Zbardhen disa nga përgjimet në dosjen hetimore të SPAK për 11 të arrestuarit në Lushnjë, mes tyre edhe kreu i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, që u shkarkua nga kryeministri Rama pas prangosjes.
Siç rezulton nga hetimet, Tushe akuzohet nga organi i akuzës se ka ndërhyrë duke favorizuar një ndërtim pa leje.
Në dosjen hetimore Tushe del duke biseduar me një biznesmen i cili i ankohet se një prej inspektorëve i ka bllokuar punimet ndërtimore.
“Për gjykatën, në lidhje me këto episode u njoftua se shtetasi Fatos Tushe komunikon me një person me emrin Ismail Blliku, me nr. 069 ******8, me të cilin bisedon lidhur me një ndërtim që po kryen ai në fshatin Shegas dhe për faktin se një inspektor i quajtur F.L i ka ndërprerë punimet, ndërkohë që shtetasi Fatos Tushe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë i thotë t’i flasë në emrin e tij.”-thuhet në dosjen hetimore.
Biseda e përgjuar mes shtetasit Ismail Blliku dhe kryebashkiakut Tushe është zhvilluar mesditën e datës 5 mars 2021 rreth orës 11:45 minuta.
Blliku: Përshendetje Kryetar, jam Ismail Blliku, nga Shegasi, kemi biseduar bashkë… kam ulur një plaë shtëpi aty dhe më ka ardhur Fatos Lulja dhe me ka pezulluar punimet…
Tushe: Mirë mirë, i thuaj kam folur me kryetarin dhe telefoni… të thash unë më duket.. ky telefon nuk është për këto lloj bisedash merre rrugën … ju ku është Shegasi dhe hajde më thuaj mua këtu… telefoni nuk është për këto lloj bisedash … hajt….
Blliku: Dakord dakord
Tushe: hajt….
Në dosje thuhet se në raportet e vëzhgimit përballë qendrës shëndetësore po ndërtohet një objekt një katësh i cili ishte në fazën e parë të punimeve ndërtimore.
Ky objekt dyshohet të jetë ndërtimi për të cilin shtetasi Ismail Blliku bisedon me kreun e Bashkisë Fatos Tushe, duke kërkuar ndërhyrjen e tij për të mos pasur probleme me inspektoriatin ndërtimor të cilët kishin vajtur për kontroll në këtë objekt.
Pra, referohet deri në këtë fazë të hetimit, se është konstatuar një ndërtim pa leje, i cili nuk raportohet si i tillë, si rezultat i ndërhyrjes së kryebashkiakut Tushe, i vënë tashmë në hetim. Për sa më sipër prokuroria ka ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj kreut të bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe./BW
HETIMI DHE AKUZAT
Mbi kreun e Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe dhe zyrtarët e tjerë të kësaj bashkie të arrestuar një ditë më parë nga Policia e Shtetit me urdhër të Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rëndon akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
Bëhet fjalë për një tender prej 24 milionë lekësh të rinj për rehabilitimin e kanalit ujitës në fshatin Bishqethem dhe Bitaj të Njësisë Administrative Kolonjë. Tenderi për këtë vepër është hapur më 23 korrik të vitit 2020 me një fond limit prej 23 251 341.00 lekësh, me procedurë të hapur. Sipas të dhënave të tenderit, i cili është mbyllur në fund të muajit gusht të vitit të shkuar, në garë kanë marrë pjesë tri kompani, përfshirë edhe kompaninë “Euro Alb SHPK”, me pronar Bujar Muratin.
Kompania e Muratit u shpall fituese e tenderit në fjalë me fondin limit të vënë në dispozicion nga qeverisja vendore e Bashkisë Lushnjë. Nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, sipas SPAK, kompania “Euro Alb SHPK” arriti të fitojë tenderin e Bashkisë, i ndihmuar edhe nga zyrtarët lokalë. Kompania është themeluar në Bulqizë në vitin 2006 dhe ka një kapital prej 55 milionë lekësh të rinj, ndërsa aktiviteti i saj është në fushën e ndërtimit.
Në krye të skemës së abuzimit ishte Flamur Peqini, drejtori i Ndërmarrjes së Pasurive Publike dhe ish-kreu i Inspektoratit të Ndërtimit në Lushnjë, si dhe zyrtarët nën varësi të tij. Nga përgjimet, vëzhgimet në terren dhe kontrollet e transaksioneve, ka rezultuar që zyrtarët e këtij institucioni, paratë e tenderëve i kalonin në mënyrë fiktive te kompanitë private. “Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të alternuara këto me metodat tradicionale të hetimit”, thuhet në një deklaratë të SPAK.
Përveç pronarit të kompanisë “Euro Alb SHPK”, Bujar Murati, në pranga përfundoi edhe biznesmeni Ibrahim Lami, administrator i kompanisë “Loti shpk”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve” kryer në bashkëpunim. Kompania në fjalë, sipas dokumenteve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, e ka bazën në zonën e FushëKrujës dhe është themeluar në vitin 2003. Sipas ekstraktit në QKR, ajo merret me ushtrimin e veprimtarisë tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë të një sërë mallrash përfshirë edhe grumbullimin e bimëve mjekësore. Ndërsa ende nuk dihen akuzat konkrete që rëndojnë mbi të. Tushe është një ndër zyrtarët më të lartë në detyrë të arrestuar deri më tani nga SPAK.