MENU
klinika

Ndryshimet e Statutit të PD-së

Edit Harxhi propozon: Kryetarit t’i përfundojë mandati pas humbjes të vetëm një palë zgjedhjesh

14.07.2021 - 11:12

Ish-kandidatja për kryetare të PD-së, Edit Harxhi ka bërë disa propozime për ndryshimet statutore brenda partisë.

Në një dokument të depozituar pranë Komisionit të Përhershëm Statutor të Partisë Demokratike, ajo ka renditur disa nga propozimet dhe arsyet se pse duhet ndryshuar “Kushtetuta” e demokratëve.

Ajo thotë se pas dështimit të zgjedhjeve të 25 prillit, dhe pas konfirmimit të Lulzim Bashës në krye të PD-së pas votimeve në 13 qershor, është e nevojshme një qasje e re dhe një person që të mbajë përgjegjësi për dështimet e partisë.

Një ndër propozimet e Edit Harxhit, është kufizimi i mandatit të kryetarit të partisë pas zgjedhjeve të humbura. Sipas propozimit të saj, kryetarit të PD-së duhet t’i përfundojë mandati pas humbjes vetëm në një palë zgjedhje, e jo në dy siç është aktualisht.

“Në Statutin alternativ të paraqitur në vitin 2017 kam propozuar kufizimin e mandatit të Kryetarit të Partisë pas humbjes së dy palë zgjedhjeve të përgjithshme, por titullari i partisë nuk e pranoi këtë propozim, megjithëse shumë demokratik. Sot, kur ne kemi tre zgjedhje të humbura dhe jemi jashtë pushtetit qëndror dhe vendor për arsye të vendimarrjes së gabuar politike të Kryetarit dhe disa mbështetësve të tij, do të duhej që ne ta kufizojmë mandatin e Kryetarit të Partisë vetëm në një palë zgjedhje të humbura, sepse përfundimisht dikush duhet të mbajë përgjegjësi për humbjet e njëpasnjëshme të partisë sonë. Si është e mundur që prej vitit 2013, janë larguar nga strukturat drejtuese të partisë me qindra kryetarë degësh, qindra anëtarë të Këshillit Kombëtar, dhjetra anëtarë të Kryesisë së PDSH-së dhe disa Sekretarë të Përgjithshëm ndërkohë që Kryetari i Partisë nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për dëshitmet e PDSH-së dhe për premtimet e pambajtura” – shkruan Harxhi.

TË GJITHA PROPOZIMET E EDIT HARXHIT

  1. Ndryshimet Statutore në një parti politike nuk bëhen një herë në katër, vjet sa here që partia humbet një pale zgjedhje, vetëm për të rikonfirmuar në detyrë Kryetarin që nuk mban përgjegjësi. Statuti i partisë është një Kushtetutë e partisë dhe kjo Kushtetutë nuk mund të ndryshojë vetëm kur titullari e sheh të arsyeshme për të fshehur dështimet e veta. Jam e sigurt se do të regonim të gjithë kundër, ashtu siç edhe kemi reaguar sa here Kryeministri i vendit ka propozuar dhe votuar unilateralisht ndryshime kushtetuese në vend, sa herë ai e ka pare të arsyeshme.
  2. Në Statutin alternativ të paraqitur në vitin 2017 kam propozuar kufizimin e mandatit të Kryetarit të Partisë pas humbjes së dy palë zgjedhjeve të përgjithshme, por titullari i partisë nuk e pranoi këtë propozim, megjithëse shumë demokratik. Sot, kur ne kemi tre zgjedhje të humbura dhe jemi jashtë pushtetit qëndror dhe vendor për arsye të vendimarrjes së gabuar politike të Kryetarit dhe disa mbështetësve të tij, do të duhej që ne ta kufizojmë mandatin e Kryetarit të Partisë vetëm në një palë zgjedhje të humbura, sepse përfundimisht dikush duhet të mbajë përgjegjësi për humbjet e njëpasnjëshme të partisë sonë. Si është e mundur që prej vitit 2013, janë larguar nga strukturat drejtuese të partisë me qindra kryetarë degësh, qindra anëtarë të Këshillit Kombëtar, dhjetra anëtarë të Kryesisë së PDSH-së dhe disa Sekretarë të Përgjithshëm ndërkohë që Kryetari i Partisë nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për dëshitmet e PDSH-së dhe për premtimet e pambajtura?
  3. Ne duhet ti kthejmë Partinë anëtarëve të saj, pasi sot kjo parti ka sot vetëm një vendimarrje dhe kjo është e Kryetarit dhe në pak raste e Kryesisë së zgjedhur prej tij. Për këtë arsye ne duhet të sanksionojmë në Statut se vendimarrja për çdo marrëveshje politike, koalicion para apo pas zgjedhor dhe nisëm të rëndësishme politike duhet të jetë atribut vetëm i Këshillit Kombëtar të PDSHsë, si përfaqësues i drejtpërdrejtë i vullnetit të anëtarësisë së Partisë Demokratike. Megjithëse kjo pikë u arrit të vendosej në Statutin e vitit 2017, përsëri nuk u zbatua asnjëherë, pasi disa marrëveshje të rëndësishme politike dhe koalicione para dhe pas zgjedhore u vendosën pa miratimin e Këshillit ombëtar të PDSH-së dhe madje edhe të Kryesisë së Partisë.
  4. Zgjedhja e kandidatëve për deputet, anëtarë të këshillave bashkiake, kryetar bashkie duhet të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me anëtarin e Partisë Demokratike dhe jo të emërohen nga Kryetari i Partisë. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, ishin të panumërta rastet kur u shkel në mënyrë flagrante statute i partisë, madje edhe premtimet e bëra më parë nga vetë Kryetari i Partisë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Lista e përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave, megjithëse me një proçes të anatemuar pasi ishtë proces denigrues dhe përjashtues dhe jo vlerësues, nuk u morr parasysh. Madje në shumë raste edhe vota e demokratëve për vlerësimin e kandidaturave u shpërfill dhe u tjetërsua nga vendimarrja e Kryetarit të Partisë. Zëri i demokratëve të thjeshtë, punëtorëve të partisë prej vitesh duhet të dëgjohet dhe ai duhet të jetë i vetmi pushtet në Partinë tone, pasi anëtarësia e Partisë, dega, grup seksioni dhe seksioni janë ata që njohin më mirë problemet reale të Partisë dhe të qeverisjes sot dhe pikërisht duhet të jenë ata që duhet të vendosin për kandidaturat që vlerësohen nga anëtarësia dhe shoqëria. Kryetarët e degëve dhe strukturat lokale të partisë nuk mund të neglizhohen në asnjë mënyrë në procesin e vendimarrjes dhe nuk mund të sfidohen nga besnikë të kryetarit të partisë, që emërohen në periudha parazgjedhore si koordinatorë politikë në qarqe.
  1. Këshillit Kombëtar duhet të jetë forumi më i lartë vendimarrës i partisë sonë. Ai duhet të jetë i kufizuar në numër, i dhe përbërë nga 120 anëtarë në përgjithësi, nga të cilët 90 prej tyre të zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë nga Kuvendi Kombëtar, me propozim të degëve të PDSH-së dhe jo të Kryetarit. Çdo degë e PDSH-së duhet të ketë peshën e saj reale, në vartësi të arritjeve zgjedhore, në Këshill Kombëtar dhe në Kryesitë Partisë dhe të përqafësohet në këto dy forume me personalitetet të përzgjedhura nga degët, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të dëgjohet zëri i vërtetë i anëtarëve të saj. Aktualisht Kryesia e Partisë dhe Këshilli Kombëtar nuk përfaqësojnë në mënyrë të vërtetë degët e saj. Çdo propozim për të bërë anëtarë të përhershëm të Këshillit Kombëtar deputetët e zgjedhur të listës së Kryetarit, dhe kolegjin e kryetarëve, e zhbën zërin e vërtetë të anëtarësisë dhe vazhdon ta mbajë Partinë në forum të Kryetarit të saj.
  2. Këshilli Kombëtar duhet të ketë në përbërjen e tij edhe anëtarë të diasporës shqiptare në botë të cilët mund ti propozohen Kuvendit Kombëtar me një numër të kufizuar nga degët e PDSH-së në Diasporë. Kjo siguron hapjen e partisë dhe konsultimin me personalitete të diasporës shqiptare të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë ndihmojnë në shpalosjen e programit të PDSH-së dhe politikave të saj në botë.
  3. Forumet drejtuese të Këshillit Kombëtar, duhet të kenë mandat katër vjeçar dhe të jenë të pavarura nga Kryesia e Partisë dhe Kryetari i Partisë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë atë që quhet kontroll dhe balancim të pushtetit dhe do të sigurojmë vendimarrje të pavarur dhe kolegjiale. Këshilli Kombëtar nuk mund të jetë organ këshillmor i Kryetarit dhe Kryesisë së Partisë, por autoriteti më i lartë vendimarrës në PDSH. Pavarësia e organeve drejtuese të Këshillit Kombëtar dhe thirrja e mbledhjeve të Këshillit duhet të jetë e drejtë e Kryetarit të Këshillit Kombëtar, në bashkëpunim me Kryetarin e Partisë. Atributet dhe të drejtat e Kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe nën kryetarëve të saj janë të parashikuara në statutin alternativ të propozuar në vitin 2017.
  4. Partia jonë duhet të kalojë në një proçes të menjëhershëm të verifikimit të anëtarësisë së saj pasi ne ndryshojmë listat e anëtarësisë në zgjedhjet për Kryetar Partie, apo zgjedhje të tjera të rendëshme në parti, duke shkelur parimin bazë të demokracisë, të Kushtetutës së vendit dhe Statutit të Partisë sonë, “e drejta për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur”. Vetëm në procesin e fundit zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike janë hequr nga listat e anëtarësisë së PDSH-së me mijra demokratë dhe anëtarë të hershëm, më shumë se 28 mijë anëtarë të anëtarësisë së saj reale që prej 1990, kur edhe është themeluar partia. Anëtarë të hershëm dhe të tashëm të Partisë Demokratike, themelues e qëndrestarë, janë hequr nga listat e anëtarësisë jo pa qëllim dhe kjo ka deformuar partinë tonë në strukturë, përmbajtje, thelb dhe formë.
  5. Mosbërja publike e listave të Partisë Demokratike është një shkelje tjetër e parimeve themelore të së djathtës dhe demokracisë në parti. Kjo duhet të sanksionohet me një nen të posaçëm në Statutin e partisë dhe jo të fshihemi pas Ligjit për të Dhënat Personale, pasi ne nuk jemi parti të dhënash por parti individësh të lirë, të cilët kanë vendosur me dëshirën e tyre të lirë të jenë pjesë e kësaj organizate politike dhe kjo divizë është e sanksionuar që në statutin e pare të PDSH-së në vitin 1991.

10.Komisioni i Apelimit në Partinë Demokratike duhet të jetë një organ më vete dhe plotësisht funksional. Me anë të këtij komisioni duhet ti garantohet e drejta çdo anëtari të PDSH-së që të apelojë vendimet në rast shkeljesh. Ky Komision duhet të jetë funksional gjatë çdo mandati të Kuvendit Kombëtar dhe të propozohet nga Këshilli Kombëtari PDSH-së.

11.Partia Demokratike duhet të ketë një Rregullore të Breshndëshme për funksionalizimin e Statutit të saj dhe kjo rregullore duhet të miratohet në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar, pas konstituimit të tij. Përvoja e deritanishme ka treguar se PDSH-ja, në kundërshtim me Statutin e saj, është drejtuar pa rregullore të brendëshme dhe me rregullore ad-hoc të përgatitura nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, apo Kryesia e Partisë, sa here që Kryetari apo Kryesia është vendosur para përgjegjësisë së mos kryerjes së funksioneve të tyre.

KONKLUZIONE

Të nderuar anëtarë të Komisionit, këto ishin disa nga argumentet dhe propozimet e mia për të demokratizuar Partinë Demokratike në momentin kur Kryesia e Partisë e ka bërë fakt të kryer mbledhjen me urgjencë dhe pa asnjë arsye të Kuvendit Kombëtar. Analiza zgjedhore e cila përfundon në 30 shtator 2021, nuk mund të jetë subjekt i këtij Kuvendi Kombëtar, pasi ajo duhet të shtrihej në çdo degë dhe strukturë vendore të Partisë, por, mbi të gjitha, duhet të bëhej mbi disa parime bazë të demokracisë dhe të së djathtës, ku faji për dështimin nuk është kolektiv, por individual. Mbi të gjitha, mosfunksionimi si duhet i hallkave të strukturave të PDSH-së, vjen për arsye keq menaxhimi nga qëndra dhe jo nga anëtarët e saj të thjeshtë. Vendimarrja e gabuar e Kryetarit dhe Kryesisë së Partisë në veprimtarinë politike të partisë gjatë këtyre viteve, konformizmi, mungesa e kolegjialitetit dhe debatit të lirë në Parti, mungesa e konkurrencës dhe alternativave, mungesa e përballjes programore elektorale me anë të sistemit të primareve, mungesa e meritokracisë dhe vendimarrja e individit, si dhe heqja e sistemit të vlerave dhe mosruajtja e trashëgimisë ideologjike dhe e burimeve njerëzore në Parti, janë disa nga shkaqet kryesore të humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Nëse nga kjo e ashtuquajtur analizë do të dalë “masakra zgjedhore” si arsye kryesore për mosardhjen e PD-së si parti qeverisëse në zgjedhjet e 25 prillit 2021, atëherë përgjegjësia për këtë “masakër” duhet të bjerë mbi Kryetarin e Partisë, për dhënien e garancive publike për ruajtjen e votës së shqiptarëve dhe mosmbajtjen e premtimeve.

Çdo lloj vendimi i mëtejshëm në lidhje me aksionin politik të PDSH-së duhet të jetë vendim kolegjial, duke marrë parasysh situatën në të cilën ndodhet PDSH-ja sot pas 8-viteve në pozitë dhe gabimeve të shkuara në vendimarrje për aksionin e saj politik. Parlamenti është i vetmi organ i cili përfaqëson votën e sovranit dhe ne nuk duhet ti shmangemi përgjegjësive kombëtare dhe politike për asnjë moment. Partia Demokratike ka nevojë më tepër se kurrë të tregojë se është për qeverisje me duar të pastra dhe larg cdo akti korruptiv, larg kapjes së saj nga një apo disa individë dhe larg kapjes së pushtetit qëndror. Parimi i pandëshkueshmërisë duhet të nisë nga ne në rradhë të parë dhe mbi të gjitha duhet të kërkojmë një ndjesë publike për çdo premtim të pambajtur, apo të mbajtur keq ndër vite. PDSH-ja ka nevojë urgjente për kohezion social, hapje dhe bashkim të të gjitha kontributeve dhe vlerave të saj në vite dhe për këtë, si dhe për sa më lart, duhet të nisim një aksion politik për rishikimin, riformatimin dhe rimëkëmbjen e PDSH-së mbi baza të forta ideologjike të djathta si liria e individit, konkurrenca e brendëshme, mbrojtja e vlerave anti-komuniste dhe dekomunistizimi i vendit, së bashku me mbrojtjen e të drejtës së pronës dhe pronarëve të ligjshëm, ku vlerat euro-atlantike të vendit dhe integrimi në Bashikimin Evropian me vepra dhe jo fjalë, të jenë në themel të saj.

Dyshohet se bashkëpunonin me grupe të huaja kriminale

Disa të ndaluar nga aksioni antidrogë në Tiranë

Akuzat se u fut në listën e sigurt të PS-së me ndihmën e personazhit të krimit

Jurgis Çyrbja merret në pyetje! Çfarë deklaroi para prokurorëve të SPAK

Ish-kryeministri: Vazhdoj betejën i palëkundur

Gjyqi ndaj Berishës në të njëjtën ditë me protestën te Kuvendi!