MENU
klinika

"Vendimi nuk ka efekt..."

Gjykata e Lartë ‘pezullon’ ndërtimin e 2 HEC-eve të përfunduara në Valbonë

22.07.2021 - 08:36

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë njoftoi të mërkurën se kishte prishur vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe kishte vendosur sigurimin e padisë për pezullimin e kontratës së koncesionit për ndërtimin e dy hidrocentraleve në Valbonë.

Vendimi i gjyqtarëve Sokol Sadushi, relatorit Ilir Panda dhe Sokol Binaj thotë se pezullohej kontrata e koncesionit, shtesat që i ishin bërë asaj dhe lejet e përmendura në padi. Pezullimi sipas vendimit të shkurtuar do të zgjasë “deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes me vendim të formës së prerë”.

Por vendimi jepet 5 vjet pasi kërkesa për sigurim padisë u dorëzua në Gjykatën Administra në vitin 2017 dhe efektet e saj në mbrojtjen e mjedisit – arsye për të cilën padia u ngrit, janë të paqarta.

BIRN gjeti se kompania ‘Dragobia Energy’ shpk, në pronësi të konglomeratit të ndërtimit “Gener 2”, ka marrë në 16 prill 2021 prej Entit Rregullator të Energjisë, ERE, licencën e furnizuesit me energji.

Ajo po ashtu kishte marrëveshje me Operatorin e Sistemit të Transmetimit, OST për lidhje në rrjet që prej vitit të shkuar.

ERE thotë në raportin vjetor 2020, për gjendjen e energjitikës se HEC-et Dragobia dhe Cerem pritej të futeshin në prodhim në vitet 2021-2022.

Ndërkohë, avokatja e kompanisë, Mine Progonati i tha BIRN se të dy HEC kishin përfunduar së ndërtuari dhe pezullimi nuk kishte asnjë efekt.

“HEC-i prodhon energji”, theksoi thatë Progonati.

Ndërkohë shoqata Toka, e cila ka ngritur padinë kundër dy HEC-eve sëbashku me 27 banorë të Valbonës, i tha BIRN se nuk do ta komentonte vendimin deri në qartësimin e tij dhe konsultimin me avokatët.

Ndryshe nga Toka, Progonati e cilësoi vendimin të padrejtë dhe tha se nuk ishin ndjekur procedurat formale të njoftimit të tij.

“Nuk është njoftuar data e gjykimit dhe nuk më është dhënë e drejta të kërkoj përjashtim gjyqtari, nëse do e shihja të nevojshme”, tha Progonati, ndërsa shtoi se do të ankohej për shkelje.

Ajo e akuzoi Gjykatën e Lartë se vendimin e kishte marrë për propagandë, duke iu referuar kohës së shkurtër në të cilën gjykata mori vendimin dhe faktit se masa e sigurimit jepej 5 vjet pas padisë.

Vonesa 5-vjeçare në shqyrtimin e masës së sigurimit të padisë, që duket se e bën atë pa ndonjë vlerë, ndodhi në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila e shqyrtoi çështjen në mars të këtij viti.

Një sërë padish me objekt të njëjtë apo të ngjashëm vijojnë të presin shqyrtimin në të njëjtën gjykatë, ndërkohë një kallëzim penal për falsifikim duhet të gjykohet në Gjykatën e Tiranës.

Përpjekja e banorëve dhe aktivistëve për të bllokuar punimet në HEC-et e Valbonës vijon prej gati 6 vjetësh, por proceset në gjykata nuk kanë shkuar në favor të tyre.

Veç ngecjeve burokratike për vite me rradhë – si në rastin e masës së sigurisë kundër Dragobia Energy, apo konflikteve të kompentecave, banorët u përballën edhe me vendime të çuditshme si ai i një gjyqtari në Tropojë që vendosi të rrëzonte një vendim të Gjykatës Administrative të Apelit që pati pezulluar një shtesë leje ndërtimi.

Ndërkohë, padia e themelit është ende në pritje të shqyrtimit në Gjykatën Administrative të Apelit.

Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës, është një nga pikat më të bukura natyrore të veriut të Shqipërisë dhe një atraksion turistik, që çdo vit i sjell të ardhura banorëve të zonës përmes vizitorëve dhe turistëve.

Ai gëzon mbrojtje të veçantë nga ligji, ku ndalohen veprimtaritë ndërtimore që mund të dëmtojnë biodiversitetin, por qeveria shqiptare gjatë dekadës së fundit vendosi aty ndërtimin e disa HEC-eve. Përplasje të ngjashme mes banorëve dhe kompanive të ndërtimit të HEC e qeverisë vijojnë prej vitesh në të gjithë vendin./BIRN