MENU
klinika

Në oborrin e mbretit Zog

“Edhe më i varfri i shqiptarëve… ka një hije mbretërore”

12.07.2021 - 14:17

       Vendi më i harruar i Evropës, Shqipëria. Në vitet ’30 tragetet zbarkonin çdo ditë nga taka e Italisë dhe një avion pesë vendesh i “Adria-Aero-Lloyd” fluturonte tre herë në javë drejt aeroportit të Tiranës, por shërbimet ishin nën standardet e përdorimit dhe nuk viheshin dot në punë pa subvencione.

Shkëputur nga “King Zog: self-made monarch of Albania” – me autori studiuesin, Jason Tomes

Në vendin më të vogël ballkanik, të huajt ishin aq të rrallë sa bëheshin menjëherë të famshëm. Një anglez, francez apo amerikan i respektuar, i cili shfaqte interes të kënaqshëm ndaj vendit mund ta kishte relativisht të lehtë të përftonte një pritje nga mbreti-politikan.

Ekzistonte një histori sipas të cilës kur Zogu mërzitej u telefononte hoteleve për të gjetur ndonjë të huaj interesant që të shkëmbente dy llafe me të. Pallati i tij ishte më pak se pesë minuta larg dhe gjuha e përbashkët gjendej shumë kollaj.

Mbreti nuk ishte kozmopolitan, por ai fliste turqisht shumë mirë, gjermanisht mirë dhe frëngjisht mjaftueshëm për të biseduar.

Anglishtja nuk ishte opsion, ai refuzonte të humbiste kohë me një gjuhë, e cila i bindej gramatikës vetëm dhjetë për qind.

Një roje me një “Z” të ndritshme në pelerinë shoqëronte vizitorët përmes rrugës me tulla të kuqe në kompleksin mbretëror, në juglindje të sheshit qendror. Një sekretar, mbase Sotir Martini, apo adjutanti energjik Zef Sereqi shfaqeshin para të ftuarve për t’i informuar mbi disa pika të protokollit.

Dymbëdhjetë hapa më tej, shfaqej vila dykatëshe me stuko të verdhë, e cila ishte ndërtuar për një tregtar turk para luftës.

I drejtuar në sallonin e vogël të pritjes me pasqyra të ndritshme dhe llambadarë venecianë vizitori mund të shihte stallierin e oborrit nëpërmjet perdeve përpara se të shfaqeshin kanatet e xhamit. Një burrë me flokë kafe dilte menjëherë në skenë, i ulur në fund të një dhomë të gjatë dhe të ndriçuar mirë, e mobiluar në stil modern me letër muri ngjyrë të gjelbër.

Mbreti dukej i vogël dhe thuajse i padukshëm ndërmjet tryezës së madhe prej druri të kuq dhe portretit të madh të varur në murin mbas. Syprina e tryezës ishte e rregullt dhe me shkëlqim. Në pikturë shfaqej një grua e ashpër meso-moshë me një paraqitje jo dhe aq mbretërore. Vizitori hynte në dhomë dhe kollitej lehtë.

Kishte gjithnjë një shtëllunge tymi duhani dhe rrallëherë ndonjë dritare të hapur. Ai përkulej tre herë (siç ishte udhëzuar) dhe ecte përpara me hapa të kujdesshëm.

Ata më me pak fat janë penguar shpeshherë në qilimat dekorativë të shtruar në dyshemenë e lëmuar. Teksa i afrohej tryezës, sytë e tij përqendroheshin në tiparin më ekstravagant në horizont: Mustaqet e Mbretit.

Edhe pse shumë të mëdha, ato ishin gjithmonë të rregulluara dhe të stiluara me maja të holla të rregullta. Tundimi për t’u ngulur sytë mustaqeve duhej nënshtruar teksa mbreti ngrihej avash dhe pëshpëriste disa fjalë përshëndetje me zë të ulët e të qartë. Ai ishte rreth 1 metër e 80 i gjatë, qëndrimi i tij i drejtë dhe figura e tij thatime.

Ai bënte çmos që të dukej i mbajtur: Një kostum ngjyrë gri dopiopet nga Savile Roë, një këmishë e bardhë nga Sulka, Paris, këpucë të prodhuara me dorë në Itali. Një buzëqeshje e qetë shoqëronte shtrëngimin e fortë të dorës dhe vizitori ulej.

“Një cigare?”

Me një gjest mospërfillës, Mbreti ofronte një sërë markash cigaresh nga tavolina e tij. Ai merrte gjithnjë një për vete (i kërkonte falje jo duhanpirësve) dhe teksa cigarishtja e mbante të zënë për një moment, vizitori mund të skanonte në mendje mbretin.

Ai kishte një fytyrë të gjatë si rozë, jo me tipare mesdhetare, që vinte në formë konike nga balli i gjerë tek mjekra e ngushtë. Balli ishte i lartë dhe mund të kishte qenë më i lartë po të mos ishte për flokët e krehur në anën e majtë. Më pas, vihej re, sado e çuditshme që të ngjajë, se mjekra nuk ishte aq e mprehtë sa dukej në fotografi.

Tipari që binte më shumë në sy ishte hunda e drejtë, e cila në profil shkrihej me ballin në vijë të drejtë. Herë pas herë vetullat e rëna i jepnin një pamje zymtësisht të përvuajtur që ngjante simpatike dhe lehtësisht komike.

Vizitori më pas pyeste veten nëse aristokrati 38-vjeçar ishte vërtet prijësi i pamëshirshëm malësor, i cili kishte shkatërruar rivalët e tij dhe themeluar mbretërinë.

Zogu ulej në karrigen e tij, buzëqeshte sërish lehtë, a thua se po i zbulonte vizitorit hijen e një sekreti që veç ai vetë e dinte. Pavarësisht plogështisë që i shfaqej në portret, sytë blu në gri ishin gjithmonë në gatishmëri. “Shkrepini pyetjet tuaja të pavend”, thoshte duke qeshur përpara se të vazhdonte të jepte përgjigje krejtësisht të matura.

Pse e ktheu Shqipërinë nga republikë në monarki para disa vjetësh? Kishte vetëm një arsye për këtë. Ndryshimi ishte bërë në përputhje me shpirtin dhe dëshirën e shqiptarëve, themeli politik i të cilëve kishte qenë gjithnjë ndarja në prijës e baronë, secili i udhëhequr nga një shef suprem.

Intonacioni i zërit të tij ngjante çuditërisht i ri; një lloj rezervimi adoleshent davariste menjëherë idenë e një gjarpri dhome.

“I vetmi ndryshim për mua është se, në vend që të punoj tetë orë në ditë tani punoj 18 dhe mbaj përgjegjësi për gjithë shtetin. Jam një punonjës i vetëm që bëj punën time.

Ky është kuptimi i mbretërisë për mua”, thoshte me një ngërdheshje komike. Mbreti sigurisht nuk e mohonte faktin se Shqipëria kishte probleme të mëdha financiare.

Si mund të përballojë një familje mbretërore një komb aq i varfër? Ky kundërshtim zhvendosej me mirësjellje nga atmosfera. “Financiarisht, një mbret nuk i kushton një vendi asnjë qindarkë më shumë se një president”. Të dy kanë nevojë për një pallat.

Të dy kanë nevojë për roje. Me një buzëqeshje tjetër – e ngjyrosur me një nuancë të pavend melankolie romantike – Zogu i referohej uniformës së tij të bardhë me zbukurime floriri, e lidhur ngushtë me të.

Ajo ishte blerë para se ai të merrte fronin: “Kur isha president duhej të vishesha siç ma kërkonte posti, por edhe më i varfri i shqiptarëve ka një nuancë mbretërore, ndaj tani që jam mbreti i tyre nuk është e nevojshme që ta theksoj në një ndonjë mënyrë”. Në një mënyrë kokëfortë dukej sikur ai kërkonte aprovim, edhe intimitet.

Ai kishte një intonacion intim të alternuar me përmbajtjen aspak personale të përgjigjeve të tij dhe i mbante sytë e ngulur me ngulm tek i ftuari, i pavëmendshëm ndaj gumëzhimave të ndihmësve të tij që depërtonin mes dyerve të xhamit. Ishte gabim i zakonshëm që monarkia të konsiderohet si luksoze, vazhdonte më tej ai.

“Adoptimi i një regjimi që i shkon më shumë për shtat vendit garanton stabilitet më të madh të brendshëm, i cili si pasojë garanton dhe mbështetje më të madhe të huaj”. Një republike ballkanike s’kishte qenë ndonjëherë anomali.

Sigurisht, mbreti i shqiptarëve nuk mendonte se i takonte e drejta hyjnore. Ai ishte një monark kushtetues, i cili e kuptonte se pushteti i tij vinte nga njerëzit.

Kjo nënkuptonte një regjim të lirë dhe demokratik?

Zogu ishte gati të tundte kokën në shenjë miratimi, kur i kujtohej se të huajt kishin zakonin e ngatërrueshëm të ulnin e ngrinin kokën për të pohuar dhe të tundin kokën anash për të mohuar. Ai sforcohej për të lëvizur kokën poshtë-lart.

“Si mbret i popullit tim unë nuk kam asnjë interes se cila parti fiton dhomën e lartë përmes metodave kushtetuese. Kjo do të ndihmojë në edukimin e njerëzve sipas linjave demokratike, si në SHBA dhe do të sigurojë liri më të madhe për të gjithë”.

Kishte parti politike në Shqipëri?

Jo në kuptimin formal për momentin, rrëfente ai. Për momentin, mbreti i shqiptarëve duhej të ishte lideri dhe mësuesi i popullit të tij. Zhvillimi i vërtetë politik, do kohë.

“Nuk mund të mësohet një fëmijë pesë vjeç njësoj siç mund të mësohet një i rritur. Vetëm me vazhdimin e luftës ndaj analfabetizmit, fuqitë dhe përgjegjësitë e njerëzve të zgjedhur si përfaqësues, mund të rriten.”

Progres i konsiderueshëm ishte bërë në arsim, theksonte ai. Jo shumë kohë më parë, jo më shumë se dy mijë fëmijë shkonin në shkollë. Sot, ky numër ishte rreth 60 mijë.

Kur do të fitojnë femrat shqiptare të drejta të barabarta politike?

“Statusi i lartë e femrave është një prej faktorëve kryesorë në forcimin e një shteti”, deklaronte me bindje Zogu.

“Mendoj se do të ndjej përmbushjen e misionit më të madh të jetës sime, kur statusi dhe kultura e femrave në Shqipëri të arrijë majat, fillimisht në lartësinë e vendeve të tjera ballkanike e më pas në nivelin e femrave të botës perëndimore”. Të drejtat politike ishin vetëm një segment i procesit.

“Unë dua t’i arsimoj femrat, por dua dhe t’u mësoj të jenë nëna e shtëpiake të mira. Unë dua që femrat shqiptare të jenë gra të mira si ajo”. Ai e kthente karrigen dhe përkulej lehtësisht ndaj portretit që varej në murin pas tij, i vetmi portret në dhomë në fakt.

Mbreti Zog me Nënën Mbretëreshë dhe tre nga motrat e tij, të veshur me kostumin kombëtar“Ajo është nëna ime”, shpjegonte ai me ndjenjë dhe ndalej një moment për të vënë rregull në mendimet e tij e për të ndezur një cigare tjetër.

Poligamia dhe fejesa në djep ishin ndaluar tashmë dhe shumë shpejt do hiqej dhe perçja. “Do jetë një proces i gjatë sepse na duhet të çrrënjosim shumë paragjykime e menjëherë më pas do të vijë dhe e drejta e votimit për femrat.

E drejta e votës për gratë është një fenomen i ri dhe në shoqëritë më të avancuara, kujtoni.“Ne jemi shekuj pas Evropës për sa i përket civilizimit”, vërente Mbreti me një rrudhje vetullash. Kushdo mund ta dallonte se subjektet e tij të bisedës ishin injoranca dhe progresi.

Nuk ishte faji i tyre. Sundimi turk deri në vitin 1912 i kishte lënë ndjenjat, moralin dhe metodat bujqësore të Mesjetës. Nëse vizitori udhëtonte në male, ai do shokohej me kushtet më të varfra të jetesës që mund të gjendeshin në Evropë.

“Më vjen shumë turp nga kjo ndonjëherë”, psherëtinte ai. “Justifikimi ynë i vetëm është se nuk i bëjmë dot të gjitha njëherësh”. Pesëqind vjet qëndrim në vend, duhej të ç’bëheshin në një farë mënyre.

“Është qëllimi im që të civilizoj njerëzit e mi dhe t’i bëj me sa të mundem që të përftojnë zakonet dhe traditat perëndimore”. Gjakmarrja mund të jetë e pranishme në vende të ndryshme të mbretërisë, por ligji dhe rregulli kishin bërë progres të madh së fundmi.

Mbreti thoshte ftohtë se dhe ai vetë ishte objekt i shumë armiqësive, e asnjë prej tyre s’kishte pasur sukses. Në një pikë të intervistës, Mbreti e linte cigaren dhe përkulje lehtë me vështrim reflektues ndër sy.

Duke vënë duart e bardha delikate në tryezë, ai fliste butë dhe ndershmërisht: “Unë do u mbetem besnik interesave të Shqipërisë dhe mirëqenies së popullit të saj, edhe nëse më duhet të sakrifikoj jetën.

Nëse këto fjalë nuk justifikojnë veprimet e mia, atëherë gjithçka kam bërë deri tani për vendin tim, është thjesht shtirje”.Kushdo që s’ishte bindur nga ndershmëria e Zogut deri në këtë pikë, mbase s’do bindej kurrë.

Sidoqoftë, vizitori i sjellshëm i uronte suksese në misionin e tij. Ministër i Brendshëm në moshën 24-vjeçare; Kryeministër në moshën 27-vjeçare; President në moshën 29-vjeçare dhe mbret në moshën 32-vjeçare – ai me siguri që kishte punuar fort për konsolidimin e kombit shqiptar.

Sovrani i kënaqur falënderonte më pas vizitorin për mendjemprehtësinë e tij. Qeveritë e huaja, fatkeqësisht nuk ishin gjithnjë aq të shpejta për të vlerësuar punën e tij.

Shqipëria ishte një vend i vogël, thuajse aq sa Uellsi apo Nju Xhersi: 354 kilometra e gjatë dhe 144 e gjerë. Por Zogu insistonte se pozicioni në hyrje të detit Adriatik, i jepte rëndësi strategjike të rëndësishme.

“Pavarësia e Shqipërisë është thelbësore për paqen në Evropë”, pohonte ai. Duhet të jetë një shtet neutral, i përhershëm si Zvicra. Ky krahasim mund të çohej dhe më tej.

Ëndrra e tij ishte që një ditë, rrugët dhe hotelet e reja e të bukura, do ta kthenin “Hirushen” e tij në një destinacion turistik të lakmuar, duke ofruar edhe ski alpine, edhe plazhe mesdhetare.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista me konteshën Apponyi

“Mësoj shqip sapo gjej pak kohë të lirë”


“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët