MENU
klinika

Çfarë ndryshoi këtë vit?

Depozitat e biznesit rriten më ngadalë

23.07.2021 - 09:04

Depozitat e biznesit e kanë ngadalësuar rritjen gjatë këtij viti.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit maj totali i depozitave të biznesit arriti në 231.5 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 6 miliardë lekësh që nga fillimi i vitit.

Në dy muajt e parë të vitit depozitat e biznesit patën pësuar rënie, ndërsa pas muajit mars i janë rikthyer gradualisht rritjes. Por, kjo rritje është ndjeshëm më e ngadaltë krahasuar me vitin e kaluar.

Nga muaji mars i vitit 2020 (periudhë që përkoi me nisjen e pandemisë) e deri në fund të vitit të kaluar, depozitat e biznesit ishin rritur me rreth 27 miliardë lekë ose afërsisht 14%.

Vitin e kaluar, sidomos pas pandemisë, depozitat shënuan rritje mjaft të lartë, si në segmentin e individëve, ashtu edhe në atë të bizneseve. Tendenca e përgjithshme për të kursyer pas krizës, veç konsumatorëve, preku edhe bizneset. Pasiguria për të ardhmen, e lidhur me ciklin e pandemisë së Covid-19, ka krijuar një tendencë për ulje të shpenzimeve dhe ruajtje të burimeve financiare deri në daljen nga kriza. Përkohësisht, ruajtja e likuiditetit të biznesit u ndihmua nga shtyrja e kredive për pothuajse gjashtë muaj. Banka e Shqipërisë vlerëson se ndikimi financiar i shtyrjes së kredive, vetëm në segmentin e sipërmarrjes, arriti në 23.3 miliardë lekë, ose rreth 188 milionë euro. Gjithashtu, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik e uli volumin e punës së biznesit, duke bërë që kompanitë të vendosnin në punë më pak para’. Kjo ka bërë që më shumë fonde të ngelen të disponueshme në llogaritë bankare.

Një faktor tjetër me ndikim të konsiderueshëm është edhe vijimi i mbështetjes me kredi nga sektori bankar. Pas mesit të vitit 2020, kreditimi i ekonomisë, përfshi biznesin, i është kthyer ritmeve normale, madje më të larta krahasuar me një vit më parë. Bankat kanë vazhduar të mbështesin bizneset me linja financimi, duke lënë në dispozicion likuiditete që, për shkak të situatës, mund të jenë përdorur më pak se në vitet e shkuara.

Sidoqoftë, ritmet e rritjes vjetore të depozitave së bizneseve ngelen ende mjaft të larta, me 18.5%. Kjo normë rritjeje është më shumë se dy herë më e lartë se rritja mesatare e totalit të depozitave në sektorin bankar, megjithëse në vlerë absolute kontributin kryesor në rritjen e depozitave bankare vazhdon ta japë segmenti i individëve (me një shtesë prej rreth 60 miliardë lekësh në një vit), që ka një peshë specifike më të lartë.

Depozitat e biznesit përbëjnë rreth 17.5% të totalit të depozitave bankare në Shqipëri. Edhe pesha e tyre specifike është rritur krahasuar me një vit më parë, kur ato përbënin rreth 15.9% të totalit./MONITOR