Gjashtë persona u arrestuan në flagrancë gjatë operacionit policor të koduar “Gimaj” në Shkodër, ku u sekuestrua lëndë narkotike kanabis sativa, armë zjarri dhe municion luftarak.
Nga strukturat e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, Forcat e Posaçme “Shqiponja” dhe Njësinë Operacionale të DVP Shkodër, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative është organizuar dhe finalizuar operacioni “Gimaj”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: Gjokë Foleta, Pal Alia, Besnik Rripa, D. Q. Manjola Kroni, Eugena Gjelaj.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit E. Gj. dhe Rr. Rr.
“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin kultivuar bimë narkotike në një zonë malore të pyllëzuar të fshati Gimaj, Shkodër.
Gjatë kontrollit është gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa dhe një armë zjarri automatike me 2 krehër me fishekë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lënda narkotike, arma e zjarrit, krehrat me fishekë dhe 7 aparate celular”.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”dhe ”Pastrim i produkteve të veprës penale”.