MENU
klinika

Detajet

Dosja e SPAK, si shkoi një uniformë policie 2 800 euro

12.07.2021 - 15:32

SPAK arrestoi tre ditë më parë disa zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për abuzime në tenderin e blerjes së uniformave të Policisë së Shtetit me vlerë 25 milion euro.

Mes të arrestuarve është edhe drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara, Edlira Naqellari.

Sipas SPAK, Naqellari dhe  vartësitë e saj kanë shkelur barazinë në zhvillimin e tenderëve, ndërsa sipas përllogaritjeve del se një uniformë polici kapi vlerën kolosale prej 2 800 euro, ku vetëm kapelja kishte një kosto prej 328 eurosh.

Ne dosjen e SPAK në lidhje me arrestimet e kryera, listohen shkeljet e kryera nga punonjësit e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, të cilat çuan në një kosto kaq të madhe të uniformave të policisë.

Në Drejtorinë e Shërbimeve mbështetëse në Polici është krijuar një grup pune në maj të vitit 2019 që do të llogariste nevojat dhe fondin për blerjen e uniformave për punonjësit e policisë së shtetit. Ky grup pune ishte me kryetar Janaq Xhelilin, Drejtor i Drejtorisë së Logjistikës Mbështetëse, Zenel Hyka Shef sektori, Agron Celi shef sektori në drejtorinë e Sektorit Publik dhe Aurora Mulla specialiste për uniformat.  Nga ana tjetër një grup pune në Autoritetin Kontraktor me anëtar, Vojsava Copani, Zenel Hyka, Marsida Gargaj kanë bërë një pasqyrë me çmimet e tregut për uniformat.

Në dosjen e SPAK të siguruar nga gazetari i ABC, Ermal Vija, theksohet se në pasqyrën e përgatitur, janë përcaktuar nevojat e Autoritetit Kontraktor për uniforma policore, për 10 lloje uniformash  për vitet 2019,2020, 2021, 2022 me një vlerë për 2 434 015 880, pa TVSH.

Ndërkohë me 19 qershor të vitit 2019, Edlira Naqellari u ka kërkuar përfaqësuesve të Autoritetit Kontraktor, rishikim në përputhje me risitë e dakordësuara. Sipas saj Agjencia e Blerjeve të Përqendruara kishte dërguar dokumentacionet teknike edhe për blerjen e këpucëve për policinë. Kështu është përllogaritur si nevojë për këpucë për uniformat e policisë për periudhat 2019-2020 për 9 lloje këpucësh me një vlerë 655 168 560 lekë. Kështu kanë marrë ofertat për të siguruar këto nevoja për uniforma dhe për këpucë. Kështu është përllogaritur vlera 35 318 750 lekë.

Ndërkohë në dokumentin e siguruar nga Abcnews.al, theksohet se sipas llogaritjeve të kontratës për Uniforma Policie, Stema, Shenja dhe Grada për 4 vite, për 10 lloje uniforme policie u përllogaritur me një vlerë 2 212 575 020 lekë. Kjo pasqyrë e vlerës së kontratës u hartua nga Vojsava Copani, Zenele Hyka, Janaq Xhelili dhe Theodhori Gravani.

Ndërkohë në pasqyrën e vlerës për këpucët në 4 vitet e ardhshme dhe për 9 lloje të tyre u përllogaritur një shumë prej  552 453 800 lekë.

Kështu Njësia e Prokurimit, i është drejtuar Edlira Naqellarit për nxjerrjen e një urdhri për blerjen e uniformave të policisë. Është ndarë fondi përfundimtar prej  2 800 347 570 lekësh duke bashkuar tre objekte prokurimi, për uniformat, për këpucët dhe për sistemin elektronik të shpërndarjes së uniformave dhe këpucëve.

Pjesë nga dosja e SPAK, dhe shkresat mes Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe drejtoreshës së Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari. Të dy zyrtarët bien dakord që vlera referente e uniformave duhet të jetë ajo e mesatares së çmimeve të marra në treg dhe jo e çmimit më të ulët.

Brenda 7 ditëve nga publikimi i procedurës së prokurimit në SPE, janë paraqitur ankesa mbi dokumentet e tenderit në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, nga operatorët ekonomikë.

Me urdhrin e titullarit të Organit Qendror Blerës, nr.47/5 prot, datë 01.08.2019, është pezulluar vazhdimi i procedurës së prokurimit deri në shqyrtimin e plotë të ankesës, si dhe është ngritur Komisioni për Shqyrtimin e Ankesës, me pesë anëtarë, nga të cilët dy anëtarë ekspertë të fushës së inxhinierisë tekstike dhe të fushës së informatikës.

Duke qenë se gjatë shqyrtimit administrativ të ankesës, Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave në Organin Qëndror Blerës, është përballur me “cështjen paraprake” për të cilën është kompetent një organ tjetër publik, zgjidhja e së cilës është parakusht për marrjen e një vendimi përfundimtar nga KSHA, afati kohor 3 ditor është ndërprerë në datë 02.08.2019, me dërgimin e shkresave Aurotitetit Kontraktor, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me nr.1369 prot, datë 02.08.2019 “Kërkesë për rishikimin e specifikimet teknike” dhe shkresës me nr.1369/3 prot, datë 02.08.2019 “Kërkesë për rishikimin e specifikave teknike, termave të referencës, kritereve teknike që lidhen me shpërndarjen e uniformës së Policisë së Shtetit” dhe ky afat ka rifilluar pas dërgimit në Organin Qëndror Blerës të vendimit të organit kompetent, Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me shkresën nr.2317/13 prot, datë 13.09.2019.

Me shkresën nr.1369 datë 02.08.2019, nga ana e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, i është kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, rishikimi i specifikimeve teknike të objektit të prokurimit, si autoriteti kompetent, në mënyrë që Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave në Organin Qëndror Blerës, të marrë një vendim përfundimtar të arsyetuar mbi pretendimet e operatorëve për specifikimet teknike të artikujve të uniformës së Policisë së Shtetit.

Me shkresën nr.1369/3 prot, datë 02.08.2019, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, si autoriteti kompetent, rishikimin e specifikimeve teknike të shërbimeve në lidhje me shpërndarjen e artikujve të uniformës së Policisë së Shtetit, termat e referencës, kriteret teknike të pjesëmarrjes dhe të ofertimit që lidhen me sistemin e shpërndarjes së objektit të prokurimit, në mënyrë që Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave në Organin Qëndror Blerës të marrë një vendim përfundimtar të arsyetuar mbi pretendimet e operatorëve ekonomikë që kanë paraqitur ankesa.

Me urdhrin Nr.1007, datë 09.08.2029, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, “Për krijimin e grupit të punës, për rishikimin e Specifikave Teknike të Uniformës së Policisë së Shtetit”, është ngritur grupi i punës i përbërë nga anëtarët Janaq Xhelili kryetar, njëkohësisht Drejtori i Mbështetjes Logjistike, Zenel Hyka Shef Sektori në Drejtorinë e Mbrojtjes Logjistike, Agron Çeli Shef Sektori në Drejtorinë e Rendit Publik, Aurora Mulla, Specialiste për Uniformat.

Në përgjigje të shkresave nr.1369, datë 02.08.2019 dhe nr.1369/3, datë 02.08.2019, të ABP-së, nga ana e Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me shkresën Nr.2317/11 Prot, datë 15.08.2019, janë dërguar pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, praktikat mbi rishikimin e specifikimeve teknike, mbi procedurën për prodhimin dhe shpërndarjen e Uniformave të Policisë së Shtetit.

Në këtë shkresë theksohet nga Autoriteti Kontraktor, DPPSH se rishikimi i specifikimeve teknike, referuar studimit të tregut të realizuar, nuk sjell ndryshim në fondin limit të përllogaritur për këtë procedurë, të shpallur në sistemin e prokurimit publik.

Sipas pasqyrës së testimit të çmimeve të tregut, për efekt të rillogaritjes së vlerës së kontratës, për procedurën “Blerje uniforma për Policinë e Shtetit për vitet 2019-2022”, janë përshkruar ofertat me çmimet për njësi sipas subjekteve që u janë përgjigjur ftesës, për 11 artikuj. Në këtë pasqyrë theksohet se nga verifikimi i çmimeve më të ulëta pa TVSH, në ofertat e paraqitura nga subjektet e mësipërme, rezulton se nuk ka ndryshime me çmimet e dërguara në përllogaritjen e kontratës “Blerje uniforma për Policinë e Shtetit për 4 vitet 2019-2022”. Kjo pasqyrë është hartuar nga grupi i punës i përbërë nga Vojsava Çopani, Zenel Hyka dhe Preng Deda, dakordësuar nga Janaq Xhelili Drejtor i Mbështetjes Logjistike, Theodhori Gravani Drejtor i Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Me e-mailin e datës 22.08.2019, titullari i Organit Qëndror Blerës, Edlira Naqellari, ju është drejtuar përfaqësuesve të Autoritetit Kontraktor, Theodhori Gravani, Janaq Xhelili dhe Zenel Hyka, ku vë në dijeni edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ku ndër të tjera Autoritetit Kontrator, i sillet në vëmendje se në rast të ndryshimit/modifikimit të specifikimeve teknike nga Autoriteti Kontraktor, eventualisht do të jetë i nevojshëm edhe një proces analize testimi mbi vlerën e artikujve (për efekt të shumatores limit të çmimeve për njësi), si dhe nëse këto ndryshime ndikojnë në fondin limit të procedurës. Në këtë aspekt, sillet në vëmendje se në rast të analizës-testimit të tregut, vlera referente duhet të jetë ajo e mesatares së çmimeve të marra në treg dhe jo e çmimit më të ulët (referuar praktikës së rekomanduar nga APP). Vendosja e alternativave në të dhënat teknike të artikujve, shkakton interpretime të gabuara tek operatorët ekonomikë, si dhe problem në testimin e tregut, duke bërë që operatorë të ndryshëm ekonomikë të bazohen në alternativa të ndryshme në dhënien e çmimeve, duke mos testuar-analizuar efektivisht vlerën reale për një cilësi të caktuar të një artikulli. Në këto kushte theksohet se analiza-testimi i tregut duhet t’i referohet vetëm një alternative të dhënash teknike të artikujve, të konsideruar si variant më cilësor nga Autoriteti Kontraktor.

Me shkresën Nr.6716 Prot, datë 22.08.2019, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i është drejtuar për interpretim Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, nëse janë të pranueshme specifikimet teknike me alternativë, si dhe për aplikimin e mesatares së çmimeve të marra në treg. Agjencia e Prokurimit Publik ka dhënë si këshillë dhe asistencë teknike në drejtim të Autoritetit Kontraktor se duhet të vendosë mbi specifikimet e cilësisë së mallit të kërkuar, bazuar mbi një alternativë specifike konkrete të dhënash teknike të artikujve, pa vendosur dy ose më shumë alternativa. Ndërsa në lidhje me cështjen e dytë, APP sqaron se në kushtet kur autoriteti kontraktor në përllogaritjen e vlerës së kontratës i referohet çmimit të tregut, atëherë kjo përllogaritjae do të bëhet duke marrë për bazë mesataren e çmimit të tregut, kjo, me qëllim që vlera e përllogaritur e fondit limit t’i afrohet vlerës reale të tregut dhe të krijojë mundësi ofertomi nga operatorë të ndryshëm ekonomikë.
Me urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm nr.1007/1, datë 13.09.2019 “Për krijimin e grupit të punës, për ripunimin e Specifikimeve Teknike të Unifomrës së Policisë së Shtetit”, është ngritur grupi i punës që do të ripunojë specifikimet teknike dhe të bëjë ndryshimet e duhura me qëllim mundësimin e përmirësimit cilësor të uniformës së Policisë së Shtetit në përputhje me përvojën e vendeve të BE-së, grupi i punës i përbërë nga Janaq Xhelili, Znele Hyka, Agron Çeli dhe Aurora Mulla.

Dyshohet se bashkëpunonin me grupe të huaja kriminale

Disa të ndaluar nga aksioni antidrogë në Tiranë

Akuzat se u fut në listën e sigurt të PS-së me ndihmën e personazhit të krimit

Jurgis Çyrbja merret në pyetje! Çfarë deklaroi para prokurorëve të SPAK

Ish-kryeministri: Vazhdoj betejën i palëkundur

Gjyqi ndaj Berishës në të njëjtën ditë me protestën te Kuvendi!