Ekonomia do të rritet me 4.5% këtë vit, sipas pritshmërive të reja të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Parashikimet e BERZH, shkruan “Monitor”, mbeten të njëjtat si ato të vjeshtës 2020, por shumë më optimiste se parashikimet e fillimit të pandemisë, kur pritshmëritë ishin për rënie 9.5% në vitin 2020, teksa në të vërtetë, ekonomia ra 3.5%
RRITJA EKONOMIKE
BERZH përllogariti se ekonomia e Shqipërisë do të arrijë nivelin e 2019-ës që këtë vit, madje do ta tejkalojë atë me 1% që, por gjithsesi do të rritet me ritme më të ulëta se mesatarja e Ballkanit Perëndimor, me 5.1%. Në rajon ritmin më të lartë të rritjes këtë vit do ta ketë ekonomia e Malit të Zi, me 8.5%, për shkak të rënies së madhe të vitit të kaluar me -15.2%, ekonomia e Serbisë do të zgjerohet me 6%, ekonomia e Maqedonisë me 4%, ajo e Kosovës 4%, ndërsa ekonomia e Bosnjës, me 3.5%.
Sipas të dhënave kombëtare të publikuara një ditë më parë nga INSTAT, ekonomia e vendit tonë u rrit me 5.3% në tremujorin e parë të vitit me ritme më të larta se parashikimi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. BERZH u tregua më optimist në parashikimet e reja, duke korrigjuar me rritje në 4.2% ritmet e rritjes në vendet në zhvillim (Europën Lindore, Azinë Qendrore dhe Afrikën Veriore), nga 3.6% që ishin parashikimet në tetor të vitit 2020. Për 2022-shin, BERZH pret zgjerim të mëtejshëm me 3.9% rritje, ndërsa për Shqipërinë parashikon një rritje 4% vitin që vjen. Tkurrja e prodhimit në vitin 2020 ishte më e butë sesa ishte parashikuar më parë, pas përmirësimeve në mjedisin e përgjithshëm ekonomik në fund të vitit të kaluar, për shkak të eksporteve të forta dhe mbështetjes fiskale.
PASIGURITË
“Megjithëse parashikimet e rishikuara japin arsye për të qenë optimistë, mbetet një pasiguri e madhe në lidhje me rrugën e variantit të ri të Covid-19 (‘Delta’), që paraqet rreziqe veçanërisht të mëdha për vendet që kanë bërë më pak përparim me vaksinimet dhe për ekonomitë e varura shumë nga turizmi ndërkombëtar. Pamja për vitin 2020 është e larmishme. Ndërsa disa vende në Europën Qendrore dhe vendet baltike paraqiten mirë krahasuar me shumë ekonomi të përparuara europiane, falë një reagimi të fortë në eksportet e mallrave”, thuhet në deklaratën e BERZH-it.
Parashikimi për turizmin ndërkombëtar mbetet shumë i pasigurt për shkak të masave kufizuese, duke bërë që ekonomitë e varura nga turizmi të vazhdojnë të vuajnë pasojat. Dobësitë fiskale janë rritur pasi paketat stimuluese kanë rritur borxhin publik në rajonet e BERZH me një mesatare prej 11 pikë përqindjeje të PBB-së. Në shumë ekonomi, borxhi publik tani është në nivele që janë parë për herë të fundit gjatë recesionit në tranzicionin e fillimit të viteve 1990 dhe mund të rritet më tej. Ndërsa falimentimet deri më tani kanë mbetur të përmbajtura për shkak të mbështetjes së gjerë nga paketat e ndihmës, dobësitë mund të shfaqen kur tërheqin masat e mbështetjes së qeverisë.