dytë të dialogut, raport i financuar nga Perëndimi dhe me mbështetjen e shoqërisë civile shqiptare si AFEDS, etj.

“Ka disa qasje pozitive nga qeveria e Kosovës para këtij raundi. Kokëfortësia për ta konsideruar zbatimin e Asociacionit si lëshim të madh dhe përmendja e reciprocitetit në trajtimin e shqiptarëve në Serbi dhe serbëve në Kosovë. Ky është një veprim që e forcon pozitën e Kosovës në negociata dhe dua të theksoj se Kurti po kërkon reciprocitet në trajtimin e pakicave, jo si dikur në planin financiar. Problemi është që ky reciprocitet nuk është i plotë. Pavarësisht se kërkohet, reciprociteti nuk ka ndodhur. Spastrimi etnik po prek çdo element të jetës, në investime, ndërtimin e shkollave shqip, në të drejtat themelore nëpërmjet pasivizimit të adresave posaçërisht. Dikush që i bën një raport të tillë Serbisë si Sonja Biserko- është e pamundur të konceptohet se ajo ka një homologe në Shqipëri-, duhet nderuar. Por ndërsa publikohet një raport si ky, çfarë ka ndodhur që ka bërë të heshtë politika në Shqipëri dhe Kosovë?”– u shpreh Nazarko.

“Politika jonë flet për 8000 boshnjaket e vrarë nga gjenocidi serb 25 vjet më parë, dhe nuk flet për 8000 shqiptarë që pastrohen etnikisht nga 2011 e këtej në Serbi, me teknika të pastrimit etnik që i ka bërë shqiptarët të padukshëm. Ata janë peng i dialogut, por askush nuk po flet për ta”, – tha Nazarko.