GJKKO i ka komunikuar pasditen e sotme masën e sigurisë ish-kryetarit të Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe dhe 10 personave të tjerë të përfshirë në “shpërdorim detyre, dhe në bashkëpunim”, “abuzim tenderash publikë” apo dhe “falsifikime dokumentesh”.
Gjyqtarja e Posaçme Danjela Shirka u tërheq për të marrë vendimin pak minuta më parë, dhe ndaj tij është vendosur “arrest me burg”. Tushe e ka pritur i qetë vendimin.
GJKKO vendosi masat siç i ka kërkuar SPAK më herët, ndërsa e vetmja që e priti vendimin e përlotur ishte Blerta Turku. “Pse duhet të mbetem unë në qeli”, mësohet të ketë thënë ajo.
Në masën e sigurisë “Arrest në burg”
Fatos Tushe – kryetari i Bashkisë së Lushnjës
Flamur Peqini – drejtor i ndërmarrjes së pasurive publike
Ibrahim Lami – administrator i “Loti SHPK”
Bujar Murati – administrator i “Euro alb shpk”
Gazment Çela – zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
Bektash Nexha – zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
Blerta Turku – zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
Në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”
Xhemal Hasko – zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
Margarita Gjermeni – zyrtare e ndërmarrjes së pasurive publike
Andri Nusho – zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
Ani Simoni – zyrtare e ndërmarrjes së pasurive publike
Në dosje thuhet se Fatos Tushe dhe shtetasi Flamur Peqini me detyrë drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në bashkëpunim edhe me zyrtarë e persona të tjerë kanë favorizuar kompaninë “Euro Alb shpk” me administrator shtetasin Bujar Murati në prokurimin për rehabilitimin e kanalit ujitës të fshatit Bishqethëm dhe Bitaj, Njësia Administrative Kolonjë, me fond 28.5 milionë lekë.
Hetimi ka evidentuar se edhe pse kjo firmë është shpallur fituese dhe me të është lidhur kontrata më datë 11 nëntor 2020, ndërkohë që përfitimin dhe punimet në fakt i ka kryer biznesmeni Ibrahim Lami i “Loti SHPK”, i cili është lidhje e ngushtë e kryebashkiakut Fatos Tushe dhe Flamur Peqini.
Në dosje sqarohet se hetimi për kryebashkiakun e Lushnjes ka nisur që në datën 22 korrik 2020 pas një referimi të policisë së shtetit.
Në kallëzim policia shpjegonte fillimisht se shtetasi Flamur Peqini, drejtor në Bashkinë e Lushnjes, kryente procedura fiktive dhe korruptive me tenderat, duke përmendur si rast konkret vendosjen e shtyllave të elektrikut para zhvillimit të tenderit. Policia e ka denoncuar këtë shtetas edhe për shpërdorimin e karburantit në sektorin që drejtonte.
Madje, në një rast del se biznesmeni-prnar i komapnisë “Loti SHPK” ka ndërhyrë në Fakultetin e Mjekësisë që vajza e kryebashkiakut Fatos Tushe të merrte një provim.