MENU
klinika

Ja mesazhi i Nikos Dendias për çështjet e “nxehta” në Ballkan

Greqia jep sinjale të njohjes së Kosovës!

05.07.2021 - 18:24

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka folur për mundësinë e njohjes së Kosovës nga Greqia, në një intervistë për gazetën “Real News” me gazetarin Jorgos Siasidhas.

Në intervistën e tij, kreu i diplomacisë greke ka komentuar çështje “të nxehta”, si marrëdhëniet e Greqisë me Turqinë, zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, çështjen e Qipros dhe Kosovës.

Lidhur me mesazhin e rolit të ri, më të zgjeruar të përfaqësisë diplomatike të Kosovës në Athinë dhe dy vizitave brenda pak muajsh në Prishtinë, ministri Dendias është pyetur nëse Greqia planifikon njohjen e Kosovës dhe nëse ky akt është kundër të Drejtës Ndërkombëtare.

Dendias në përgjigje është shprehur se integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane të Bashkimit Evropian përbën një çështje prioritare, pasi stabiliteti në rajon ndikon drejtpërdrejt në sigurinë edhe të Greqisë. Sipas Dendias, edhe pse ka ndryshuar pozicioni i Greqisë në lidhje me statusin e Kosovës, mbajtja e një qëndrimi konstruktiv dhe mbështetja e dialogut Prishtinë-Beograd janë prioritare. Lidhur me ligjshmërinë e njohjes së mundshme të pavarësisë nga ana e Greqisë, Dendias iu referua Gjykatës Ndërkombetare të Drejtësisë në Hagë, e cila në vitin 2010 doli me konkluzionin se shpallja e pavarësisë Kosovës nuk përben shkelje të së Drejtës Ndërkombëtare, pasi nuk ishte produkt i përdorimit të dhunës së paligjshme të dënuar nga Këshilli i Sigurimit, siç ishte sipas Dendias, “shpallja e pseudo-shtetit të Qipros Turke në vitin 1983”.

Nikos Dendias shtoi se me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë u themeluan mjaft shtete të reja ku asnjë prej të cilave nuk ishte rezultat i një sulmi të jashtëm. Ministri i Jashtëm grek ka vizituar një muaj më parë Prishtinën dhe është takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe politikanë të tjerë të Kosovës. Kreu i diplomacisë greke përcolli në Prishtinë mesazhin e mbështetjes për Kosovën, por jo njohjen e saj.

“Mbështesim vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe u bëj thirrje të gjitha palëve që të shtojnë përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje detyruese ligjore dhe të qëndrueshme. Kjo zgjidhje do të stabilizojë mbarë rajonin dhe do ta afrojë edhe më shumë atë me familjen evropiane. Ne besojmë se Ballkani Perëndimor i takon Evropës dhe duhet të jetë pjesë integrale e BE-së, në këtë drejtim kemi qenë në favor të liberalizimit të vizave, meqë Kosova ka përmbushur kriteret. Për këtë ne kemi mbajtur qëndrim në Këshillin e ministrave dhe do të vazhdojmë të mbështesim në drejtim të kësaj çështjeje”, tha Dendias një muaj më parë në Prishtinë.

Gjatë vizitës së fundit në Kosovë, Dendias ka bërë të ditur se do të vizitojë sërish Kosovën pas disa muajsh, si dhe se vizitat e tij do të shërbejnë për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dy-palëshe. Ai më tej ka deklaruar se Greqia do të mbështesë në vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe tha se është në kontakt me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Dendias ka vizituar Kosovën edhe më 9 tetor të vitit 2020 ku është shprehur se njohja se Kosovës është çështje e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën, por ky shtet ka zyrën e tij në Prishtinë. /Koha.net/

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë

Zotohen për thellim të bashkëpunimit

Kosova dhe M. e Veriut nënshkruajnë tri marrëveshje