MENU
klinika

Nga Dritan Leli te Armando Subashi

Cilët kryebashkiakë munguan sot në takimin “paralajmërues” të Edi Ramës?

09.07.2021 - 16:21

Kryeministri Edi Rama thirri sot në takim të gjithë krerët e bashkive në vend, pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Lushnjës Fatos Tushe, i akuzuar për “shpërdorim detyre”. Në këtë takim Rama ua bëri të qartë kryebashkiakëve se duhet t’i “vënë gishtin kokës” dhe të tregojnë shumë kujdes me prokurorimet.

Por ajo që u vu re në këtë takim, ishte mungesa e kryebashkiakut të Vlorës Dritan Leli, me të cilin kryeministri ka patur edhe përplasje kohët e fundit.

Burime bëjnë me dije se Leli për arsye personale nuk do të ishte pjesë e këtij takimi. Nuk është e qartë nëse Leli kishte vërtet “arsye personale” për të mos qenë në mbledhje, apo shkak i mungesës është “problemi personal” me Edi Ramën.

Një tjetër kryebashkiak, i cili nuk mori pjesë në mbledhje ishte ai i Tiranës, Erion Veliaj. Arsyeja e mungesës së tij nuk dihet, por aty si përfaqësues ishte nënkryetari Arbi Mazniku.

Kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi, gjithashtu nuk ishte i pranishëm në takim. Newsbomb.al mësoi se ai ndodhej në ceremoninë e lamtumirës së kryetarit të PS në Mbrostar, Gëzim Dhima, i cili ndërroi jetë dje.

Megjithëse nuk mori pjesë në mbledhje, Rama e vlerësoi punën e Subashit duke e distancuar nga bashkia e Lushnjës dhe Fatos Tushe që sot ndodhet në burg. Sipas tij Fieri dhe Lushnja janë dy bashki kufitare dhe kanë marrë mjete nga Qeveria, por në territorin që mbulon Armando Subashi nuk gjen një kanal të bllokuar.

Kurse te Fatos Tushe, sipas Ramës, jo vetëm që kanalet janë të bllokuar, por bëhen dhe tendera dhe kryetari përfundon në burg.