MENU
klinika

Relacioni sekret i ministrit

“Ftesën e Shoqatës ‘Nënë Tereza’ për Kadarenë ta lëmë në heshtje”

24.07.2021 - 09:58

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Bamirësen dhe Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, si: “Padmashir”, dhe “Nehru”, nga qeveria indiane në vitin 1963 dhe 1972, “Magnasia” nga qeveria filipinase e cila e shpalli gjithashtu si “Gruaja e merituar e Azisë”, disa çmime paqeje nga SHBA, “Ambrogino i artë” nga Milano, “Nëna universale” në 1974 nga qendra e orientimit të emigrantëve, dhe çmimi ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën. Kalvari i Nënë Terezës që nga viti 1969, e cila nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë.

I gjithë dokumentacioni i plotë, (tashmë i deklasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekste të ndryshme, penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkombëtar!

Edhe pse në të gjithë botën ajo njihej si Nënë Tereza e Kalkutës, Bamirësja dhe Shenjtorja e famshme Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare dhe e çmimit ‘Nobel’ për Paqen në vitin 1979, nuk e fshehu kurrë origjinën e saj shqiptare, madje duke kërkuar që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze, italiane etj.,(ku u angazhuan krerët më të lartë të diplomacisë së këtyre dy shteteve), që të vizitonte nënën dhe motrën e saj që jetonin në Tiranë.

Por edhe pse lidhur me kërkesën e vazhdueshme për të vizituar atdheun e saj, asokohe dhe më pas u angazhuan disa prej diplomatëve kryesore të këtyre dy shteteve Perëndimore me të cilat Tirana zyrtare kishte marrëdhënie diplomatike, regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk e lejoi atë kurrsesi të vinte dhe të shikonte nënën e saj që ishte në momentet e fundit të jetës dhe Age Bojaxhi, u nda nga jeta me pengun e madh që s’mundi ta shihte edhe njëherë të bijën e saj, Gonxhen, të cilën s’e kishte pare, që kur ajo ishte fëmijë, kohë kur ajo ishte larguar nga shtëpia për t’u bërë murgeshë.

Por edhe pas kësaj, Nënë Tereza e Kalkutës, siç njihej ajo në të gjithë botën për shkak të misioneve të saj të bamirësisë në ndihmë të të varfërve dhe të vobektëve kudo që ata ndodheshin, në të gjitha skajet e globit, jo vetëm që nuk u zemërua me ata që nuk e lejuan të shihte nënën e saj, para se të ndërronte jetë, por përkundrazi, u lut për ta dhe vijoj të kërkonte pa u lodhur, për vite me radhë, që ajo të vinte një ditë në vendlindjen e të parëve të saj, qoftë dhe për të vënë një tufë me lule mbi varrin e nënës dhe motrës së saj, që tashmë ishin larguar nga jeta.

Por kërkesat e saj, për dy dekada (nga viti 1969, deri në 1989-ën), hidheshin poshtë me pretekste nga më absurdet nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më pas, pasuesit të tij, Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, të cilët shikonin pas saj dhe njerëzve që e shoqëronin: një “agjente të Vatikanit”, etj.!

Lidhur me këto si dhe të gjithë kalvarin e saj prej më shumë se dy dekadash për të ardhur në Shqipëri, ku mendonte që të hapte Shtëpitë e Bamirësisë, siç kishte bërë në vende të ndryshme të botës, si dhe arsyen e vërtetë sepse Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, vendosën që ta pranonin atë në vitin 1989, kur dhe erdhi për herë të parë në atdheun e saj, bëhet fjalë në shumë dokumente arkivore, ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, revista, flet-palosje, fotografi, etj., etj., të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al., në rubrikën historike dossier, duke filluar nga ky numër.

Vijon nga numri i kaluar

Relacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme për pritjen që do t’i bëhej Nënë Terezës në Rinas, si dhe programin e vizitave e takimeve të saj gjatë vizitës disa ditore në Shqipëri në maj të vitit 1990

P R O G R A M

E mërkurë 2 maj 1990

Ora 15.35

Pritja e Nënë Terezës në Rinas. Dalin për ta pritur sh. Ciril Pistoli, Maria Kraja, dhe Adelina Mazreku. (Këta i njofton sh. K. Çifligu)

Nëse Nënë Tereza, do të kërkojë të vizitojë varrezat, atëherë të organizohet kjo:

Më parë të jenë vendosur bustet e Shën Maries në varrin e familjes së saj.
Të jetë gati në Rinas, një veturë.
Për këto dy çështje të ngarkohet shoku Jorgo Melica.

Sh. Adelina Mazreku, do t’i japë Nënë Terezës, kopjen e letrës që i ka dërguar asaj sh. Ramiz Alia, si dhe kopjen e letrës së sh. Nexhmije Hoxha.

Kopjet e këtyre dy letrave do t’ja japi Adelina Mazrekut, Kostaq Çifligu.

Relacioni i ambasadës shqiptare në Romë për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me letrën e prof. Kaptano për Nënë Terezën

R. P. S. SH.

MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME

AMBASADA ROMË

Lënda: Letra e prof. Kapatanos për Nënë Terezën.

MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME

(Drejtorisë së Parë)

TIRANË

Bashkëlidhur, është një letër që na ka dërguar me postë prof. Xhusepe Kapatano, me anë të së cilës, lutet që të pritet në Shqipëri, bashkë me motrat, Nënë Tereza për të kaluar atje vitet e fundit të jetës së saj.

Për dijeni.

AMBASADORI

(Dashnor Dervishi)

Relacion i misionit shqiptar në OKB për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me telefonatën e bërë nga Zhanet Petrie, që njoftonte për 80 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës

Alb 008

Urgjent Ministrisë së Jashtme

Tiranë

Sot, më telefonoi bashkëpuntorja e Nënë Terezës, publicistja Zhanet Piters dhe më tha se sot Nënë Tereza, ka 80 vjetorin e lindjes së saj.

Ajo, theksoi gjithashtu se Nënë Tereza mbetet me shpresë për të shkuar në Shqipëri, së bashku me motrat e saj.

Telefoni i Nënë Terezës, në Kalkuta të Indisë është 9133297115 (këto numra përfshijnë dhe kodin e Indisë e të Kalkutës.)

Për dijeni.

New Jork më 27.8.1990

2249 mpj ab

Aug 27 1138 respond to 236456 alb ur

Telegram i urimit dërguar Nënë Terezës me rastin e 80 vjetorit të lindjes, nga Jorgo Melica, Kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme

NËNË TEREZA

Missionaries of Charity 54 A

ACHANDRA BOSE

CALCUTA

7016

INDIA

Me rastin e 80 vjetorit të lindjes, ju uroj nga zemra jetë të gjatë e shëndet të plotë.

Jorgo Melica

Kryetar i Komitetit për Marrëdhëniet Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme.

Tiranë më 29.8.1990

Letra e Nënë Terezës dërguar Presidentit Ramiz Alia nga Kalkuta, ku i kërkon që të pranojë murgeshat e saj për misionet e bamirësisë në Shqipëri

23 shtator 1990

I dashur President i vendit tonë të dashur, Shqipëri

Më vjen keq që nuk jam në gjendje të takohem me ju personalisht. Prandaj i kërkova zonjës Jane Patric, që të takohet me ju në vendin tim dhe t’ju vërë në dijeni për dëshirën time të thellë, për të sjellë në Shqipëri murgeshat e mija, për t’ju ofruar të varfërve përkujdesjen dhe dashurinë e tyre njerëzore.

Siç e dini ne tani, po punojmë në të gjitha vendet e Europës Lindore.

Zonja Patric, do të jetë në gjendje t’ju japë shpjegimet e nevojshme.

Zoti ju bekoftë

Nënë Tereza

MISIONARET E BAMIRËSISË

54 A ACHANDRA BOSE

CALCUTTA 700016 INDIA

Ftesa për t’u bërë

Relacioni i ministrit të Punëve të Jashtme, Reiz Malile, dërguar Drejtorit të Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror të PPSH-së, Sofokli Lazri, lidhur me ftesën e Shoqatës Bamirëse ‘Nënë Tereza’ nga Republika Federal Gjermane, për Ismail Kadarenë dhe Sali Manin

Shokut Sofokli Lazri

Bashkëlidhur, ju dërgoj një ftesë që dërgon Shoqata Bamirëse e Nënë Terezës nga RFGJ-ja, me të cilën fton Ismail Kadarenë dhe rapsodin Sali Mani.

Nga sa dimë, ne shkrimtari Ismail Kadare është jashtë shtetit.

Për korrektësi, pasi të verifikojmë mendojmë t’i përgjigjemi se Ismail Kadare, ndodhet jashtë shtetit dhe se për mungesë kohe, rapsodi Sali Mani, është e pamundur që të vijë. (Aktiviteti është në 20 tetor)

Reiz Malile

Tiranë më 16 tetor 1990

Shoku Reiz, porositi që të lihet në heshtje

18.10.1990

Relacioni i misionin diplomatic shqiptar pranë OKB-së, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me telegramin e dërguar nga Nënë Tereza, pasi mësoi lajmin e vendosjes së emrit të saj Kopshtit të fëmijëve Nr. 4 në Tiranë

2164 MPJ

ALB 003

MINISTRISË SË JASHTME

Pasi mori lajmin e dërguar nga ne, lidhur me vënien e emrit të saj kopshtit, Nr. 4 të Tiranës, Nënë Tereza, nëpërmjet kronicistes së saj, Jeanete Petrie, dërgoi këtë telegram me teleks:

Mr. Bashkim Pitarka

Ambasadorit të RPSSH pranë OKB

New Jork

I dashur ambasador Pitarka

Ju faleminderit që patët mirësinë të më dërgonit mbi ceremoninë e zhvilluar në Tiranë, me kopshtin e fëmijëve “Nënë Tereza”.

Isha shumë e lumtur të merrja këtë lajm dhe me zor po pres ta vizitoj atë kopësht. Ju lutem i thoni Presidentit tone, se unë vetëm numëroj orët deri sa të vij në Shqipëri me motrat e mija.

Paçi bekimin

Nënë Tereza

Misionaret e Bamirësisë

Kalkuta, Indi

Misioni Nju Jork

Datë 17.10.1990

Telgrami i urimit i Nënë Terezës nga Kalkuta dërguar Presidentit Ramiz Alia, Ministrit të Punëve të Jashtme, Reiz Malile, si dhe gjithë ministrave të Jashtëm të Ballkanit, me rastin e takimit të tyre në Tiranë

TELEGRAM

Presidentit Ramiz Alia

Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPS të Shqipërisë

Zotit Reiz Malile

Ministër i Jashtëm i RPS të Shqipërisë

Ministrave të Jashtëm të Jugosllavisë, Rumanisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Turqisë.

Sa bukur që ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit, do të takohen në Tiranë, më 24-25 tetor. Qofshi me zemrën plot dashuri, për lavdinë e Zotit dhe për mirësinë e të gjithë popujve.

Unë po lutem për secilin prej jush, që të keni kurajon e gëzimin për të punuar së bashku, për paqe dhe unitet dhe që takimi juaj të jetë shumë i frytshëm.

Pastë secili prej jush, si dhe vendet dhe popujt që ju shërbeni, bekimin e Zotit.

Punët e dashurisë, janë punët e paqes.

Ju bekoftë Zoti

Nënë Tereza, Misionare e Bamirësisë

Kalkutë, Indi

22 tetor 1990

Raport-informacioni i diplomatit Vladimir Pula, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me kërkesën e shoqërueses së Nënë Terezës, Zhanet Petrie, për të ardhur në Shqipëri

DREJTORIA E PARË

I n f o r m a c i o n

Misioni ynë në New Jork, njofton se kronistja e Nënë Terezës Zhaneta Petrin, u ka shprehur atyre kërkesën e saj për t’ju dhënë mundësia që të vijë në Shqipëri së bashku me motrat e saj.

Ajo kishte shtuar se Nënë Tereza, ka mirëpritur fjalimin e shokut Ramiz Alia, në Pleniumin e 12 për liritë e institucioneve fetare.

Tha se Nënë Tereza, dëshiron ta shfrytëzojë këtë zhvillim të ri, në mbështetje të Shqipërisë e lidhjeve me të.

Shtoi gjithashtu, se nëse ajo nuk mund të vijë në Shqipëri në muajin nëntor, mund të ftohet të vijë në dhjetor.

Lidhur me kërkesën e përsëritur të saj, për të ardhur në Shqipëri së bashku me motrat, mendojmë që t’i jepet një përgjigje pozitive.

Një gjë e tillë do të ketë ndikim pozitiv jo vetëm tek Nënë Tereza, por do mirëpritet dhe nga opinioni botëror i cili e nderon dhe e respekton atë.

Me vendimet e fundit, në lidhje me praktikimin e fesë, mendojmë se një gjë e tillë është plotësisht e mundur.

Tiranë më 19 nëntor 1990

Vladimir Pulaj

Relacioni i ambasadorit shqiptar në Romë, Dashnor Dervishi, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me pritjen që i ka bërë Nënë Terezës në selinë e asaj ambasade

R.P.S.SH.

MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME

Ambasada Romë

Datë 29.11.1990

Lënda: Letër e Nënë Terezës për ambasadorin me rastin e vizitës së saj në Shqipëri.

MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME

(Shokut Reiz Malile)

TIRANË

Siç jeni në dijeni, në datën 28 nëntor 1990, prita me kërkesën e saj Nënë Terezën. Me këtë rast ajo dorëzoi një letër falenderimi me emrin tim, ku shpreheshin ndjenjat e saj lidhur me vizitën e pritshme në Shqipëri në datat 1-5 dhjetor 1990.

Njëkohësisht lutet që ti organizohet një takim me Presidentin Ramiz Alia, për t’i shprehur direkt ndjenjat dhe simpatinë, lidhur me pranimin e motrave në atdheun e saj.

Ndërkohë, kërkon që ti krijohet mundësia që të takohet me njerëz kompetentë, për të biseduar rreth çështjes së ardhjes së motrave në Shqipëri.

Bashkëngjitur ju përcjellim letrën.

AMBASADORI

(Dashnor Dervishi)

Relacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me protokollin dhe programin e takimeve të Nënë Terezës, gjatë vizitës së saj në Shqipëri

PROGRAMI MBI VIZITËN NË VËNDIN TONË TË NËNË TEREZËS

Nënë Tereza, ka kërkuar të vijë në vendin tonë në datat 1-5 dhjetor 1990. Shoqërohet nga gazetarja Zhanet Petri dhe një motër.

E shtunë 1 dhjetor

Ora 16.05

Pritet në aeroportin e Rinasit, nga Kryetari i Kryqit të Kuq Ciril Pistoli dhe shoqëruesit Adelina Mazreku, Natasha Hito dhe Theofan Nishku. Vendoset në Vilën Nr. 14

Në vilë pritet nga Jorgo Melica, Kryetari i MKMBJ.

Ora 19.30

Darkë nga Kryqi i Kuq. Marrin pjesë Ciril Pistoli, Svetllana Martini, Marie Kraja, Natasha Hito, Adelina Mazreku, Theofan Nishku, etj.

E diel 2 dhjetor

Ora 10.00

Vizitë tek varrezat publike (tek varri i nënës dhe i motrës, nëse kërkon).

E henë 3 dhjetor

Ora 9.30

Vizitë tek kopshti i fëmijëve “Nënë Tereza” Nr. 4

Ora 11.30

Takim me shoqen Nexhmije Hoxha

Ora 17.00

Takim në sallën e Muzeut Historik Kombëtar me 150-200 veta. Përfaqësues të Kryqit të Kuq, shkrimtarë, publicistë, pjestarë nga organizatat e masave dhe ato shëndetësore. Shif listën nr 1

E martë 4 dhjetor

Ora 17.00

Pritet nga shoku Ramiz Alia.

E mërkurë 5 dhjetor

Ora 9.00

Nisja për në Rinas. Përcillet nga ata që e pritën.

Shënim:

Do të jetë mike e Komitetit.

Trajtohet në Kategorinë e Parë.

Vihet në dispozicion një makinë “Benz” dhe një “Volvo”.

Në Vilë dhe në shoqërim, të ketë një mjek kardiolog.

Shoqërohet nga një makinë e policisë dhe një oficer.

Të filmohet gjithë programi, mbërritja, veprimtaritë e takimet në RTV.

Tiranë më 1.12.1990

Relacion i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë për Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me emrat e pjesmarrësve që do asistonin në ceremoninë e dekorimit të Nënë Terezës, në Presidiumin e Kuvendit Popullor, me Urdhërin ‘Naim Frashëri’ të Klasit të Parë

LISTA E PJESËMARRËSVE NË CEREMONINË E DEKORIMIT TË NËNË TEREZËS.

3.12.1990

Ciril Pistoli, Kryqi i Kuq
Sllavica Martini
Gaqo Trebicka
Lufti Aliaj
Adelina Mazreku, mjeke
Natasha Hito, shoqëruese
Luftulla Peza, mjek 2
Dhimtër Shuteriqi, shkrimtar
Marie Kraja, artiste
Bukurie Skënderi, përgjegjëse e gruas
Drejtoresha e Kopshtit 42
Edukatoret
Nasi Lera, shkrimtar
Diana Çuli, shkrimtare
Brisida Mema
Yskra Tata
Rolanda Dhimitri, Universiteti i Tiranës
Diana Kristo
Muntaz Dhrami, skulptor
Omer Haxhia, Fronti i Tiranës
Hajro Zeneli, Drejtori i Muzeut
Teuta Hoxha, Komiteti i Kulturës dhe Arteve
Jorgo Melica, Komiteti MKMBJ
Theofan Nishku
Kanan Jakupi, Drejtori i Sanatoriumit
Shaban Murati, gazetar
Ymer Minxhozi
Në Presidium:

Nexhmije Hoxha

Ahmet Kamberi

Jorgo Melica

Sofokli Lazri

Ciril Pistoli

Dhimitër Shuteriqi

Adelina Mazreku

Nënë Tereza

Motivacioni i dekorimit të Nënë Terezës nga Presidium i Kuvendit Popullor në Tiranë në dhjetor të vitit 1990

I jepet urdhëri “NAIM FRASHËRI” i Klasit të Parë, Nënë Terezës (Anjezë Gonxhe Bojaxhiut) me këtë motivacion:

“Personalitet i shquar kombëtar dhe botëror, për ndjenja të larta humane, për veprimtari vetëmohuese me plot sakrifica në dobi të të uriturve, të sëmurëve dhe të varfërve, për shpirtin bamirës dhe barazinë midis të gjithëve”. /Memorie.al

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!