MENU
klinika

Artur Zheji

Fushata e Bashës, përparësitë dhe pengesat e rënda!

13.07.2021 - 13:49

ARTUR ZHEJI

Në fushatën zgjedhore që u parapriu zgjedhjeve politike të 25 prillit 2021, Lulzim Basha kishte disa përparësi të thekshme dhe po aq, pengesa të rënda, që më pas u vërtetuan si “pengesa shumë të rënda”.

Le ta fillojmë nga “pengesat”, ose duke  ndjekur kuptimin e thellë të kësaj fjale, është mirë të analizohen pikat kyçe, ku u “pengua” fitorja e kësaj fushate.  Së pari, moskontrolli i territorit, që lidhet me mungesën e madhe që krijuan “Bashkitë rozë”, në të vërtetë, kështjella agresive dhe luftarake të kundërshtarit, të cilat fabrikonin punësime apo lehtësira lokale, duke krijuar qindra e mijëra favours, të cilat nuk kishin kurrfarë lidhjeje me sfondin politik të betejës së madhe.

Porse, ishin  shumë të rëndësishme këto, në  “përkujdesjen tringëlluese” të familjeve influente të qytezave apo komunave shqiptare, sipas raporteve 3D të patronazhistëve të kudondodhur. Së dyti, e ndoshta edhe së pari, bindja e rreme se PD nuk mund të jetë kurrë forcë dominante politike në Shqipëri, pa një a më shumë aleanca me forca dhe parti të tjera.

Basha ishte nën një trysni të madhe të atyre që i shkruanin në sulme publike apo i pëshpëritnin në vesh se ai, Basha “Nuk dinte apo nuk donte të fitonte!”. Në peshën e kësaj, Basha e lëshoi dorën me aleatët, duke iu dhënë mundësira përtej meritave të tyre reale. Në të vërtetë, “aleancat” dhe aleatët patën një performancë të  trishtueshme në çdo nivel, duke mos shtuar asgjë të rëndësishme në rezultatin final…

Së treti, në radhën e “pengesave” u shfaq “nostalgjia berishiste” e një pjese të madhe të demokratëve, që krijon pa dashje dhe pa baza një frikë “të revanshit që po vjen”, që e holloi mjaftueshëm pjesën gri të votuesve pranë Partisë Demokratike. Në të vërtetë, lista është shumë më e gjatë, por edhe kaq ishte mjaftueshmërisht “penguese”, duke krijuar te PD “pengun” se këto  ishin pengesa edhe të kapërcyeshme, edhe jo.

Mirëpo, “fushata Basha” ishte edhe e  nurshme, edhe goditëse, edhe pozitiviste. 1. E nurshme, sepse ishte më së shumti “për ndryshim”, e pra, “propozonte” dhe nuk konservonte, siç ishte Rama i detyruar të bënte në thelb të fushatës së tij. E nurshme, edhe sepse “Fushata e  Bashës” nuk ra asnjëherë në grackat negativiste, provokuese dhe diversioniste që i përgatiste kundërshtari politik, më aktiv se kurrë. Basha në këtë fushatë 2021 ndërpreu krejtësisht në formë pikëlidhjet me “atin” politik, duke forcuar ndjeshëm “stilin” e tij.

2. Goditëse, sepse ishte mjaft afër “popullit”, pa u shndërruar në një fushatë populiste të rëndomtë. Në të vërtetë, “klasi” i  komunikimit apo “klasi” i sjelljes publike, pavarësisht pasionit të fortë dhe të drejtpërdrejtë, ky “klas” dhe kjo finesë nuk u komprometua asnjëherë. Duke ndenjur rrezikshmërisht përballë shtjellave nevrotike dhe jo rrallë “simpatike” të fushatizmit, me ngjyra të kërkuara rurale dhe populloriste të Ramës.

3. Fushata e Bashës ishte pozitiviste, sepse linte të nënkuptohej “kapërcimi” i  hakmarrjes politike dhe aq më tepër i hak- marrjes sociale (tradicionale në Shqipëri)  dhe nuk linte të keqkuptohej që, përtej demokratëve dhe socialistëve, kishte edhe një “popull” të tretë që ishin: shqiptarët. Kjo që po shkruaj është në të vërtetë vetëm një “cekje” e asaj çfarë politikisht ndodhi në vigjilje të 25 prillit që kaluam.

Dhe më rezulton se njeriu që kësaj radhe e mori shumë seriozisht “dukurinë Basha”, ishte i pari i të gjithëve, Rama. Në qoftë se edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm do të bënin të njëjtën gjë, rezultati  zgjedhor do të mund të ishte i ndryshëm… Por, ky është një “rrëfim” tjetër.

* Parathënie e librit “Zgjedhje të pazakonshme & Thyerje të dialektikës” e shtëpisë botuese “UET Press”

Dyshohet se bashkëpunonin me grupe të huaja kriminale

Disa të ndaluar nga aksioni antidrogë në Tiranë

Akuzat se u fut në listën e sigurt të PS-së me ndihmën e personazhit të krimit

Jurgis Çyrbja merret në pyetje! Çfarë deklaroi para prokurorëve të SPAK

Ish-kryeministri: Vazhdoj betejën i palëkundur

Gjyqi ndaj Berishës në të njëjtën ditë me protestën te Kuvendi!