Të merkurën hyri në fuqi faza e parë e planit të Francës për të ushtruar presion mbi popullsinë e saj për t’u vaksinuar ndaj Covid-19. Pasaportat e vaksinave janë tashmë një kusht për të hyrë në institucionet kulturore si teatrot dhe kinematë.
Disa javë më vonë, ky kusht do të shtrihet mbi një mori aktivitetesh të tjera, duke përfshirë udhëtimet në distanca të gjata, dhe tek hyrja në bare dhe restorante. Si alternativë të pa vaksinuarit mund të paraqesin prova e kanë kaluar sëmundjen apo një test të fundit negativ të PCR, edhe pse shumë shpejt testet do të kushtojnë 49 euro.
Bizneset që nuk kontrollojnë statusin e vaksinimit të klientëve të tyre, do të përballen me gjoba të majme. Shkalla e administrimit të dozave të para ka filluar të zvogëlohet në shumë vende evropiane. Por është detyrimi mënyra më e mirë për të rritur normat e vaksinimit? Edhe pa e bërë plotësisht të detyrueshëm, presidenti francez Emanuel Makron ka zgjedhur t’ua bëjë jetën më të vështirë -por edhe më të shtrenjtë -atyre që ende nuk janë vaksinuar.
Vendet e tjera evropiane po ndërmarrin hapa të ngjashëm, edhe pse u duhet ende kohë që të mbërrijnë tek qasja drastike e Francës.
Shenjat fillestare tregojnë se strategjia franceze duket se po funksionon, pavarësisht shqetësimit të gjerë mbi mënyrën se si do të zbatohen rregullat, dhe kundërshtimit të fortë nga një koalicion heterogjen i kundërshtarëve të pasaportave të vaksinave.
Rezervimet për t’u vaksinuar në faqen e internetit Doctolib, platforma kryesore për caktimin e një takimi për të marrë vaksinën, u rritën ndjeshëm pas njoftimit të Makron javën e kaluar. Rezervimet u rritën me 10 herë vetëm një ditë pas fjalimit televiziv të presidentit,në 1.2 milion, nga mesatarisht 120 mijë në ditë që ishte më herët.
Nga ajo ditë kërkesa ka rënë, edhe pse mbetet më e lartë se më parë. Kjo valë e re e entuziazmit,tregon se njerëzit që janë regjistruar për t’u vaksinuar nuk janë përfaqësues të flaktë të lëvizjes kundër vaksinave. Ata janë ngurrues të zakonshëm, ose thjesht njerëz që nuk e kishin kuptuar akoma seriozitetin e situatës.
Me normat relativisht të ulëta të rasteve te reja me Covid-19,dhe me një ekonomi thuajse të hapur, shumëkush ndoshta ndjeu pak urgjencë për t’u vaksinuar. Edhe pse vaksinat kundër Covid-19 kanë marrë një vëmendje të paparë nga publikut, vaksinimi i detyrueshëm nuk është gjithashtu asgjë e re, thekson Samanta Vanderslot, një sociologe e shëndetësisë në Universitetin e Oksfordit.
Britania e Madhe kërkoi që të gjitha foshnjat e lindura pas vitit 1853 të vaksinoheshin kundër lisë. Disa vende evropiane, kërkojnë që fëmijët të marrin me detyrim vaksina të caktuara, si ato që i mbrojnë nga fruthi dhe tetanozi. Megjithatë, vaksina të tilla bëhen zakonisht që në fëmijëri.
“Detyrimi i popullatës së përgjithshme të rritur për t’u vaksinuar, nuk ka precedentë në botën e pasur”- thotë ajo. Vaksinimi i detyruar mund të shihet si një shkelje e lirisë individuale, por bllokimi, alternativa e vetme ndaj imunizimit masiv që mund të ndalojë me sukses vdekjet e shumta kur virusi përhapet gjerësisht, është padyshim shumë më tepër.
Pra marrja e një vaksine cilësohet si një kufizim më i vogël i lirisë personale, sesa vendimi i qeverisë për t’i urdhëruar sërish njerëzit të mbyllen në shtëpitë e tyre, dhe duke i ndaluar ata të kontaktojnë fizikisht me familjarët e tyre. “Bllokimi është shumë më imponues”- thotë Hugo Drosho, teoricien politik në Universitetin e Notinghemit.
Ky argument duket se mbështet nga shumica e francezëve. Sipas një sondazhi, 62 për qind e tyre e mbështesin politikën e pasaportave të vaksinave. “Vaksinimi i detyrueshëm nuk do të sjellë një humbje të madhe të lirisë. Përkundrazi, ai është një garanci se liria mund të ruhet për të gjithë”- shkroi Tomas Legrand, një gazetar i njohur francez.
Për më tepër, duke vendosur se kushtëzime të tilla për të inkurajuar vaksinimin, qeveritë duhet të ekuilibrojnë liritë private me mirëqenien e shoqërisë në përgjithësi. “Zgjedhja për të bërë një vaksinë shihet pjesërisht si një zgjedhje individuale, por kur bëhet fjalë për sëmundjet infektive dhe shëndetin publik, gjërat ndryshojnë”-thekson Vanderslot.
Kjo pikëpamje duket veçanërisht e rëndësishme nën dritën e kërcënimit nga varianti më i transmetueshëm Delta, për të cilin Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), thotë se do të përfaqësojë shumicën dërrmuese të infeksioneve në Evropë brenda disa javësh.
Modeli i ECDC, tregon se përqindja e incidencës në Zonën Ekonomike Evropiane do të 4-fishohet në420 raste për 100.000 banorë deri më 1 gusht, nga 90 raste në mesin e këtij muaji. Pa një vaksinim masiv, e vetmja mënyrë për të parandaluar që kjo valë e re të përkthehet në më shumë vdekje, ka të ngjarë të jetë vendosja e bllokimeve të reja.
“Ne mund të kemi ose vaksinim masiv ose një cunam viral. Nuk ka asnjë alternativë tjetër”-tha në një intervistë Gabriel Atal, zëdhënës i qeverisë së Makron. Disa vende evropiane po zbatojnë tashmë politika të ngjashme me ato të Francës.
Portugalia dhe Greqia, po kërkojnë pasaportat e vaksinave për hyrjen në restorante, ndërsa Italia po i detyron punonjësit në sektorin e shëndetësisë të vaksinohen, ose të përballen me humbjen e vendit të punës. Në Britani, qeveria e Boris Xhonson ka thënë se duke nisur nga fillimi i shtatorit në klubet e natës dhe në aktivitete të tjera masive do të kërkohet prova e vaksinimit.
Xhonson ka lënë të kuptohet përdorimin e mëtejshëm të pasaportave të vaksinave, duke thënë:”Disa nga kënaqësitë dhe mundësitë më të rëndësishme të jetës, ka të ngjarë të varen gjithnjë e më shumë nga vaksinimi”.
Ndërkohë kancelarja gjermane Merkel ka thënë prerazi se qeveria e saj nuk do t’i detyrojë njerëzit të vaksinohen, duke argumentuar se një qasje imponuese mund të dëmtojë besimin tek autoritetet e shëndetit publik. Por më shumë i mundur sesa vaksinimi i detyrueshëm në Gjermani, është një ashpërsim gradual i kufizimeve në vjeshtë për personat ende të pa vaksinuar
Por nëse vala e tretë e koronavirusit në BE, që ka filluar të zgjerohet në vende si Franca dhe Italia, do të kërcënojë edhe një herë sistemin shëndetësor, atëherë qeveritë mund të vendosin të ndërmarrin veprime më drastike, mes tyre edhe vaksinimin e detyrueshëm të gjithë popullsisë së rritur. Ashtu si shumica e 18 muajve të kaluar, edhe kjo gjë do të ishte praktikisht e pa precedentë.